Kërcënimi ose shantazhimi i votuesve, të porositura nga ndonjë parti politike, kthehet bumerang ndaj asaj partie dhe krijon vetëm kundër efekt tek, kështu vlerësojnë njohësit e rrethanave politike. Analisti politik Bashkim Bakiu, tha se me metoda të tilla, do të ndikonin jo vetëm në humbjen e votuesve të papërcaktuar por edhe të vetë simpatizantëve të asaj partie.
“Tek shqiptarët kjo mund të ketë edhe kundër efekt, prandaj apeli më i mirë për partitë shqiptare është që mos të keqpërdorin metoda të tilla për shkak se krijon irritim, mandej një formë e tillë mund të krijohet edhe bumerang për ta, jo vetëm nga votuesit e papërcaktuar, jo vetëm për votuesit e një partie tjetër politike, por edhe kërcënimi ose shantazhi që ndodh edhe nga vet simpatizantët e ndonjë partie politike. Tek shqiptarët ndikon si kontra efekt se sa një efekt i cili do të konvertoheshte në votë”, thotë analist politik, Bashkim Bakiu.
Edhe analisti politik, Ismet Ramadani, thotë se këto metoda krijojnë vetëm kundër efekt dhe se votuesit duhet të lihen të lirë të vendosin se kë të votojnë dhe kush do t’i përfaqësojë ata. Ai madje tha se po të shihet nga një dimension tjetër, përfaqësuesi i zgjedhur me kërcënime dhe shantazhe, në të ardhmen do të shantazhojë me grupe të interesit.
“Nuk është mirë të zgjidhet përfaqësuesi i popullit, në këtë rast i shqiptarëve, me votë të kërcënuar ose të shantazhuar, sepse edhe ata përfaqësues nesër do t’i shantazhojë me grupe të interesit, do të jenë të nënshtruar në institucionet ku do të jenë të përfaqësuar dhe kjo nuk sjell as demokraci as drejtësi por as liri për qytetarët”, thotë analisti politik, Ismet Ramadani.
Analistët njëzëri u bënë apel partive politike shqiptare, që të mos i përdorin format e tilla, pasi e gjithë kjo do të shkonte vetëm në dëm të tyre.