Një aksident i rëndë rrugor me pasojë vdekje ka ndodhur sot rreth orës 14:30 në aksin rrugor “Tepelenë–Krahës”, në vendin e njohur si “Kthesa e Luftinjës”.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, në aksident u përfshinë dy automjete. Automjeti i drejtuar nga shtetasi B. D., banues në fshatin Kalivaç, është përplasur me një mjet tjetër që drejtohej nga shtetasi ukrainas V. T., 38 vjeç.
Përplasja fatale ka shkaktuar humbjen e jetës së një të mituri 7-vjeçar, djalit të çiftit B. D. dhe S. D., të cilët mbetën të plagosur lehtë. I mituri ndërroi jetë rrugës për në spital.
Gjithashtu, dëmtime të lehta kanë marrë edhe drejtuesi ukrainas dhe pasagjeri që ndodhej me të, të cilët po marrin trajtim mjekësor në spitalin e zonës.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.