Seanca vijoi me pyetjepërgjigje, akuza dhe kundërakuza, ndërkohë që Ndoja kërkoi të rikonfirmohet në detyrë. Theo Jacobs nuk ka kursyer asnjë të dhënë që kishte mbledhur për prokurorin, duke e konsideruar nga njëra anë si një aset të çmuar në sistemin e drejtësisë dhe nga ana tjetër duke ia thënë në sy, se nëse do më duhej të të kisha në skuadër, nuk do t’ju merrja.
Ndoja nuk u step për asnjë akuzë që i erdhi nga Jacobs. Ai i tha përfaqësuesit ndërkombëtar se drejtësia sot është më keq, e kjo falë edhe ndërkombëtarëve, duke vijuar më pas me sqarimin e pozicionit të tij në të gjitha gjetjet që iu kishin paraqitur në dosje. Ndoja ka mohuar të kishte lidhje me njerëz me rekorde kriminale, e po ashtu ka justifikuar edhe pasurinë e tij, duke i thënë Jacobs se “të qënët i pasur nuk më bën të pandershëm”.
Ndoja ka shpjeguar disa raste që lidhen me punën e tij hetimore në Durrës, duke iu dhënë përgjigje trupës gjyqësore, ndërkohë ai është ndaluar edhe te sulmet politike që iu bënë nga Kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministri Erion Braçe pak ditë para atentatit të bujshëm. Ndoja nuk ka ngurruar të shpjegojë edhe momentin që është gjendur në makinë, në një rast fatkeq në fakt, me një person me rekorde të theksuara kriminale. Ai i tha KPKsë se nuk e dinte se ai person kishte probleme me ligjin, pavarësisht sulmit politik që u bë. KPK vendosi ta shtyjë seancën për datën 10 maj, ku mësohet se do të merret parasysh kërkesa e prokurorit të Durrësit, i cili kërkoi konfirmimin në detyrë të tij.
GJETJET E DSIK
Arjan Ndoja u përball dje për orë me radhë me gjetjet e KPK-së (Komisioni i Pavarur i Kualifikimit) që konstaton se referuar raportit të DSIK (Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Kualifikuar) ka papërshtatshmëri figure, duke qenë se sipas raportit, rezulton se ai është shoqëruar me persona problematikë me ligjin si A.L, i njohur si “Rrumi”! Ai i tha komisionit se para se sa t’i bëhej atentati i bujshëm, ai u sulmua politikisht nga dy krerët e qeverisë, ku për fatin e keq në atë sulm brutal humbi jetën një i ri, i cili gjendej në mjet me prokurorin Ndoja.
Lidhur me gjetjet e vetingut, argumentet e mbrojtjes së prokurorit Ndoja ishin konkrete për secilin rast. Relatorja tha se ditën e atentatit në nëntor 2019, Ndoja kishte drekuar me E. Sh., një ndërtues si dhe me Aleksandër Lahon, i njohur gjithashtu me emrin Pëllumb Muharremi.
Për ndërtuesin E. SH., relatorja tha se kishte pasur disa kallëzime – shumica e të cilave të pushuara nga Prokuroria e Durrësit. Për Lahon, ajo tha se nga hetimi rezultonte se personi i identifikuar në relatim si A.L, por që përdorte edhe tri apo katër identitete të tjera, ishte cilësuar nga DSIK si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe, po ashtu, sipas një informacioni konfidencial, i përfshirë në krimin e organizuar në një vend tjetër. Për ndërtuesin u tha se pavarësisht njohjes, Ndoja kishte hetuar për rreth një muaj një procedim ndaj tij dhe, po ashtu, një procedim tjetër ndaj së bijës, i cili ishte pushuar. Ndoja këmbënguli fillimisht se KPK kishte bërë shkelje të ligjit, kishte hetuar përtej afateve kushtetuese dhe pasi kritikoi për gabime këshilltarin ligjor të dosjes, mohoi që të dy rastet të ishin kontakte të papërshtatshme.
Ndoja solli si provë një dëshmi penaliteti të Lahos, në të cilën ai rezultonte i padënuar. Disa herë Ndoja këmbënguli se nuk kishte informacionin e duhur dhe nuk dinte çfarë provash të sillte veç dëshmisë së penalitetit. I pyetur nga Shuli nëse kishte kontaktuar me A.L dhe nëse e kishte pyetur atë për dënime jashtë vendit, Ndoja tha se kishte mbi një vit që nuk kishte kontakte dhe përsëriti se nuk kishte informacion mbi pretendimet e ngritura nga KPK. Ai këmbënguli se njohja me personin në fjalë ishte e kohës kur ishte avokat.
Jacobs: “S’do doja t’ju kisha në skuadër”. Ndoja: “Sot drejtësia më keq, edhe falë jush!”
Theo Jacobs: S’do të doja kurrë t’ju kisha në staf si prokuror nëse do të isha shef. Unë mendoj se ju jeni i pasinqertë. Në deklaratën e 2008 thoni që keni fituar 250 mijë euro në vit si avokat. E nëse në tre vite që ishit jashtë sistemit fituar 750 mijë euro, përse ju duhet juve të qëndroni ende në detyrë si prokuror? Edhe avokatët më të mirë në Belgjikë nuk fitojnë kaq shumë edhe pse çmimet e shërbimeve për zyrat e avokatisë janë më të larta se në Shqipëri. Ju shkoni e dilni xhiro me persona të gabuar. A mund ta dimë përse ju duhet një shofer privat që e paguani nga xhepi? Shqiptarët i dinë shumë personat që ju shoqëroheni, të cilët s’janë hetuar kurrë!
Arjan Ndoja: U riktheva në sistemin e prokurorisë pasi gjykata më dha të drejtë. Kisha kontratë me magjistraturën dhe prandaj u riktheva në sistem. Kjo për t‘i dhënë përgjigje Jacobsit, në lidhje me pyetjen se përse u riktheva edhe pse kisha të ardhura të mira. Fakti që jam i pasur dhe paratë e mia janë të ligjshme s’më pengon për asgjë. Unë përmbush kushtet dhe kriteret. Në lidhje me lëvizjet me persona të inkriminuar, Jacobs beson se 60 për qind të magjistraturës e kap vetingu për kontakte të papërshtatshme. Kjo gjë nuk bëhet me perceptime. Po të kishin punuar, të siguroj se do të kishe të tjera mendime e raporte për mua. Shkoni tek lokalet përballë prokurorisë. Aty është skaneri real i çdo njërit prej nesh.
Theo Jacobs: Kur futeni në sistemin e drejtësisë, ju mendoni se keni më shumë të drejta se qytetarët. Por e vërteta është krejt ndryshe. Ju duhet të keni më pak të drejta. Ju duhet të qëndroni larg njerëzve që kanë konflikte me ligjin. Ju jeni inteligjent dhe i zgjuar, do të duhet të ishit një aset i këtij vendi. Të qenit prokuror e di që është e vështirë por s’është punë të jeni në xhiro e me kontakte. E vetmja punë dhe ju se keni respektuar. E për këtë s’do të doja kurrë t’ju kisha në skuadër.
Arjan Ndoja: Në asnjë vend të botës nuk gjykohen prokurorët e gjyqtarët për vendimet që marrin. Unë nuk kam kryer asnjë vepër penale, kurse ju më thoni fajtor. Po ku bazoheni për këtë? Sot sistemi i drejtësisë është më keq edhe falë jush, ndërkombëtarëve.
S’kam bërë asnjë shkelje profesionale dhe prandaj kërkoj konfirmim në detyrë. Në aspektin e pasurisë, jam i vetmi prokuror që kam dhuruar prona. Kam dhënë para pa interes se s’ma lejon feja. Jam i vetmi që nuk kam fshehur asnjë pronë apo ta vendos në emër të të tjerëve. Të zgjedhurit vendor i kam takuar si drejtues prokurorie pasi ligji më kërkon të takoj si kryetar bashkie e kryetar qarku.
Theo Jacobs: Kur futeni në sistemin e drejtësisë, ju mendoni se keni më shumë të drejta se qytetarët. Por e vërteta është ndryshe. Ju duhet të keni më pak. Ju duhet të qëndroni larg njerëzve që kanë konflikte me ligjin. Ju jeni inteligjent dhe i zgjuar, do të duhet të ishit një aset i këtij vendi. Të qenit prokuror e di që është e vështirë por s’është punë të jeni në xhiro e me kontakte. E vetmja punë dhe ju se keni respektuar. E për këtë s’do të doja kurrë t’ju kisha në skuadër
Atentati, si ra në pritë prokurori Ndoja
Prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja, shoferi i tij, Andi Maloku dhe një person i tretë i regjistruar në spital me emrin Pullumb Muhametaj, por i dyshuar për përfshirje në krim të organizuar u sulmuan me breshëri plumbash në autostradën Durrës-Tiranë orëve të pasdites së 1 nëntorit të 2013-ës. Prita u bë në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, ndërkohë që i riu, Maloku, i cili gjendej në drejtimin e mjetit, tentoi daljen nga rruga t’i shpëtonte breshërisë së dy qitësve me kallashnikov. Ngjarja e rëndë tronditi vendin pasi ishte hera e parë që një prokuror binte në pritën e një atentati vdekjeprurës. Plagosen të tre dhe menjëherë nisen në drejtim të Spitalit të Durrësit. Maloku, i cili kishte marrë dy plumba në pjesën e shtyllës kurrizore, fatkeqësisht nuk i mbijetoi asaj prite fatale. Ai humbi jetën në Spitalin Ushtarak 6 ditë pas plagosjes.
Ndërkohë që Ndoja dhe miku i tij, Aleksandër Laho, i njohur edhe si Landi Muharremi, për fatin e mirë u mbijetoi plagëve, ata refuzuan t’u jepnin asnjë të dhënë konkrete grupit hetimor. Fillimisht Policia arrestoi disa persona, mes tyre edhe Plarent Dervishajn, por më pas u la i lirë për mungesë provash. Policia gjeti mjetin në të cilin udhëtonin vrasësit dhe u tha se në një palë syze të lënë në makinën e padjegur u gjetën gjurmët e Redjan Rrajës, nipit të deputetit Rrahman Rraja. Ai u arrestua ndonëse kundërshtoi madje duke sjellë edhe alibinë për vendin, në të cilin gjendej në momentin kur ka ndodhur ngjarja. Sot e asaj dite nuk u mor vesh se kush ishte shënjestra, motivi, çfarë u gjend në makinën e prokurorit, e aq më pak se kush ishin autorët!/PANORAMA, NIKOLETA KOVAÇI



