Kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka vizituar të lënduarit që po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës, pas aksidentit të ndodhur në Tiranë, këtë të premte pranë Kinemasë Agimi.
Veliaj është shoqëruar edhe nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirli, e cila tregoi se u ndodh rastësisht në vendin e ngjarjes.
“I keni lidhur aq shumë fije se nuk ka nga del më”, u shpreh Veliaj ndërsa pa nda afër gjendjen shëndetësore të të lënduarve, ndërsa shtoi: “I ka ruajtur Zoti”.
Në aksident u përfshinë një urban dhe një automjet i vogël dhe për pasojë mbetën të lënduar pesë persona, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.
Një prej personave të lënduar, i ka kërkuar kryebashkiakut telefonin e tij pasi i ka ngelur në makinën e aksidentuar. Veliaj më pas i ka kërkuar një prej anëtarëve të stafit që t’i sjellin telefonin të lënduarit.
“Njëri nga çunave i ka ngelur celulari brenda në makinë. Të futet një nga zjarrfikëset me mrrokllat e tyre dhe t’ja marrin. Ka gjërat e veta aty” – tha Veliaj.
Policia njofton se të plagosur kanë mbetur 5 persona, mes tyre shoferi i autobusit shtetasi M.K. 62 vjeç, fatorino 61-vjeçar me iniciale A.K. dhe një pasagjere e autobusit, shtetësja F.Ç. 64 vjeçe.
Të lënduar mbetën dhe drejtuesi i mjetit tip “Benz”, shtetasi J.R. 27 vjeç dhe shtetasi A.H. pasagjer i mjetit.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë pak më parë, se në afërsi të Kinema Agimi, një autobus është përplasur me një mjet dhe si pasojë ka rënë në Lumin Lana, bëjmë me dije se janë paraqitur për kontroll mjekësor dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën, shtetasit M. K., 62 vjeç, (drejtuesi i autobusit), A. K., 61 vjeç, (faturino), pasagjerja e autobusit, shtetasja F. Ç., 64 vjeçe, shtetasi J. R., 27 vjeç (drejtuesi i mjetit) dhe shtetasi A. H., 27 vjeç, (pasagjeri i mjetit).



