Pas paralajmërimit të Ambasadës Amerikane, e cila një ditë më parë ngriti alarmin për një kërcënim të mundshëm nga grupe të lidhura me Iranin ndaj objekteve të lidhura me Shtetet e Bashkuara, por edhe ndaj hapësirave publike në Shqipëri, strukturat e Antiterrorit kanë intensifikuar planin e masave në terren.
Burime për gazetaren Xhensila Kodra bëjnë me dije se njësitë e Antiterrorit kanë zhvilluar takime me përfaqësues të Ambasadës Amerikane dhe asaj Izraelite, në kuadër të koordinimit të veprimeve dhe rritjes së gatishmërisë për çdo skenar të mundshëm.
Edhe pse plani i masave ishte hartuar më herët, pas këtij paralajmërimi është shtuar ndjeshëm vlerësimi i situatës dhe monitorimi i elementëve të rrezikut.
Në fokus të këtyre masave janë kryesisht ambasadat, godina e muxhahedinëve në Manëz, si dhe sheshe e hapësira të mëdha publike në vend, të konsideruara si pika me ndjeshmëri të lartë.
Në kuadër të këtij plani, pritet një shtim i prezencës së forcave policore në terren, ndërsa pjesë e grupit të punës është edhe SHISH, i cili në bashkëpunim me Antiterrorin do të ketë një vëmendje të shtuar ndaj sigurisë së objekteve diplomatike.
Alarmi i ambasadës
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ngriti dje alarmin mbi një kërcënim të mundshëm ndaj sigurisë në vend. Sipas mesazhit të saj në rrjetet sociale, grupet e lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë opozitën iraniane në Shqipëri, (MEK) në Manëz, duke përfshirë edhe subjekte të lidhura me SHBA, vende turistike, qendra tregtare apo lokale dhe restorante. Ambasada u bën thirrje qytetarëve amerikanë në vend që të jenë vigjilentë.
“Grupet e lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri. Ata gjithashtu mund të synojnë vende të zakonshme, të tilla si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante. Ne i inkurajojmë qytetarët amerikanë të ushtrojnë vigjilencë të shtuar”, – thuhet në mesazhin e ambasadës amerikane.
Reagimi i qeverise
Qeveria shqiptare reagoi pas paralajmërimit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë për sulme të mundshme nga grupet e lidhura me Iranin. Në një deklaratë për mediat, Agjencia për Media dhe Informim e cilësoi alarmin e ambasadës së SHBA si hamendësim dhe se informacionet e tyre nuk korrespondojnë me situatën aktuale në vend. Po ashtu në njoftim thuhet se Ambasada Amerikane lëshon paralajmërime të tilla edhe për protestat me molotovë që organizon PD dhe Sali Berisha në Tiranë.
“Ambasada e SHBA jep rregullisht alarme të tilla, madje edhe kur dalin në protestë grupe opozitare që djegin kazanët e mbeturinave apo gjuajnë me molotov për të dalë në fotografi në gazetat e huaja, por agjencitë ligjzbatuese të Republikës së Shqipërisë nuk kanë asnjë informacion shqetësues lidhur me këtë hamendësim të ambasadës amerikane. Kështu që ne i ftojmë qytetarët amerikanë të mos humbasin asnjë nga mundësitë e mrekullueshme që ofron Shqipëria, me vendet e saj të panumërta turistike, mikpritjen e saj të pakonkurueshme dhe ushqimin e saj të paqortueshëm”, – thuhet në reagimin e qeverisë.


