Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shpalli sot vendimin për ish-deputetin Alqi Ballko, i akuzuar për korrupsion pasiv në lidhje me çështjen e inceneratorit të Tiranës.
Trupa gjykuese ka shpallur të fajshëm Ballkon, duke e dënuar me 4 vite burg, në kuadër të gjykimit të shkurtuar.
Pas reduktimit të dënimit, ai do të vuajë një dënim prej 2 vite e 8 muaj burg. Përveç kësaj, Ballkos i është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.
Sipas hetimeve të SPAK, Bllako ka përfituar në mënyrë të tërthortë rreth 120 mijë euro nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, pronarët de facto të shoqërisë koncesionare të inceneratorit, për blerjen e një pajisjeje të përdorur në aktivitetin tregtar të babait të tij, një fabrikë birre në Ersekë.
Në dosje thuhet gjithashtu se Bllako i ka propozuar Vladimir Bezhanit të vijonte si këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, dhe të ofronte konsulencë juridike gjatë periudhës kur po përgatitej procedura e dhënies së koncesionit.
Për këtë shërbim, Bllako akuzohet se i ka kërkuar Klodian Zotos që ta punësonte fiktivisht Bezhanin, duke i siguruar një pagë prej 7.5 milionë lekësh të reja.
Sipas SPAK, gjatë kohës që Bezhani ishte këshilltar i ministrit Koka, ai ka mbajtur kontakte me Klodian Zoton sipas udhëzimeve të Alqi Bllakos, duke i transmetuar informacione të marra nga Autoriteti Kontraktor.


