Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mbrëmjen e sotme, rreth orës 20:10, në aksin rrugor rreth rrotullimi i Bradasheshit – Paraburgimi i Elbasanit. Dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën, duke shkaktuar panik dhe bllokim të përkohshëm të qarkullimit në këtë segment me qarkullim jo të paktë.
Sipas të dhënave paraprake, aksidenti dyshohet të ketë ndodhur pas një manovre parakalimi të gabuar nga njëri prej automjeteve të përfshira, çka ka sjellë përplasjen e fortë mes mjeteve.
Si pasojë e aksidentit, drejtuesit e të dy automjeteve si edhe dy pasagjerë kanë mbetur të plagosur. Të lënduarit janë transportuar me urgjencë drejt spitalit për ndihmë mjekësore, ndërsa gjendja e tyre shëndetësore po monitorohet nga bluzat e bardha.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë shërbimet e policisë dhe ambulancat, të cilat po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe normalizimin e qarkullimit rrugor.


