Ambasada amerikane do të jetë zyrtarisht pjesëmarrëse e Komisionit të Posaçëm për mirëqeverisjen, anti-korrupsionin dhe sundimin e ligjit.
Lajmi konfirmohet nga vetë konsullata, e cila bëri një postim në rrjetin social “X”.
Ajo shkruan se pjesëmarrja vjen për shkak se ambasada qëndron si “partner i palëkundur i përpjekjeve të Shqipërisë për të çuar përpara reformat e nevojshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.
Gjithashtu, përmes postimi, ambasada u shpreh se pret që puna e komisionit të jetë përfshirëse, transparente, në përputhje me Kushtetutën, e në mbrojtje të pavarësisë së institucioneve vendase.
Kujtojmë se Komisioni i Posaçëm Anti-korrupsion u miratua në Kuvend më 30 maj 2024, me 74 vota pro nga mazhoranca.
Kundër votuan deputetët e opozitës: Ervin Salianji, Lindita Metaliaj, Ilda Dhori, Elda Hoti, Agron Shehaj, Albana Vokshi
Postimi i Ambasadës Amerikane:
Si partnerë të palëkundur të përpjekjeve të Shqipërisë për të çuar përpara reformat e nevojshme për anëtarësim në BE, Ambasada e SHBA do të angazhohet me komisionin e posaçëm për mirëqeverisjen, anti-korrupsionin dhe sundimin e ligjit. Ne presim që puna e komisionit të jetë përfshirëse dhe transparente, në përputhje me kushtetutën, në mbrojtje të pavarësisë së institucioneve, si dhe të përmirësojë të ardhmen e Shqipërisë.