Rruga kombëtare që lidh Ura e Fshatit me Qafën e Buallit, ka mbetur jashtë vëmendjes dhe investimeve nga autoritetet në Klos.
Gjendja më problematike paraqitet në segmentin e fshatit Klos-Katund, ku infrastruktura është kthyer në një shqetësim të madh për banorët dhe drejtuesit e automjeteve.
Sipas tyre, rruga nuk ka pasur asnjë investim në vitet e fundit dhe asnjë veprim për mirëmbajtjen e saj, përveç prerjes së barërave anësore nga firma kontraktore “ALKO-IMPEX”.
“Është katasrofë. Rruga nuk mirëmbahet, po na shkatërrohen makinat. Të rinjtë kanë ikur se zona është lënë në harresë, nuk investon askush”, ankohen shoferët.
Një pasagjere në një mjet deklaroi: “Nuk ka rrugë më të keqe se këtu. Edhe në male rrugët janë më të mira, këtu kalohet vetëm me zetor”.
Megjithëse drejtuesit e automjeteve dhe banorët e Klos-Katundit e kanë ngritur disa herë shqetësimin për gjendjen e rrugës, përgjegjësit për mirëmbajtjen e aksit Ura e Fshatit-Qafë Buall nuk kanë ndërmarrë asnjë masë konkrete.