Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mbrëmjen e sotme, më 24 prill 2026, rreth orës 21:00, në aksin që lidh Elbasan me Cërrik, në zonën e fshatit Mjekës, pranë një servisi makinash.
Sipas të dhënave paraprake, gazetari Fatmir Popja bën me dije se në aksident janë përfshirë dy automjete: një mjet tip “Benz” me targë AA170SR dhe një mjet tip “Volkswagen Caddy” me targë AA968VM. Si pasojë e përplasjes së fortë, drejtuesi i mjetit “Benz” ka humbur jetën në vendngjarje.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit tjetër është transportuar me urgjencë nga ambulanca drejt spitalit, ku po merr ndihmë mjekësore. Ende nuk dihet gjendja e tij shëndetësore.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të këtij aksidenti tragjik.


