23:40 | 4 Shtator 2025
I ngadaltë, i vetmuar dhe përfundimtar. Kështu, duke huazuar titullin e romanit të njohur të Osvaldo Sorianos, mund të përshkruhet fati tashmë i sigurt i ajsbergut më të madh në botë pas një udhëtimi që ka zgjatur pothuajse 40 vjet.
Në vitin 1986, një ajsberg gjigant më vonë i quajtur “A23a” u shkëput nga Antarktida dhe nisi një udhëtim të pafund. Ky kolos, me peshë një mijë miliardë ton, dyfish më i madh se zona metropolitane e Londrës, për shumë kohë lundroi i lirë nëpër dete përpara se të mbetej i bllokuar. Pastaj, papritur në vitin 2020, rifilloi lëvizjen e tij të pasigurt dhe, pas disa ndalesave të tjera, në dhjetorin e kaluar i zvogëluar dhe i gërryer nga ujërat më të ngrohta dhe efektet e krizës klimatike u vu sërish në lëvizje, duke alarmuar botën. Trajektorja e tij fillestare dukej se e drejtonte drejt përplasjes me ishullin e Xhorxhias së Jugut, duke rrezikuar ekosistemet antarktike dhe jetën e pinguinëve, fokave dhe peshqve.
Për këtë arsye, ai u monitorua vazhdimisht nga satelitët dhe studiuesit, të cilët deri para pak muajsh ishin të pasigurt për të ardhmen e tij, duke shpresuar në një shpërbërje të ngadaltë për të shmangur përplasjen. Kjo po ndodh: të dhënat e fundit nga satelitët Copernicus dhe nga British Antarctic Survey tregojnë se masa gjigante prej 3 mijë e 500 kilometra katrorë (afërsisht sa trefishi i Romës) me lartësi deri në 400 metra është reduktuar në një platformë të përgjysmuar, me një sipërfaqe aktuale prej 1 mijë e 770 kilometra katrorë dhe një gjerësi maksimale prej 60 kilometrash.
Megjithëse drejtimi dhe rrymat sugjeronin një përplasje me zonën e Xhorxhias së Jugut dhe rrezikun që kjo masë të pengonte qasjen në det për shumë specie, duke u mohuar ushqimin, të dhënat e fundit tregojnë se udhëtimi i gjatë i “A23a” po i afrohet fundit.
Në javët e fundit, blloqe të mëdha deri në 400 kilometra katrorë janë shkëputur dhe janë fragmentuar në masa më të vogla akulli të shpërndara në detin përreth. Edhe pse këto masa mund të ndikojnë në lundrim, ato janë gjithashtu simbol i fundit të afërt të jetës së “A23a”-shit.
Sipas Andrew Meijers, oqeanograf në British Antarctic Survey, i cili ka ndjekur prej kohësh dinamikat e këtij ajsbergu, “po fragmentohet në mënyrë mjaft dramatike” ndërsa lëviz drejt veriut, ku përballet me ujëra gjithnjë e më të ngrohta për shkak të ngrohjes globale. “Do të thoja se është drejt zhdukjes… po kalbet nga poshtë. Uji është shumë i ngrohtë për ta mbajtur. Po shkrihet vazhdimisht. Parashikoj që kjo tendencë do të vazhdojë dhe brenda pak javësh nuk do të jetë më i identifikueshëm,” shpjegoi eksperti, duke shpallur në thelb fundin e një udhëtimi që ka zgjatur gati 40 vjet.
Megjithatë, për shkencëtarët mbetet një surprizë se si “jeta” e këtij ajsbergu ka qenë kaq e gjatë. Vetëm në maj të këtij viti, pasi rifilloi lëvizjen dhe rriti shpejtësinë e tij (deri në 20 kilometra në ditë), u shfaqën shenjat e qarta se mes ujërave të ngrohta, valëve dhe rrymave, fundi i “megabergut” ishte afër.
“Shumica e ajsbergëve nuk arrijnë kaq larg. Ky është vërtet i madh, prandaj ka zgjatur më shumë dhe ka shkuar më larg se të tjerët,” shtoi Meijers, duke kujtuar se shkëputja e ajsbergëve është një proces natyror, por që për shkak të emetimeve njerëzore që ushqejnë ngrohjen globale, po ndodh me ritme më të shpejta veçanërisht në Antarktidë, ku, si kudo tjetër, temperaturat e ajrit dhe ujit po rriten, duke ndryshuar dinamikat e jetës në çdo ekosistem./Shkrim nga “La Repubblica”