Pas paralajmërimit të biznesmenit Behgjet Pacolli se çështja e Aeroportit të Vlorës do të përfundojë në arbitrazh ndërkombëtar, natyrshëm lind pyetja se sa është ‘gjoba’ që kompania koncesionare mund të kërkojë si dëmshpërblim nga shteti shqiptar.
Sipas të dhënave të publikuara nga Kapital.al, Mabco, kompania e lidhur me investitorin Behgjet Pacolli, ka deklaruar se është ekspozuar me mbi 320 milionë euro investime në projektin e Aeroportit të Vlorës, pa përfshirë fitimet e munguara që do të mund të gjeneroheshin nga aktiviteti i aeroportit.
Biznesmeni dhe ish-presidenti i Kosovës, Pacolli ka deklaruar se do të kërkojë kompensim maksimal në arbitrazh, pas vendimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për nisjen e procedurave për shtetëzimin e aeroportit, pas konfliktit të krijuar mes aksionerëve të shoqërisë koncesionare.
“MABCO është ekspozuar financiarisht me mbi 320 milionë euro, pa përfshirë humbjen e fitimit dhe kostot ligjore. Kompania kishte përfunduar pothuajse të gjitha detyrimet kontraktore dhe ndodhej vetëm pak para fazës së certifikimit të aeroporti”, shkruan ai ndër të tjera në reagimin e tij.
Një tjetër element që mund të ndikojë në vlerën e kërkesës së investitorit është plani financiar i koncesionit.
Sipas të dhënave të bëra publike, gjatë periudhës 35-vjeçare të koncesionit, Aeroporti i Vlorës ishte parashikuar të gjeneronte rreth 720 milionë euro të ardhura.
Kjo shumë, së bashku me pretendimet për investimet e kryera dhe dëmet ekonomike të shkaktuara nga ndërprerja e kontratës, mund të jetë pjesë e argumentimit financiar që Mabco mund të paraqesë përpara një trupi arbitrazhi.
Megjithatë, shuma përfundimtare që Shqipëria mund të detyrohet të paguajë nuk është e përcaktuar dhe do të varet nga vlerësimi i arbitrazhit ndërkombëtar, provat e paraqitura nga palët, si dhe interpretimi i kontratës së koncesionit.
Në rast se arbitrazhi do të pranonte pjesërisht ose plotësisht pretendimet e investitorit, fatura do të paguhej nga buxheti i shtetit, duke e kthyer konfliktin për Aeroportin e Vlorës në një çështje me kosto potencialisht të lartë për taksapaguesit shqiptarë.



