Përballimi i orarit të punës në Ramazan mund të jetë i vështirë për disa punonjës, veçanërisht pasi rregulloret e këtij viti kërkojnë që punonjësit të jenë të pranishëm në vendin e punës, ndryshe nga dy vitet e fundit kur puna ishte virtuale për shkak të pandemisë.
Mungesa e energjisë, gjumi, kafeja dhe ushqimi mund të ndikojnë në produktivitetin e punonjësve, por Arabia Saudite ka ndryshuar orarin e punës në Ramazan për ta bërë më të lehtë për njerëzit që ta praktikojnë agjërimin dhe ta përballojnë punën.
Hashim Hafiz, këshilltar projekti, ndryshe nga shumë njerëz u shpreh i emocionuar për punën gjatë Ramazanit.
“Në të vërtetë më pëlqen të punoj në Ramazan, sepse ma rregullon ditën pasi duhet të fle herët për t’u zgjuar herët për të shkuar në punë. Megjithatë, i vetmi disavantazh i punës në Ramazan është mos pirja e kafesë së mëngjesit që më rrit energjinë”, tha ai, shkruan Arabnews, transmeton Klan Kosova.
Rregulloret e reja të Mbretërisë ndryshuan orarin e punës nga tetë orë në gjashtë orë gjatë Ramazanit.
Gjithashtu, Ministria e Burimeve Njerëzore dhe Zhvillimit Social të këtij vendi ka vendosur të zbatojë orar fleksibël të punës për punonjësit e saj gjatë Ramazanit, duke u bërë ministria e parë në qeveri që zbaton këtë sistem. Ata u ofruan punonjësve tre opsione: i pari ishte puna nga ora 9:30 deri në 14:30, i dyti ishte nga ora 10:30 deri në 15:30 dhe opsioni i tretë ishte nga ora 11:30 deri në 4:30 pasdite.
“Orari fleksibël i punës është një gjë e re për ne dhe mendoj se është një sistem i zgjuar dhe preferoj ta kem atë jo vetëm gjatë Ramazanit, por edhe gjatë vitit. Për shembull, nëse, Zoti na ruajt, diçka ka ndodhur dhe ju jeni vonuar në punë, mund ta kompensoni atë në të njëjtën ditë pa problem dhe ky sistem do ta bëjë më të lehtë për njerëzit që të mos nxitojnë çdo mëngjes dhe t’i ndalojnë rrugët për të shkuar në punë ”, tha avokati Hatoon Nabeel.
Shuaib Jameel, drejtor kreativ, delaroi se mund t’i përmbahemi një rutine në Ramazan dhe se ishte më e lehtë për dikë që ta përballonte kur kishte një rutinë.
“Gjatë muajit të bekuar të Ramazanit kam një rutinë që e lehtëson orarin e punës. Unë kam sahur, fle deri në 6:00 të mëngjesit, pastaj zgjohem për të shkuar në punë, qëndroj në punë deri në 13:30, shkoj në shtëpi, fle deri në pasdite, pastaj zgjohem për të gatuar iftar”.
Një punonjës tjetër, Atif Felemban, u shpreh se puna gjatë Ramazanit ishte më e lehtë se puna gjatë vitit, sepse punonjësit e tjerë jomuslimanë të vlerësojnë më shumë.
“Unë punoj në një kompani kineze dhe gjatë Ramazanit të gjithë janë më linearë në punë dhe e kuptojnë që ne të gjithë jemi agjërues, prandaj nuk na japin detyra të rënda”.
Sistemi i ri i orarit fleksibël të punës mund të ndihmojë në uljen e trafikut, veçanërisht gjatë kohës së iftarit, dhe do t’i ndihmojë njerëzit të jenë më produktivë në vendin e punës, shkruan Arabnews.
Ndryshime në orar të punës gjatë Muajit të Shenjtë të Ramazanit bëri edhe Policia Mbretërorë e Omanit, duke e caktuar nga ora 7:30 deri në 12:30.