Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka zbuluar për mediat nëse deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, është marrë nën hetim apo jo, pas akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha, se socialisti ka rënë në përgjimet e SHISH.
Në një përgjigje për gazetaren Klodiana Laka, SPAK thotë se nuk rezulton asnjë material kallëzues apo procedim penal në ngarkim të shtetasit Pandeli Majko.
“Në përgjigje të kërkesës suaj, ju informojmë si vijon: Pas verifikimeve të kryera në Regjistrin e Kallëzimeve Penale dhe Regjistrin e Protokollit në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk rezulton asnjë material kallëzues apo procedim penal në ngarkim të shtetasit Pandeli Majko”, thotë SPAK.
AKUZAT E BERISHËS
Krydemokrati Sali Berisha më 6 Janar, në një konferencë për mediat, teksa po komentonte vendimin e kryeministrit Edi Rama për të hequr deputetin socialist si drejtues qarku të PS-së në Kukës, u shpreh se “Pandeli Majko është kriminel i madh elektoral”.
Berisha deklaroi se Pandeli Majko është i regjistruar në tavolinë me regjistrues, të vendosur me vendim gjykate nga Shërbimi Informativ Kombëtar, “jo për Pandeli Majkon, por për trafikantë droge dhe armësh që mblidheshin aty”.
“Aty shkon Pandeliu me këtë Alban Çelën dhe drejtorin e OSHEE të Kukësit dhe fillojnë. I thotë atij drejtorit, ti në Has do të kërkosh kaq shtylla centrifugale dhe do i marrësh në një kompani këtu buzë Erzenit. Ato kushtonin nja 40 deri në 60 mijë euro. Por i thotë, do faturohen 800 mijë euro, nga të cilat 300 do i dërgohen Tropojës për të blerë vota, 200 mijë do dërgohen në Durrës, të tjerat do përdoren në Kukës”, u shpreh Berisha.
Deklarata e Sali Berishës:
Pandeli Majko është kriminel i madh elektoral në Kukës. Pandeli Majko është i regjistruar në tavolinë me regjistrues, të vendosur me vendim gjykate nga Shërbimi Informativ Kombëtar, jo për Pandeli Majkon, por për trafikantë droge dhe armësh që mblidheshin aty.
At shkon dhe bie zoti Pandeli. Dhe aty, është shumë e vërtetë, dosja është edhe tek ata, është edhe tek unë, aty shkon Pandeliu me këtë Alban Çelën dhe drejtorin e OSHEE të Kukësit dhe fillojnë.
I thotë atij drejtorit, ti në Has do të kërkosh kaq shtylla centrifugale dhe do i marrësh në një kompani këtu buzë Erzenit. Ato kushtonin nja 40 deri në 60 mijë euro. Por i thotë, do faturohen 800 mijë euro, nga të cilat 300 do i dërgohen Tropojës për të blerë vota, 200 mijë do dërgohen në Durrës, të tjerat do përdoren në Kukës.
Oficeri, i cili ishte në detyrë për të hedhur në çark trafikantët, habitet.
Përveç kësaj, në bisedë aty, përfaqësuesit e Hasit kërkojnë armë, sepse Miftar Dautin, thonë ata, nuk e mundim dot. Kandidatin tonë, është reale çdo gjë.
Tani ky oficer, njeri i përgjegjshëm, njeri i ligjit, e merr regjistrimin, përgatit dosjen dhe shkon e dorëzon në Skap. Po, dokument zyrtar.
Vlora që vodhi arkivën sekrete të shërbimit të Kosovës dhe e çoi aty ku e çoi, ajo e di, dyshime shumë të forta se e çoi në Beograd, refuzon ta presë oficerin.
Dhe oficeri mbetet jashtë shërbimi, kishte kryer në mënyrë të shkëlqyer detyrën dhe sot nuk e di ku është.
Pra, ky është Majko. Majko shkoi përsëri në vendin e krimit, por duket se e kanë parë që atje nuk e pëlqejnë dhe e kanë sjellë në Tiranë, po sjell gjysmën e ministrave të tij në Tiranë se qytetarët e Tiranës kanë një revoltë të jashtëzakonshme me Lal Vjedhësin, njeriun më të shpifur që ka pasur ndonjëherë Tirana si kryetar bashkie.
Ndërkohë, deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, vendosi t’u japë “zë” akuzave të kreut të Partisë Demokratike.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Majko njoftoi se ka zhvilluar një takim me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali dhe i kërkoi që ajo të merrte informacion me shkrim nga Shërbimi Informativ Kombëtar lidhur me akuzat e hedhura nga kryedemokrati.
Sakaq, Majko shprehet se do të dorëzojë çdo imunitet parlamentar për hetimet lidhur me këto akuza.
“Kam vendosur që të dorëzoj çdo imunitet parlamentar i cili mund të jenë i nevojshëm për hetimin e çështjes së ngritur për emrin tim në deklarimet publike të Sali Berishës!”, përfundon postimi i Majkos.
Postimi i plotë:
Sot, në takim me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali!…
I kërkova që brenda protokolleve në fuqi, ti kërkohej Shërbimit Informativ Kombëtar informacion me shkrim, lidhur me aludimet për fshehje informacioni të deklaruar dje në publik nga Sali Berisha!
Kam vendosur që të dorëzoj çdo imunitet parlamentar i cili mund të jenë i nevojshëm për hetimin e çështjes së ngritur për emrin tim në deklarimet publike të Sali Berishës!
MAJKO KËRKESË SHISH
Kujtojmë që deputeti socialist i ka dërguar shkresë zyrtare Shërbimit Informativ duke i kërkuar që t’i vendosin në dispozicion çdo informacion lidhur me akuzat e Sali Berishës.
“Në referencë të akuzave publike të deputetit z. Sali Berisha, në konferencën e tij për shtyp të datës 06.01.2025, ndërmjet të tjerash ai pretendonte se në bazë të një informacioni të SHISH, Unë Pandeli Majko jam vënë në përgjim nga institucioni Juaj”, shkruhet në shkresë.
Pandeli Majko shprehet në letrën drejtuar SHISH se si deputet ka të drejtë të kërkojë shpjegime për çdo çështje që ka të bëjë me përmbushjen e detyrës së tij.
“Lutem më vini në dispozicion, konfirmimin Tuaj nëse ekzsiton një përgjim i tillë dhe nëse po, vënien në dispozicion të saj dhe të cdo informacioni tjetër i cili ka lidhje me emrin Tim”, shkruan ligjvënësi socialist.
Shkresa e deputeti të PS-së drejtuar SHISH
Të nderuar
Në referencë të akuzave publike të deputetit z. Sali Berisha, në konferencën e tij për shtyp të datës 06.01.2025, ndërmjet të tjerash ai pretendonte se në bazë të një informacioni të SHISH, Unë Pandeli Majko jam vënë në përgjim nga institucioni Juaj.
Me cilesinë e deputetit të Kuvendit të Shqiperisë si dhe në bazë të Ligjit nr.8550, datë 18.11.1999 “Për Statusin e Deputetit” e konkretisht të nenit 8 në të cilën thuhet se:
1. Deputeti ka të drejtë të kërkojë shpjegime për çdo çështje që ka të bëjë me përmbushjen e detyrës së tij, nga ministrat ose nga drejtuesit e institucioneve të tjera qendrore, si dhe nga drejtuesit e çdo institucioni tjetër në administratën publike ose të qeverisjes vendore
2. Drejtuesit e institucioneve të përmendura në pikën 1 të këtij neni janë të detyruar t’i përgjigjen deputetit brenda 15 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës.
3. Në rast shkeljeje të pikës 2 të këtij neni, njoftohet Kryeministri për të nxjerrë përgjegjësitë përkatëse. Në rastet e enteve apo institucioneve të tjera qendrore, njoftohet organi prej të cilit ato janë zgjedhur.” lutem më vini në dispozicion, konfirmimin Tuaj nëse ekzsiton një përgjim i tillë dhe nëse po, vënien në dispozicion të saj dhe të cdo informacioni tjetër i cili ka lidhje me emrin Tim.
Bashkelidhur, Fotokopje e deklaratës së deputetit Sali Berisha.
DEPUTETI Pandeli MAJKO