Nga Eduart Halimi
Sikur të mos mjaftonin pikëpyetjet e pafundme rreth eksperimentit me kampet në Shqipëri, mungesa epike e trasparencës së Marveshjes, nga përgatitja, mungesa e diskutimit me grupet e interesit e deri tek e miratimi me kompromiset e pakuptimta politike, problemet me të drejtat e njeriut, zbatimin e ligjit në hapesirë dhe në kohë, shqetesimet në rritje të organizatave në mbrojtje të të drejtave të njeriut, papritur njē vendim i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë (GJED), i dhënë në 4 tetor 2024, mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në zbatimin e marrëveshjes midis Italisë dhe Shqipërisë për strehimin e përkohshëm të migrantëve.
Ky vendim vendos një standard të ri për trajtimin e migrantëve dhe përkufizimin e vendeve të sigurta të origjinës, duke e bërë më sfiduese për Italinë të trajtojë migrantët që pritet të akomodohen në Shqipëri. E ndërsa kampi pritet të hapet, avokatët po behen gati për të sfiduar Italinë dhe Shqiperinë, sipas rastit në një tjetër Gjykatë, atë të Strasburgut (GJEDNJ) në rastin më të parë!
Konteksti i Vendimit të Gjykatës Evropiane të Drejtësis
GJED (ECJ) shqyrtoi një rast të lidhur me një shtetas moldav që kërkonte azil në Çeki, por i ishte refuzuar mbrojtja për shkak të klasifikimit të Moldavisë si një “vend i sigurt i origjinës” sipas nenit 37(1) të Direktivës 2013/32 dhe Aneksit I(b).
Gjykata vendosi që një vend nuk duhet automatikisht të humbasë statusin e sigurt, edhe nëse ai ka bërë derogime nga detyrimet e tij sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (sipas Nenit 15 të KEDNJ). Megjithatë, statusi i sigurt duhet të vlerësohet rregullisht, duke marrë parasysh situatat politike dhe ligjore në vend, për të siguruar që të drejtat themelore të njeriut respektohen vazhdimisht në të gjithë territorin e tij.
GJED theksoi se, kur një gjykatë është e angazhuar me një apelim kundër një vendimi që refuzon një aplikim për mbrojtje ndërkombëtare, i shqyrtuar sipas regjimit të veçantë për aplikantët nga vende të treta që janë caktuar si vende të sigurta të origjinë, ajo duhet, përmes shqyrtimit të plotë dhe ex nunc, që kërkohet nga neni 46(3) i Direktivës, të ngrejë shkelje të kushteve substanciale për një caktim të tillë edhe nëse kjo shkelje nuk është ngritur shprehimisht në pretendimet e apelit. Për më tepër, gjykatat kombëtare kanë detyrimin të rishikojnë vetë nëse një vend i tretë i përmbush kriteret për t’u cilësuar si i sigurt, edhe nëse kjo çështje nuk është ngritur nga vetë azilkërkuesi.
Ndikimi mbi Marrëveshjen Itali-Shqipëri
Në nëntor 2023, Italia dhe Shqipëria nënshkruan një marrëveshje për krijimin e qendrave pritëse të përkohshme në Shqipëri për migrantët që kalojnë në Itali. Ato priten të hapen në javët në vijim. Sipas marrëveshjes, migrantët që do të qëndrojnë në këto struktura do t’i nënshtrohen legjislacionit italian dhe atij të Bashkimit Evropian, edhe pse fizikisht ndodhen në Shqipëri. Megjithatë, vendimi i fundit i GJED-së vë në dyshim qëndrueshmërinë e kësaj marrëveshjeje për shkak të kritereve të rrepta për vlerësimin e vendeve të sigurta të origjinës.
Më datë 07.05.2024, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar e Italisë, në bazë të ligjit nr. 25/2008 “Zbatimi i Direktivës 2005/85/KE që përcakton standardet minimale për procedurat e aplikuara në Shtetet anëtarë për qëllime të njohjes dhe revokimit të statusit të refugjatit” ka përpiluar një listë të gjatë të vendeve të sigurta të origjinës, përfshirë Bangladeshin, Egjiptin dhe Tunizinë, vende nga të cilat vijnë një përqindje e madhe e migrantëve që mbërrijnë në Itali.
Këto vende konsiderohen si të sigurta nga autoritetet italiane, duke u dhënë migrantëve një trajtim të shpejtuar të kërkesave për azil. Por vendimi i GJED-së kërkon që gjykatat kombëtare të shqyrtojnë në mënyrë proaktive nëse këto vende përmbushin kriteret strikte për t’u cilësuar si të sigurta, duke marrë parasysh zhvillimet e fundit politike dhe sociale.
Problemet me Listën e Vendeve të Sigurta
Vendet e përfshira në listën italiane të vendeve të sigurta përfshijnë shtete me shkelje të dokumentuara të të drejtave të njeriut. Për shembull:
- Bangladeshi: Diskriminimi mbi bazën e gjinisë dhe orientimit seksual është i përhapur, dhe të drejtat e komunitetit LGBTQ+ janë pothuajse inekzistente.
- Egjipti: Raportet për arrestime dhe tortura ndaj individëve LGBTQ+ dhe kufizime të mëdha në lirinë e shprehjes ngrenë pikëpyetje mbi klasifikimin e tij si vend i sigurt.
- Tunizia: Megjithëse ka pasur përparime ligjore, diskriminimi ndaj grave dhe personave LGBTQ+ vazhdon të jetë një problem i madh.
GJED ka vënë theksin në faktin që një vend duhet të konsiderohet “përgjithësisht” dhe “uniformalisht” i sigurt në të gjithë territorin e tij. Në vlerësim të Aneksit I(b) të Direktivës 2013/32 dhe interpretimit që GJED ka bërë, vendet e përcaktuara nga shteti italian si “vende të sigurta të origjinës” përmbajnë problematika serioze, duke ngritur dyshime mbi përputhshmërinë e listës italiane me standardet e BE-së.
Sfida për Autoritetet Italiane
Sipas marrëveshjes, migrantët që do të akomodohen në kampin e Gjadrit do të jenë nga vende që Italia i konsideron si vende të sigurta të origjinës. Megjithatë, nëse do të marrim parasysh statistikat e muajit maj 2024, vërejmë se 84% e të gjithë aplikimeve në shtetet e Bashkimit Evropian për azil nga Bangladeshi janë regjistruar në Itali, po ashtu 64% e aplikimeve për azil nga Egjipti, 14% nga Guinea, 50% nga Moroko, 60% nga Peruja dhe 70% nga Tunizia.
Migrantët nga këto vende përbëjnë një përqindje të madhe të fluksit të azilkërkuesve në Itali, dhe në momentin që ndalohen nga autoritetet italiane në përputhje me dispozitat e nenit 6-bis të ligjit nr. 142/2015, ndalimi i tyre do të shqyrtohet nga një gjykatë italiane, e cila do të marrë në shqyrtim ex officio nëse vendi nga vjen migranti do mund të konsiderohet i “sigurt”. Megjithëse vendi nga vjen migranti konsiderohet si një vend i sigurt i origjinës sipas listës së Ministrisë së Jashtme Italiane, gjykata në interpretim të nenit 37 të Direktivës 2013/32 nuk do të arrijë në të njëjtin përfundim, duke passjellë lirimin e migrantit, ku në bazë të Marrëveshjes, ai do të kthehet në Itali për të ndjekur procedurat e zakonshme të shqyrtimit të kërkesës së tij për azil.
Vendimi i GJED-së duket se krijon një pengesë serioze për autoritetet italiane në përpjekjet e tyre për të menaxhuar flukset e migrantëve duke i klasifikuar këto vende si të sigurta. Italia ka procedura të përshpejtuara për migrantët që vijnë nga vendet e sigurta të origjinës, të cilat synojnë të kufizojnë kohën që migrantët kalojnë në qendrat pritëse. Por tani, gjykatat italiane duhet të shqyrtojnë rast pas rasti nëse një vend është me të vërtetë i sigurt, edhe nëse një migrant nuk e ka ngritur këtë çështje vetë. Kjo mund të sjellë vonesa në proces dhe lirimin e migrantëve që fillimisht janë ndaluar.
Për më tepër, këta migrantë, të cilët mund të akomodohen përkohësisht në Shqipëri, sipas marrëveshjes, mund të kthehen në Itali për shqyrtim të mëtejshëm, nëse gjykatat vendosin se vendi i tyre i origjinës nuk është i sigurt. Ky skenar do të bëjë që periudha e qëndrimit të tyre në Shqipëri të jetë shumë e shkurtër dhe t’i detyrojë autoritetet italiane të përballen me një valë të re apelesh për azil.
Konkluzionet
Vendimi i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë përmban pasoja të rëndësishme për politikën e migracionit në BE dhe ndoshta edhe për marrëveshjen midis Italisë dhe Shqipërisë. Standardet më të rrepta për përcaktimin e vendeve të sigurta të origjinës detyrojnë gjykatat italiane të rishikojnë me kujdes çdo rast të migrantëve nga këto vende, duke krijuar potencialisht sfida për zbatimin e marrëveshjes.
Nëse gjykatat italiane nuk mund të konfirmojnë statusin e këtyre vendeve si të sigurta, atëherë qëndrimi i migrantëve në Shqipëri mund të jetë i shkurtër dhe i përkohshëm. Kjo do të komplikojë përpjekjet e Italisë për të menaxhuar flukset e migracionit dhe mund të krijojë tensione të reja.
Në këtë kontekst, zbatimi i marrëveshjes Itali-Shqipëri mbetet i pasigurt, dhe të dyja palët mund të përballen me sfida të mëdha në muajt e ardhshëm. Në çdo rast do të jetë Gjykata e të drejtave të njeriut, e njohur si Gjykata e Strasburgut ajo që do përballet me rastet e para, dhe avokatët po përgatiten për keto sfida, kur ky vendim i ndihmon shumë!