Policia e Vlorës ka dhënë detaje në lidhje me aksidentin që ndodhi mbrëmjen e djeshme në zonën e Lungomares. Fillimisht u raportua për një person të plagosur, por blutë e qytetit bregdetar sqarojnë se kanë mbetur të lënduar 4 persona, mes tyre edhe dy fëmijë.
Sipas policisë, të katërt personat ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën, ndërsa shoferi 31-vjeçar është vënë në pranga.
“Sektori i Policisë Rrugore në DVP Vlorë arrestoi shtetasin A. Ll., 31 vjeç, banues në Vlorë, pasi mbrëmjen e djeshme në zonën e Lungomares, duke drejtuar automjetin tip “Volkswagen”, ka aksidentuar në vijat e bardha shtetaset V. V., 50 vjeçe, I. Sh., 32 vjeçe, si dhe dy fëmijët e saj të mitur. Të katërt shtetaset ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.