Policia ka vënë në pranga 29-vjeçarin që dyshohet se shkaktoi aksidentin tragjik me dy viktima dhe dy të plagosur, i ndodhur një ditë më parë (30 korrik), në rrugën e Plazhit në Borsh.
Sipas hetimeve paraprake, drejtuesi i mjetit tip “Benz”, Myfit Qevani, dyshohet se ka humbur kontrollin e automjetit dhe është përplasur me një furgon pasagjerësh, në të cilin ndodheshin viktimat.
Si pasojë e përplasjes së fortë, kanë humbur jetën në vendngjarje shoferi i furgonit, 66-vjeçari Kujtim Mehmeti, dhe pasagjerja 70-vjeçare me iniciale D. P.
Ndërkohë, 29-vjeçari si dhe pasagjeri në automjetin e tij, 23-vjeçari me iniciale P. A., janë transportuar me urgjencë në QSUT, ku po marrin ndihmë mjekësore të specializuar.
Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Njoftimi i policisë:
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë
Borsh/Në vijim të veprimeve për dokumentimin e aksidentit të ndodhur më 30.05.2025, në rrugën e Plazhit, Borsh, ku humbën jetën dy shtetas dhe u plagosën dy të tjerë, u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, drejtuesi i automjetit tip “Benz”, shtetasi M. Q., 29 vjeç, banues në Vlorë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe është përplasur me një mjet të llojit furgon, që drejtohej nga shtetasi K. M., 66 vjeç, i cili së bashku me pasagjeren D. P., 70 vjeçe, ka humbur jetën në vendngjarje.
Drejtuesi shtetasi M. Q. dhe pasagjeri në automjetin e tij, shtetasi P. A., 23 vjeç, janë transportuar në QSUT, Tiranë, për ndihmë mjekësore të specializuar.