Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm ka vendosur të ndryshojë masën e sigurisë për Erdion Muhon, i arrestuar më herët për përfshirje në një ngjarje të rëndë kriminale që lidhet me një tentativë për shpërthim me lëndë plasëse.
Sipas vendimit të fundit të gjykatës, masa e “arrestit me burg” është zëvendësuar me “arrest në shtëpi”.
Muho akuzohet për bashkëpunim në tentativën për shkatërrimin me tritol të anijes “Finikas”, ngjarje në të cilën humbi jetën biznesmeni Armandi Nelaj, i dyshuar gjithashtu si bashkëpunëtor në këtë akt kriminal.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur për motive konkurrence në sektorin e transportit detar, ku anija “Finikas” ushtronte aktivitet prej kohësh.
Ngjarja
35-vjeçari Muho, pronar i një agjencie turistike në qytetin bregdetar, që operon edhe në fushën e transportit ndërkombëtar detar të udhëtarëve të linjës Sarandë – Korfuz, së bashku me viktimën, Armend Nelaj kishin planifikuar të vendosnin lëndën plasëse te njëra nga anijet që operon në linjën Sarandë-Korfuz, për motive konkurrence.
Por, lënda plasëse ka shpërthyer aksidentalisht gjatë tentativës për ta transportuar dhe vendosur në anije. Për pasojë humbi jetën 52-vjeçari Armand Nelaj.
Hetimi ka nisur pas ngjarjes së ndodhur në orën 22.00 të datës 24 Qershor te vitit te kaluar, në afërsi të Portit Detar Sarandë, ku shpërthimi i një sasie ekplozivi i mori jetën 52-vjeçarit Armand Nelaj, biznesmen në fushën e makinerive të ndërtimit.
Nga hetimet dyshohet që Nelaj atë natë po afrohej në kalatën e Portit për të vendosur një sasi eksplozivi në një nga tragetet e linjës Sarandë-Korfuz, por në rrethana ende të paqarta eksplozivi shpërtheu aksidentalisht. Prokuroria dyshon se bashkëpunëtor i Nelajt ishte pikërisht Erdion Muho.