Fotoreporteri i njohur Feliks Bilani, i cili mbetur i lënduar gjatë protestës së zhvilluar nga opozita para Kryeministrisë më 24 janar, pasi është goditur me spraj në fytyrë nga një polic teksa ndodhej në krye të detyrës duke fotografuar dhe filmuar, ka treguar me detaje se si ka ndodhur ngjarja.
I ftuar në News 24, Bilani ka deklaruar se prej vitit 1992 ka qenë pjesëmarrës dhe dëshmitar në dhjetëra protesta, por kurrë më parë nuk është përballur me një sulm të tillë të drejtpërdrejtë ndaj një fotoreporteri gjatë ushtrimit të profesionit.
“Kemi kaluar peripeci, por kurrë, kurrë në historinë e protestave nuk është sulmuar një fotoreporter, apo një gazetar drejtpërdrejtë me spraj në fytyrë gjatë kohës që xhiron apo fotografon”, u shpreh Bilani.
Ai tregon se ngjarja ka ndodhur pranë selisë së Partisë Demokratike, në një moment tensioni mes protestuesve dhe policisë, ku po përdorej edhe topi i ujit. Ndërsa po filmonte me telefon dhe mbante aparatin fotografik, ai tha se është goditur papritur me spraj.
“Për 3-4 sekonda kam rënë në tokë. Unë nuk besoj se turma dhe protestuesit mbajnë spraj luftarak… Ishte me uniformë policie”, tha ai.
Fotografi tregon se menjëherë pas ngjarjes është ndihmuar nga persona të pranishëm dhe është transportuar me ambulancë, ku i është dhënë oksigjen, për shkak edhe të problemeve shëndetësore që ai ka, pasi vuan nga probleme kardiake dhe diabetik.
“Në ambulancë më kanë vënë oksigjen menjëherë, sepse polica duhet ta dijë që spaji apo gazi nuk mund të përdoret, unë jam kardiak dhe diabetik dhe nuk mund të sulmosh një njeri me spraj pa ditur pasojat më pas. Më kanë çuar në QSUT, kam bërë analizat, kontrollet, pas rreth dy orësh, unë kam firmosur dhe jam larguar me vullnetin tim. Kam shkuar në shtëpi dhe kam konsumuar ushqime sipas mjekëve, për të nxjerr toksinat”, shtoi ai, duke theksuar se ende ndjen rëndesë në kokë dhe në sy, për shkak të ekspozimit të afërt ndaj sprajit.
“Edhe sot, kokën dhe sytë i kam rëndë, sepse kam qenë në një distancë të afërt”, tha ai.
Feliks Bilani: Që nga 92’ kam qenë në shumë protesta, unë e pranoj që edhe policia në shumë vite, na ka goditur, na kanë marrë aparatet, filmat, kemi kaluar peripeci, por kurrë, kurrë në historinë e protestave nuk është sulmuar një fotoreporter, apo një gazetar drejtpërdrejtë me spraj në fytyrë gjatë kohës që xhiron apo fotografon.
Tek pjesa para selisë së PD, ishte topi i ujit, zoti Strazimiri dhe zonja Vokshi, duke u konfrontuar me policinë, ishte një situatë e nxehtë, unë duke mbajtur aparatin në një dorë dhe telefonin në dorën tjetër duke xhiruar, nuk pash më asgjë, vetëm ndjeva spajin në fytyrë. Për 3-4 sekonda kam rënë në tokë.
Unë nuk besoj se turma dhe protestuesit mbajnë spraj luftarak. E dyta, nuk mund të besoj, se dhe nga 21 janari unë kam dalë me 4 qepje në kokë, dhe nuk besoj se me 21 janar policia ka përdorur gurë drejt mediave apo protestuesve. Nuk mund ta besoj kurrë që një protestues të sulmoj një gazetar, përjashton rastin e 28 majit të 1996, ku po unë jam sulmua nga një simpatizant të kohës, të PS-së. Ishte me uniformë policie.
Në ambulancë më kanë vënë oksigjen menjëherë, sepse polica duhet ta dijë që spraji apo gazi nuk mund të përdoret, unë jam kardiak dhe diabetik dhe nuk mund të sulmosh një njeri me spraj pa ditur pasojat më pas. Shansi është që është hera e dytë, dhe nga 8 janari që jam rrëzuar. Shans që më kanë ndihmuar njerëz, kanë lajmëruar ambulancën dhe jam oksigjenuar menjëherë. Më kanë çuar në QSUT, kam bërë analizat, kontrollet, pas rreth dy orësh, unë kam firmosur dhe jam larguar me vullnetin tim. Kam shkuar në shtëpi dhe kam konsumuar ushqime sipas mjekëve, për të nxjerr toksinat. Edhe sot, kokën dhe sytë i kam rëndë, sepse kam qenë në një distancë të afërt.


