Prokuroria e Posaçme ka dhënë sot (5 mars) pretencën për ish-kryebashkiakun e Shkodrës, Bardh Spahia, aktualisht deputet i PD-së në Parlament.
Në seancën e zhvilluar në GJKKO, SPAK mësohet se ka kërkuar dënimin me gjobë prej 700 mijë lekësh për ligjvënësin, që akuzohet se në kohën kur mbante postin e kreut të bashkisë, nuk ka zbatuar një vendim të Gjykatës.
Organi i akuzës pretendon se Spahia ka penguar ekzekutimin e një vendimi të formës së prerë të gjykatës.
Prokuroria bëri të ditur se gjatë kohës kur ishte kryebashkiak, Spahia shkarkoi nga detyra drejtorin e Ujësjellësit, Mark Molla, dhe në vend të tij emëroi Arvit Bushatin.
Megjithatë, sipas SPAK, gjykata kishte vendosur rikthimin në detyrë të Mark Mollës si drejtor i Ujësjellësit. Prokuroria pretendon se ky vendim nuk u zbatua nga Spahia, duke çuar në akuzën për “pengim të ekzekutimit të vendimit gjyqësor”.
Seanca u shty, ndërsa do dëgjohen edhe konkluzionet e palës mbrojtëse, para se të shpallet verdikti.


