Gazetari Igli Çelmeta ishte i ftuar në studion e re të News24, ku foli për përvojën e që kaloi redaksia gjatë ndërprerjes 10-ditore të transmetimit të televizionit.
Çelmeta theksoi se gazetarët u penguan të kryenin detyrën e tyre, ndërsa Ardi Veliu dhe struktura KAYO kanë vepruar në kundërshtim me ligjin dhe vendimet gjyqësore. Ai paralajmëroi se çdo shkelje do të ketë pasoja ligjore.
“Askush nuk është mbi ligjin. Ata që penguan median dhe injoruan vendimin e gjykatës do të mbajnë përgjegjësi. Ne do ta çojmë këtë çështje deri në fund,” u shpreh gazetari.
Ai zbuloi gjithashtu se është kontaktuar nga efektivë të përfshirë në bllokimin e godinës, të cilët i kanë shprehur keqardhjen për situatën, duke theksuar se ishin të detyruar të vepronin.
“Më telefonuan vetë. Më thanë që nuk ndiheshin mirë për atë që po ndodhte. Ishin thjesht urdhra për të mos na lejuar të futeshim në redaksi,” tha Çelmeta.
Igli Çelmeta: Rast i paprecedentë dhe i pazakontë. Nuk na u lejua të kryejmë detyrën e gazetarit dhe sot jemi përballë publikut për të transmetuar të vërtetën siç kemi bërë gjithmonë. Nuk është çështje godine, ne që punojmë aty jemi si një familje.Veprimi ndaj News24 ishte veprim arbitrar në mënyrë që të pengoheshim ne si gazetarë dhe media që të thuhej e vërteta. Kanë kaluar 10 ditë nga ajo e shtunë dhe ende ne nuk jemi lejuar të marrim sendet tona personale, çka shkon kundër vendimit të gjykatës që ka dhënë urdhër që të lejohemi t’i marrim.
Që në momentin e parë u kuptua që ishte një urdhër që gjithçka të ndodhte siç edhe ndodhi, në orët e para të mëngjesit Ardi Veliu dhe KAYO erdhën në godinën tonë si të ishin në pronën e tyre.
Kam pasur mesazhe pa fund, edhe nga efektivë që kishin bllokuar godinën e News24 se ishin të detyruar të vepronin në këtë mënyrë si dhe ishin të keqardhur që kjo po ndodhte. Ardi Veliu ka shkelur ligjin me të dyja këmbët dhe vendimin e gjykatës. Në gjykatë ka deklaruar se nuk ka pretendime për godinën tonë, por ende edhe sot nuk lejohemi të futemi në redaksi.
Ka shkelur ligjin duke cënuar punën e gazetarëve. Do të vijë dita që do të përgjigjen për gjithçka çfarë ka ndodhur. Kush është Ardi Veliu të më tregojë mua të bëj apo jo punën time, të më cënojë mua të ushtroj profesionin?