Aktivisti Edison Lika u ka bërë thirrje banorëve të bashkive që pritet të preken nga reforma territoriale që të ngrihen në protesta në qytetet e tyre dhe më pas t’i bashkohen tubimit në Tiranë.
Gjatë fjalës së tij në protestë, Lika deklaroi se qeveria pasi i ka braktisur qytetet e vogla, tani do t’i shkrijë.
Aktivisti përmendi edhe disa prej bashkive që rrezikojnë të preken nga propozimi i Partisë Socialiste për hartën e re territoriale.
“Kërkojmë nga të gjithë qytetarët e bashkive që kjo qeveri do t’i shkrijë, pasi i braktisi, që fillimisht të protestojnë në qytetet e tyre dhe më pas të na bashkohen ne në shesh.
Në këtë shesh presim banorët e Fushë-Arrëzit, banorët e Klosit, Rrogozhinës, Dimalit, Poliçanit, Patosit, Divjakës, Selenicës, Maliqit, Këlcyrës, Memaliajt, Libohovës, Cërrikut, Belshit e Përrenjasit dhe të gjithë qyteteve që ky kryeministër do t’i shkrijë.
Të gjithë e kanë kuptuar që kjo protestë, që prej ditës së parë, ka qenë edhe për ata”, tha Lika.



