Një aksident i rëndë rrugor me pasojë humbjen e jetës së një 35-vjeçari është regjistruar në aksin nacional Fier–Shegan. Viktima është identifikuar si Klevis Gjoni, drejtues i një motoçiklete.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip Volkswagen Caddy ishte duke kryer manovër për të kaluar në anën tjetër të rrugës me qëllim hyrjen në banesë, ndërkohë që motoçikleta, që lëvizte në të njëjtën korsi, ka tentuar parakalimin. Si pasojë, dy mjetet janë përplasur me forcë.
35-vjeçari u transportua menjëherë në spital, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve, pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve.
Në vendngjarje ndodhet policia rrugore, e cila po kryen veprimet për dokumentimin e plotë të aksidentit.


