Apeli i GJKKO ka lënë pas hekurave për inspektorin e IMT-së, Gerald Fuçia, i cili akuzohet se mori ryshfet për një tendë pa leje.
“Miratimin e Vendimit nr. 88, datë 30.08.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar”, thuhet në vendimin e Apelit të Posaçëm, i cili la në fuqi masën “arrest me burg” ndaj tij.
Njoftimi i Apelit të GJKKO:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Igerta Hysi, sot më 30.09.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 69 akti, datë 23.09.2025 regjistrimi, mbi ankimin e personit nën hetim G.F., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 88, datë 30.08.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Vleftësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit personal “Arresti në burg”, parashikuar nga neni 238, i Kodit të Procedurës Penale” dhe vendosi:
– Miratimin e Vendimit nr. 88, datë 30.08.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.
– Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.
U shpall në Tiranë, me datë 30.09.2025.
HETIMET
Hetimi lidhet me vendosjen e tendave në Tiranë, ku Fuçia dyshohet se ka marrë ryshfet nga një biznes që kërkonte instalimin e një tende.
Arrestimi i Fuçias u realizua në zonën e Kombinatit, në një lokal të ish-deputetit Mark Frroku, ku u sekuestruan para të dyshuara si ryshfet.
Gjyqtarja Etleva Deda miratoi kërkesën e prokurorit të SPAK, Sotir Kllapi, për masën e sigurisë ndaj inspektorit.
Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, Fuçia mohoi akuzat dhe deklaroi se nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjen, duke theksuar se e ka ushtruar detyrën me seriozitet dhe profesionalizëm. Ai kërkoi gjithashtu hetim të thelluar për të dëshmuar pafajësinë e tij.
“Nuk e njoh fare qytetarin, as e kam kontaktuar, as takuar, as nuk di gjë për ryshfetin. Deklaroj me përgjegjësi morale dhe ligjore se nuk kam lidhje me këtë histori. E ushtroj detyrën me seriozitet dhe profesionalizëm, si në dhjetëra raste të tjera të aksionit për lirimin e hapësirave publike”, deklaroi ai.
Avokatja e tij Xhoi Nela kërkoi një masë më të butë sigurie, deri në qartësimin e plotë të rrethanave. Ajo fajësoi inspektorin tjetër të IMT, Klajdi Zhilla i cili u shpall në kërkim, ndërsa mëngjesin e kësaj të shtune u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës.
“Klajdi Zhilla është personi që ka mbajtur kontakt me personin e dëmtuar dhe ka shkuar edhe ka tërhequr shumën monetare. Kjo shumë i është dhënë kamarierit të lokalit Cormeun për ta mbajtur aty nga vetë Klajdi Zhilla dhe policia ka sekuestruar këtë shumë që Klajdi Zhilla kishte marrë tek qytetari. është Klajdi Zhilla që ka patur kontaktet me qytetarin dhe është ai që ka tërhequr shumën tek banaku i lokalit që kapi Policia. Dhe pikërisht kjo shumë ka dalë nga buxheti i shtetit për efekt të këtij operacioni”, mësohet të jetë shprehur avokatja mbrojtëse e Gerald Fuçisë.
Klajdi Zhilla dyshohet për korrupsion pasiv. Në dëshminë e tij të parë para Policisë, edhe Zhilla ka mohuar akuzat.
Denoncimi për zyrtarët e IKMT u bë nga një qytetar, pronar lokali, i cili ka kallëzuar se dy inspektorët i kishin kërkuar 1,000 euro ryshfet për një tendë të vendosur pa leje.