Kreu i SPAK, Altin Dumani, iu përgjigj pas raportimit dhe mbajtjes së fjalës në Komisionin e Ligjeve, edhe pyetjeve të deputetëve të pranishëm.
Ai u pyet për çështje të ndryshme dhe një prej tyre ishin kërcënimet apo presionet nga politika dhe emrat konkret të tyre. Dumani u shpreh se SPAK ka dhënë shenja se nuk i interesojnë emrat apo profili politik i personave, duke kryer hetime i pandikuar.
“Këto vite kemi dhënë shenja që nuk na interesojnë emrat. Për prokurorët e SPAK e rëndësishme është prova dhe ligjshmëria e veprimeve që ne kryejmë. Sa për emrat këto i thashë se kemi dhënë shenja dhe nuk ka interesojnë aspak emrat. Dhe prokurorët e SPAK janë të përgatitur për të hetuar çdo figurë, çdo subjekt, pavarësisht profilit politik, fuqisë financiare që mund të ketë apo interesave të tjera që fshihen pas. Këtë e kemi treguar pak e nga pak, thashë këto janë shenja për të arritur dhe për të qenë të suksesshëm”, tha ai.
Gjatë fjalës së tij, kreu i SPAK ngriti edhe shqetësimin e mbingarkesës së dosjeve dhe volumi i punës, ku duhet që 20 prokurorë të përballojnë të gjithë punën.
Ai tha se SPAK nuk është as Policia dhe as Doganat, që kanë organikë të zgjeruar me burime njerëzore.