Një aksident rrugor është regjistruar paraditen e sotme në aksin kombëtar Elbasan–Peqin, pranë fshatit Pajovë, ku dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën. Për fat të mirë, nga përplasja nuk ka pasur pasoja të rënda për jetën e drejtuesve, të cilët kanë pësuar vetëm dëmtime të lehta.
Sipas informacioneve paraprake, shkak i aksidentit dyshohet të ketë qenë shpejtësia mbi normat e lejuara nga ana e drejtuesve të mjeteve. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona në rrezik për jetën.
Segmenti ku ndodhi aksidenti është i njohur për ngjarje të shpeshta të kësaj natyre. Banorët e zonës kanë protestuar në disa raste, duke kërkuar masa konkrete për përmirësimin e sigurisë rrugore. Ata kanë ngritur shqetësimin se aksidentet janë kthyer në një rrezik të përditshëm për komunitetin.
Autoritetet rrugore dhe Policia e Qarkullimit kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.