Kryeministri Edi Rama dukshëm ka vendosur të bëjë fushatë me dy gjëra kryesore për zgjedhjet e 11 majit, në të cilat kërkon një mandat të katërt, bashkë me ambicien për të fituar tre të pestat e parlamentit: Shkëmbim batutash dhe tallje me kundërshtarët nga njëra anë dhe premtim për anëtarësim të shpejtë në Bashkimin Evropian nga ana tjetër.
Kjo është fushata e katërt radhazi dhe duket se në formë dhe përmbajtje po përsërit dy fushatat e shkuara, në të cilat, politikat identitare dhe sulmet e karakterit personal zëvendësuan premtimet konkrete apo programet e qeverisjes.
Gjithsesi, fushata e këtij viti duket se mbart një premtim më konkret se sa ajo e vitit 2017, e cila u mbështet në teorinë e tepsisë që duhej t’i mohohej LSI-së dhe t’i jepej PS-së, apo ajo e vitit 2021, e cila mund të përshkruhet, siç e përshkroi në një rast vetë Rama, “përballje personalitetesh dhe jo idesh”.
Premtimi për anëtarësim në Bashkimin Evropian duket se synon të kalërojë një perceptim më të gjerë për një realitet të ri gjeopolitik, përballja mes Evropës dhe Rusisë dhe gadishmërinë e perceptuar të evropianëve për të ndëshkuar Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut për sjelljet antievropiane të qeverive të këtyre vendeve përmes shpërblimit, me fonde dhe me premtime për më shumë integrim dhe më shpejt, të Shqipërisë dhe të Malit të Zi.
Por ndërsa situata gjeopolitike është diçka për të cilën, qeveria e Republikës së Shqipërisë nuk mund të kontribuojë, as për krijimin e kushteve të përshtatshme për ne dhe as për krijimin e kushteve të papërshtatshme, ajo që qeveria e Shqipërisë mund të bëjë është që, ndërsa shpreson që situata gjeopolitike të evoluojë në favorin tonë, dhe të vijojë të jetë e tillë edhe në vitet në vazhdim, gjë që nuk është e garantuar, ajo të zbatojë së paku disa nga qindra kushtet që Bashkimi Evropian ka vendosur për vendet kandidate, kushte të cilat, në fakt, janë detyra shtëpie që një vend duhet t’i ndërmarrë, jo thjeshtë për të plotësuar kushtet për anëtarësim, por për shkak se këto detyra e bëjnë vendin që i ndërmerr një vend më të mirë për të jetuar.
Disa nga kushtet e imponuara nga BE janë afërmendësh: psh., vendi duhet të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar, të respektojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut apo të kujdeset që të ketë matje të besueshme të cilësisë së ajrit. Disa të tjera janë jo fort të lehta për t’u arritur për shkak se kërkojnë investime të konsiderueshme në infrastrukturë, investime të cilat nuk janë të mundura të bëhen brenda ditës dhe që shpesh kërkojnë burime ekonomike që thjeshtë nuk janë të disponueshme për momentin. Këto janë të tilla si ndalimi i derdhjes së ujërave të zeza në lumenj apo krijimi i infrastrukturës moderne të transportit. Disa nga kushtet janë thjeshtë punë vullneti. Kërkohet të ndryshohen ligje, të cilat mundet të ndryshohen në parlament, pa ndonjë pasojë as në buxhetin e shtetit dhe as në situatën e përgjithshme politike të vendit. Të tilla janë kushtet për të eliminuar vendimet diskrecionare në prokurimet publike apo heqja e shpifjes dhe fyerjes nga Kodi Penal. Dhe disa nga kushtet, të tilla si krijimi i një administrate profesionale, të departitizuar, e cila shpërblehet dhe jep llogari në varësi të punës që bën, këto janë kushte që kërkojnë vullnet politik, pasi bien ndesh pikërisht me pushtetin politik të kryeministrit. Me pak fjalë, në mënyrë që vendi të plotësojë kushtet për integrim evropian, disa nga kriteret kërkojnë që Rama të ketë më pak pushtet.
BIRN analizoi të dhënat e një dekade të Raporteve të Progresit, raportet që përgatiten nga ekspertët e Brukselit dhe që vlerësojnë progresin e vendeve anëtare vit pas viti. Në vitin 2015, Komisioni Evropian filloi të zbatojë një metodologji që përdoret edhe sot, e cila e bën të lehtë matjen e gjendjes së një vendi në një fushë të caktuar dhe njëkohësisht, matjen e progresit në krahasim me vitin e kaluar.
Krahasimi mes vitit 2024, i cili është raporti i fundit, me vitin 2015, i cili është raporti i parë me këtë metodologji, sugjeron se në fakt, interesi i Tiranës zyrtare nuk ka qenë fort i lartë për të realizuar shumë nga kushtet e progresit drejt anëtarësimit, as ato kushte që janë të vështira, as ato që kërkojnë si kurban për t’u realizuar pushtetin e kryeministrit dhe, ajo që është më surprizuese, as ato të cilat nuk duket se cënojnë pushtetin e tij dhe as nuk kërkojnë ndonjë stërmundim financiar nga buxheti i shtetit.
Me pak fjalë, progresi në një dekadë ka qenë më së shumti në vendnumëro, me ndryshime të pakta dhe tërësisht të pamjaftueshme të sjella nga Reforma në Drejtësi.
Ndonëse jo me shumë bujë, raportet e progresit kanë shënuar hapa pas në disa fusha teknike, të tilla si politika e konkurrencës apo lëvizja e lirë e mallrave.
Vlerësimi i Komisionit Evropian mbi nivelin e përgatitjes për anëtarësim të një vendi matet në një shkallë nga 1 në 5. Në fillim është vlerësimi: “hapat e parë”, pasuar nga “pak e përgatitur”, “përgatitje mesatare,” “nivel i mirë përgatitjeje” dhe “përgatitje e përparuar”, si dhe me shprehje ndërmjetëse të këtyre, për shembull mund të thuhet se në një fushë të caktuar Shqipëria është pak e përgatitur/mesatarisht e përgatitur, pra ndërmjet notës 2 dhe 3. Në mënyrë që Shqipëria të anëtarësohet në BE, do të duhet që të gjitha fushat e shqyrtuara të marrin vlerësimin “përgatitje e avancuar”. Janë gjithsej 35 kapituj që përfshijnë çështje ekonomike, çështje të Shtetit të së Drejtës, çështje të të drejtave të njeriut, çështje sociale, mjedisore e të tjera.
Në vitin 2015, Shqipëria kishte 7 nga të 35 kapitujt në të cilat vlerësohej se gjendej në situatën “early stage”, pra në hapat e parë me notën 1. Në nëntë kapituj, gjendja vlerësohej me “some level of preparation”, pra me “nivel të paktë përgatitjeje” ose nota 2. Në gjashtëmbëdhjetë kapituj, vlerësimi ishte “mesatarisht i përgatitur,” ose nota 3. Vetëm në një kapitull, atë të Politikës së jashtme, të mbrojtjes dhe të sigurisë, vendi merrte notën 4, vlerësohej se gjendja e përgatitjes ishte “e mirë”. Në asnjë nga kapitujt Shqipëria nuk vlerësohej në gjendjen “e përparuar”, gjendja ku duhet të jetë para se të anëtarësohej. Situata nuk është e përmirësuar në mënyrë dramatike në vlerësimin e vitit 2024. Në njërin kapitull Shqipëria vijon të mbetet në “hapat e parë”, ky është vlerësimi për kapitullin 22, i cili trajton çështjen e Mbrojtjes së konsumatorit dhe të shëndetit. Në plot një dekadë mes vlerësimit të vitit 2015 dhe atij të vitit 2024, nuk ka bërë ndonjë përparim në këtë fushë, e cila normalisht që është shumë e rëndësishme edhe sikur mundësia për t’u integruar në Bashkimin Evropian të mos ekzistonte fare. Ky është kapitulli që ka të bëjë me mbrojtjen e konsumatorëve nga sjelljet abuzive të bizneseve me fuqi të ndjeshme në treg, nga kredidhënësit spekulantë, apo nga monopolet, qofshin këto publike, si energjia elektrike apo uji, qofshin private.
Në tetë kapituj të tjerë, vlerësimi më 2024 ishte “nivel i paktë përgatitjeje” ndërsa në dy kapituj të tjerë, nota ishte e ndërmjetme. Në terminologjinë zyrtare Shqipëria u vlerësua me notën “mes pasjes së një niveli të ulët përgatitjeje dhe pasjes së një niveli të mesëm”, pra, si të thuash, nota është 2.5. Në pesëmbëdhjetë kapituj, vlerësimi është “mesatar” ndërsa në pesë kapituj, nota sërish është e ndërmjetme. Termi zyrtar thotë: “mes nivelit mesatar dhe nivelit të mirë të përgatitjes”. Nëse integrimi do të ishte shkollë dhe do të zbatonte sistemin shkollor shqiptar të notave, kjo do të ishte nota 7 nga dhjetë të mundshme. Në vetëm një kapitull, Shqipëria vlerësohet me nivelin “mirë”, korrespondente me notën 8. Në asnjë fushë nuk ka nënta apo dhjeta, nota që nevojitet për t’u integruar. Në mënyrë kyçe, krahasimi mes viteve 2015 dhe 2024, tregon se në dymbëdhjetë kapituj, trembëdhjetë fusha të rëndësishme në të cilat Shqipëria normalisht duhet të bëjë hapa para çdo ditë e çdo muaj e çdo vit, sipas vlerësimit të Komisionit Evropian nuk ka pasur përparime. Vlerësimi në këto fusha në vitin 2024 është i njëjtë me atë që ka qenë në vitin 2015. Në tetëmbëdhjetë fusha të tjera, përmirësimi ka variuar nga gjysmë grade në dy gradë. Vetëm në dy kapituj, kapitulli i peshkimit dhe ai i Drejtësisë, lirive dhe sigurisë, vlerësimi është përmirësuar me dy shkallë. Te të dyja, Shqipëria ka kaluar nga shkalla e parë në shkallën e tretë ndërsa nuk duhet të harrojmë se synimi final duhet të jetë shkalla pesë.
Nëse vlerësimet vendosen në shkallë nga një në pesë, vlerësimi mesatar i vitit 2015 ishte 2.3 ndësa vlerësimi mesatar i vitit 2024 ishte 2.8. Përmirësimi, përgjatë një dekade, rezulton vetëm 0.45 pikë. Me këtë ritëm, në mënyrë që vlerësimi mesatar të arrijë në, fjala vjen, shkallën 4.5, do të nevojiten edhe së paku tre dekada.
Pushteti përballë integrimit
Arsyeja kryesore se pse plotësimi i kushteve të integrimit ecën kaq ngadalë duket se qëndron te konflikti mes pushtetit politik të kryeministrit dhe partisë së tij, pavarësisht se kush është kryeministri, dhe shtetit të së drejtës që kërkohet nga BE. Për shembull, BE kërkon që institucione të caktuara të jenë të pavarura. Radiotelevizioni publik është një nga institucionet që kërkohet të jetë i pavarur, profesional, i departitizuar. Ndryshe nga kjo, tashmë që prej dy dekadash, konkretisht që nga marrëveshja Nano-Berisha e vitit 2003, i kanë konceptuar institucionet jo si të pavarura por si të ndërvarura. PD dhe PS, dhe me raste, partitë më të vogla, kanë një sistem informal kuotash në të cilat, anëtarët e bordeve të institucioneve të pavarura i ndajnë mes tyre, me emërtime që, larg të qenit profesionalë dhe jopartiakë, janë në fakt përfaqësues të këtyre partive në këto institucione.
Hera e fundit kur të dy palët politike patën mundësinë të hidhnin themelet, për herë të parë në historinë e vendit, për një media publike profesionale dhe jopartiake, ishte vetëm pak javë më parë. Të dyja palët, përfshirë kryeministrin që flet për integrim brenda katër viteve, e humbën shansin pasi e mbushën bordin e RTSH-së me këshilltarë politikë, të cilët, me gjasa, do t’i shërbejnë partisë përkatëse dhe jo publikut, siç kanë bërë edhe më parë. Dhe së paku për kriterin e medias, problemet e së cilës përfshihen në kapitullin dhjetë, standardet e BE-së nuk do të mund të arrihen së paku për pesë vitet e ardhshme, për aq sa vazhdon mandati i këshilltarëve politikë të deleguar në bordin e transmetuesit publik.
Raste të tilla janë të shumta dhe vështirë se i shpëtojnë vëmendjes së ekspertëve të Brukselit, pavarësisht se zyrtarët e BE-së rregullisht përpiqen të mos kritikojnë, nga frika se kritikat mund të ushqejnë forcat radikale të vendeve anëtare kundër zgjerimit, si dhe për shkak se përmes përqasjes konstruktive, shpresojnë të ndihmojnë sa më shumë Shqipërinë që të përafrohet. Megjithatë, ka pasur dy fusha përgjatë dekadës së fundit, në të cilat, sipas vlerësimit, Shqipëria ka bërë hapa pas dhe në njërën prej tyre, prefecenca politike për të emërtuar njerëz të pëlqyer politikisht dhe jo profesionalisht ka shkaktuar rënien në vlerësim. Bëhet fjalë për kapitullin 8, Politika e konkurrencës, si dhe për kapitullin 9, Shërbimet financiare. Vlerësimi në vitin 2015 ishte se Shqipëria ka qenë “mesatarisht e përgatitur”. Vlerësimi në vitin 2024 është që Shqipëria gjendet në këtë fushë mes nivelit “pak i përgatitur” dhe “mesatarisht i përgatitur”. Komenti përkatës në raportin e progresit, me përqasjen e zakonshme pozitive të BE-së, tregon se çfarë duhet bërë për progres. Raporti thotë se rekomandimet e vitit të mëparshëm “janë zbatuar pjesërisht” dhe se Shqipëria duhet “të sigurojë pavarësinë operative të Komisionit të Konkurrencës” si dhe të rrisë “në mënyrë domethënse” kapacitetet e sekretariatit.
Në një kapitull tjetër të rëndësishëm, Prokurimet Publike, Shqipëria merr notën mesatare. Por BE kërkon që, në mënyrë që Shqipëria të bëhet gati për anëtarësim, duhet që të mos shkelë rregullat e BE-së me mjetet e parapëlqyera të qeverisë aktuale për të dhënë kontrata publike, atë të koncesioneve pa garë. Vlerësimi negativ nga Brukseli nuk e ka ndaluar qeverinë që të japë kontrata qindramilionë euroshe me prokurime të drejtpërdrejta, siç është rasti i kontratës për “smart cities”, ndërkohë që nga ana tjetër pretendon se “Shqipëria është lider për prokurimet publike”.
Rasti më flagrant i moskokëçarjes për integrimin me gjasa është një kërkesë e kahhershme e BE-së për të dekriminalizuar shpifjen dhe fyerjen. Në çdo raport përgjatë dekadës së fundit, kjo kërkesë përsëritet. Kërkesa vjen jo vetëm nga Brukseli, por edhe nga raportet e OSBE-ODIHR për zgjedhjet. Shfuqizimi i dy neneve të Kodit Penal nuk është ndonjë punë e komplikuar teknikisht, mjafton që qeveria ose një nga 140 deputetët ta propozojë në parlament dhe që 84 deputetë ta votojnë. Nëse bëhet, Shqipëria merr një pikë shtesë në rrugën e integrimit ndërsa në Shqipëri nuk ndryshon ndonjë gjë e madhe për shkak se proceset gjyqësore civile për shpifje dhe fyerje duket se janë më të preferuara sot se sa proceset penale, në të cilat kallëzuesi mund të marrë dënim penal me gjobë për shkelësin, por jo dëmshpërblim për dëmin e pësuar. Dhe megjithatë kjo nuk bëhet, duke demonstruar interesin jashtëzakonisht të paktë të qeverisë për të punuar konkretisht për integrimin dhe për të mbështetur me vepra ato që i thonë shpesh me fjalë.