Në një intervistë, gazetarët e njohur Piers Morgan dhe Tucker Carlson u përfshinë në një debat të ashpër mbi rolin e NATO-s në ndërhyrjen e vitit 1999 në Jugosllavi. Morgan deklaroi:
“NATO është një organizatë mbrojtëse dhe nuk ka vepruar kurrë në mënyrë agresive…”
Në kundërpërgjigje, Carlson argumentoi:
“Ata po bombardonin rëndë të krishterët në Jugosllavi… kjo ishte ofensive…”
Pas intervistës, Morgan reagoi në rrjetet sociale:
“Pavarësisht indinjatës së Tucker-it dhe të shumë personave të painformuar që komentojnë këtë klip, unë kisha të drejtë. Veprimi ushtarak i NATO-s në këtë rast ishte një ndërhyrje humanitare e dizajnuar për të ndalur spastrimin etnik të përhapur.”
Në vijim, ambasadori i Shqipërisë, Denion Meidani, reagoi fuqishëm duke theksuar:
“Kam miq nga Kosova që humbën gjithçka për shkak të asaj lufte!
Kam miq nga Kosova që humbën të gjithë të dashurit e tyre për shkak të asaj mizorie të spastrimit etnik.
Kam miq nga Kosova që lindën në kampe refugjatësh.”
Në vitin 1999, NATO ndërhyri në Kosovë për të ndalur spastrimin etnik të shqiptarëve nga forcat serbe nën udhëheqjen e Slobodan Milošević-it. Me dështimin e diplomacisë dhe përshkallëzimin e krimeve të luftës, operacioni u bë i domosdoshëm për të parandaluar mizori të mëtejshme.
“Historia nuk do të rishkruhet!” – theksoi Ambasadori Meidani.
Sipas Departamentit të Shtetit të SHBA-së, forcat serbe kryen një fushatë spastrimi etnik në Kosovë, duke përfshirë:
• Dëbimin masiv të shqiptarëve nga shtëpitë e tyre,
• Djegien dhe plaçkitjen e shtëpive, shkollave, objekteve fetare dhe spitaleve,
• Arrestime arbitrare dhe ekzekutime të menjëhershme,
• Përdhunime dhe forma të tjera të dhunës sistematike.
Ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 u pa si një veprim i domosdoshëm për të ndalur këto mizori dhe për të parandaluar një krizë humanitare edhe më të madhe./Almakos