Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka konfirmuar se Bashkia e Tiranës është bërë objekt i një sulmi kibernetik, i cili ka prekur funksionimin normal të disa prej shërbimeve dhe sistemeve të saj të informacionit.
Pas sinjalizimit për incidentin, AKSK njofton se, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, është ngritur menjëherë një grup i posaçëm pune i përbërë nga ekspertë të sigurisë kibernetike. Grupi ka ndërmarrë një sërë veprimesh për garantimin e sigurisë, përfshirë analizën fillestare të komprometimit të infrastrukturës, identifikimin e pikave të hyrjes së sulmit, si dhe izolimin dhe kufizimin e përhapjes së ndikimit në sistemet e tjera të ndërlidhura. Gjithashtu, janë marrë masat e para për rikthimin e funksionimit të sistemeve të goditura.
Ndërkohë, grupi i njohur i hakerëve “Homeland Justice” ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm kibernetik. Në një mesazh të publikuar në kanalin e tyre në Telegram, ata pretendojnë se kanë ndërprerë funksionimin e faqes zyrtare të Bashkisë së Tiranës, kanë nxjerrë të dhëna të ndjeshme dhe kanë fshirë të gjithë serverët.
“Të gjitha këto aktivitete janë kryer nga Bashkia e Tiranës, sot ata po ndëshkohen për veprimet e tyre. Ne kemi rrëzuar faqen e tyre, kemi marrë të dhënat dhe kemi fshirë serverët,” thuhet në deklaratën e hakerëve.
Për ta përforcuar pretendimin, grupi ka publikuar gjithashtu një model 3D të godinës së Bashkisë me mbishkrimin “yes, you were right” – një mesazh që interpretohet si konfirmim për një sulm të paralajmëruar më herët.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike nënvizon se është në koordinim të ngushtë me stafin teknik të Bashkisë së Tiranës, Policinë e Shtetit, AKSHI-n dhe institucionet përgjegjëse për analizën e malware-it dhe rikuperimin e plotë të sistemeve të dëmtuara.
Hetimet për ngjarjen janë në vijim, ndërsa AKSK u bën thirrje qytetarëve dhe mediave të referohen vetëm në kanalet zyrtare për informacion të saktë dhe të verifikuar.
Njoftim i AKSK
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) informon opinionin publik se ditën e sotme është konstatuar një incident kibernetik që ka prekur disa prej infrastrukturave dhe sistemeve të informacionit të Bashkisë Tiranë.
Nga vlerësimi paraprak, incidenti ka ndikuar në funksionimin normal të disa shërbimeve dhe aplikacioneve që administrohen nga kjo bashki.
Menjëherë pas marrjes së sinjalizimit për rastin, AKSK në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka ndërmarrë të gjitha hapat e parashikuara nga procedurat operative të reagimit ndaj incidenteve, duke ngritur një grup të dedikuar pune, i përbërë nga ekspertë të sigurisë kibernetike. Ky grup ka nisur menjëherë punën në terren në bashkëpunim të ngushtë me stafin teknik të Bashkisë Tiranë për të:
- Kryer analizën fillestare të komprometimit të infrastrukturës dhe identifikimin e pikave të hyrjes së sulmit;
- Izoluar dhe kufizuar përhapjen e ndikimit në sistemet e tjera të ndërlidhura;
- Ndërmarrë masat e para për rikthimin e funksionimit të sistemeve të goditura;
- Hartuar rekomandimet e para për përmirësimin e sigurisë dhe forcimin e mekanizmave mbrojtës në infrastrukturat përkatëse.
Aktualisht, punonjësit e AKSK-së janë në terren dhe në koordinim të plotë me autoritetet vendore, Policinë e Shtetit, si edhe AKSHI-n për analizën e malware-t si edhe me institucionet përgjegjëse, për të siguruar një rikthim sa më të shpejtë dhe të sigurt të sistemeve në funksionalitet të plotë.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dënon çdo akt që cënon infrastrukturat kritike të informacionit dhe mbetet i përkushtuar në garantimin e integritetit, konfidencialitetit dhe disponueshmërisë së sistemeve të teknologjisë së informacionit në Republikën e Shqipërisë.
Në vijim do të ofrojmë përditësime të mëtejshme mbi ecurinë e hetimeve dhe masat e ndërmarra, në përputhje me zhvillimet dhe informacionin e konfirmuar teknikisht.
Për çdo informacion zyrtar, qytetarët dhe mediat ftohen të referohen vetëm në kanalet zyrtare të AKSK.