Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të mblidhet sot për të shqyrtuar nisjen e procesit për zgjedhjen e kreut të ri të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi në muajin dhjetor, Altin Dumanit i mbaron mandati.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se sipas ligjit gara për kreun e ri të SPAK duhet të hapet tre muaj më parë, pasi kandidatët duhet të kalojnë vettingun e prokurorëve.
Të drejtën për tu zgjedhur në këtë post janë vetëm prokurorët e prokurorisë së posaçme, me përjashtim të Dumanit, të cilit ligji ia ndalon të kandidojë dy herë radhazi.
“Të drejtën për të kandiduar e kanë prokurorët e SPAK. Kandidatë janë prokurorët Adnan Xholi, Vladimir Mara dhe Arben Kraja, që e ka drejtuar këtë strukturë më herët. Kandidatja potenciale nga gratë është prokurorja Anita Jella”, tha Lala.
Zgjedhje e kreut të ri të SPAK do të ketë edhe vëmendjen e SHBA. Vetem pak ditë me parë e ngarkuara me punë e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, tha se “Procesi i përzgjedhjes së pasardhësit së Dumanit duhet të jetë i paanshëm, transparent dhe i lirë nga çdo ndikim i jashtëm dhe se partnerët ndërkombëtarë do ta ndjekin nga afër këtë proces, sepse janë të interesuar që Shqipëria të vazhdojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.