Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK), në bashkëpunim me GIZ, organizoi sot në Tiranë workshopin “Crypto Currencies and Virtual Assets”, Kriptovalutat dhe Asetet Virtuale, me fokus te kriptoasetet dhe menaxhimi i tyre në kuadër të proceseve të sekuestrimit dhe konfiskimit.
Ky aktivitet trajnues, i zhvilluar me pjesëmarrjen e ekspertëve ndërkombëtarë si Richard Strike dhe Andrew Tennant, synoi të rrisë kapacitetet e stafit të AAPSK-së dhe administratorëve të përfshirë në menaxhimin e pasurive dixhitale, përfshirë mënyrat e gjurmimit, sekuestrimit dhe ruajtjes së sigurt të kriptoaseteve.
Trajnimi përfshiu tema thelbësore si ndryshimi mes valutave tradicionale (FIAT) dhe kriptovalutave, struktura e portofolëve dixhitalë dhe siguria e “recovery seeds”, teknologjia blockchain dhe kriptografia, si dhe legjislacioni ndërkombëtar për VASP-et dhe rreziqet e pastrimit të parave përmes kriptoaseteve.
Gjatë sesioneve të workshop-it, vëmendje e veçantë iu kushtua proceseve të sekuestrimit, ruajtjes dhe realizimit të kriptoaseteve, duke u ndalur edhe në mekanizmat për ruajtjen e vlerës, rritjen e përfitimeve dhe strategjitë e sigurta të shitjes apo konvertimit të tyre.
Ky aktivitet vjen në vijim të trajnimit të mëparshëm të zhvilluar në bashkëpunim me UNICEF dhe është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të AAPSK për të siguruar administrimin profesional dhe të përditësuar të pasurive të sekuestruara apo konfiskuara, në përputhje me zhvillimet më të fundit teknologjike dhe standardet ndërkombëtare.