Policia e Shkodrës ka zbardhur ngjarjen e mbrëmjes së djeshme (15 nëntor), ku u qëllua me armë zjarri drejt një automjeti.
Sipas bluve të Shkodrës, në pranga kanë rënë dy vëllezër, shtetasit Gjovalin Gjekaj 63 vjeç dhe Pëllumb Gjekaj 51 vjeç. Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi K. Gj., 34 vjeç, banues në fshatin Bajzë.
Nga hetimet dyshohet se këta 3 persona, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë qëlluar me armë zjarri në pjesën e pasme të automjetit dhe pas ndalimit në afërsi të rrethrrotullimit në hyrje të qytetit të Koplikut, kanë goditur me sende të forta, duke i shkaktuar dëmtime Edison Tirana 42 vjeç.
Si nisi konflikti
Konflikti mes tyre ka nisur që në doganën e Hanit të Hotit për çështje parakalimi. Dy automjetet kanë parakaluar disa herë njëra tjetrën ndërsa kanë bërë edhe një debat fillimisht mes tyre.
Pas parakalimeve, në afërsi të rrethrrotullimit të Koplikut, shtetasit Gjovalin Gjekaj dhe Pëllumb Gjekaj dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri në pjesën e pasme automjetin tip Benz të Edison Tiranës.
42 vjeçari nga plumbat që ka marrë edhe në gomat e makinës ka humbur kontrollin dhe është përplasur me bordurën e një karburanti. Edison Tirana ka dalë nga automjeti dhe është futur në një tokë aty afër për t’i shpëtuar ndjekjes së autorëve.
Njoftimi:
Malësi e Madhe/ Kanosën me armë zjarri pistoletë dhe goditën me sende të forta një 42-vjeçar, gjatë një konflikti për motive të dobëta, vihen në pranga dy vëllezër dhe shpallet në kërkim një 34-vjeçar.
Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë, si dhe 4 automjete.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Shkodër, të mbështetura nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në aksin rrugor “Koplik – Shkodër” një shtetas ishte kanosur me armë zjarri, organizuan punën për kapjen e autorëve dhe zbardhjen e rrethanave të rastit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta, u kapën në flagrancë dhe u arrestuan shtetasit Gj. Gj., 63 vjeç, dhe P. Gj., 51 vjeç, banues në fshatin Bajzë.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi K. Gj., 34 vjeç, banues në fshatin Bajzë.
Nga hetimet dyshohet se këta 3 shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë qëlluar me armë zjarri në pjesën e pasme të automjetit dhe pas ndalimit në afërsi të rrethrrotullimit në hyrje të qytetit të Koplikut, kanë goditur me sende të forta, duke i shkaktuar dëmtime shtetasit E. T.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.


