Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Attention”, duke zbuluar dhe goditur një rast të rishitjes së paligjshme të biletave për ndeshjen Shqipëri–Serbi, e cila do të zhvillohet më 7 qershor në “Arenën Kombëtare”.
Hetimet nisën pas informacioneve të siguruara në rrjetet sociale, ku një profil në Instagram rezultonte se ofronte bileta me çmime shumë herë më të larta se ato zyrtare të përcaktuara nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Sipas burimeve zyrtare, biletat shiteshin me çmime që varionin nga 250 deri në 500 euro, ndërsa për sektorin VIP arrinin deri në 1500 euro për një biletë.
Si rezultat i operacionit janë arrestuar tre persona: Ledion Metallari, 34 vjeç, Arbi Topi, 23 vjeç dhe Ilir Lokaj, 24 vjeç. Ndërkohë, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë E. Sh., 25 vjeç, dhe një i mitur 16-vjeçar.
Të dyshuarit përballen me akuzat për veprat penale “Manipulimi i tregut” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme procedurale.