Qëndresa Qytetare ka reaguar pas përshkallëzimit të tensioneve mes banorëve të Thethit dhe Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, gjatë aksionit për shembjen e ndërtimeve pa leje në këtë zonë të mbrojtur.
Aksioni i zhvilluar ditën e sotme është shoqëruar me përplasje të forta, ku banorët kanë kundërshtuar me forcë ndërhyrjen e IKMT-së. Në përpjekje për të ndaluar fadromat, disa banorë kanë tentuar t’i vënë flakën urës prej druri që lidh lagjen “Gjelaj” me pjesën tjetër të fshatit.
Në përplasje është përfshirë edhe drejtori i IKMT-së, Fatmir Meta, i cili, sipas raportimeve, ka përdorur gjuhë fyese ndaj banorëve.
Në reagimin e saj, Qëndresa Qytetare shpreh shqetësim të thellë për situatën, duke e cilësuar si një pasqyrim të qartë të degradimit të institucioneve shtetërore.
“Prania e forcave të policisë me kallashnikovë dhe sjellja fyese e inspektorëve të IKMT ndaj banorëve janë tregues të keqpërdorimit të instancave ligjzbatuese për interesa politike dhe të pushtetit,” thuhet në deklaratën e organizatës.
Qëndresa Qytetare apelon për përmbajtje dhe dialog, duke kërkuar që palët të gjejnë gjuhën e përbashkët përpara se konflikti të marrë përmasa më të rënda.
Situata në Theth mbetet e tensionuar, ndërsa aksioni i IKMT pritet të vijojë, pavarësisht rezistencës së banorëve.