Autoritetet kanë marrë në pyetje disa zyrtarë të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) të mërkurën, si pjesë e një aksioni ndaj agjencisë lidhur me dyshimet për keqpërdorimin e detyrës dhe falsifikimin e dokumenteve.
Ushtruesja e detyrës së kryeshefes së ARBK-së, Igballe Rexha-Jashari, si dhe dy zyrtarë të tjerë janë shoqëruar për në stacionin policor për t’u marrë në pyetje, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala.
Paraprakisht, Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se bastisja në ARBK po zhvillohej për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprave penale: keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, dhe rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Shala nuk ka treguar se cilat janë funksionet e zyrtarëve të tjerë, por ka bërë të ditur se aksioni i Prokurorisë është ende duke vazhduar.
“Prokurori do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore në lidhje me rastin”, tha ajo.
Autoritetet nuk kanë dhënë më shumë hollësi rreth keqpërdorimeve të dyshuara në këtë agjenci.
ARBK-ja është institucioni kryesor për regjistrimin dhe administrimin e bizneseve në Kosovë, dhe vepron nën Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.


