Prokuroria e Fierit ka ngritur akuzat “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur” dhe “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona në gjini ose nën kujdestari” për Zamir Metën, babain monstër, i cili u vu nën hetim për abuzim seksual me vajzën e tij 12-vjeçare prej disa vitesh.
Hetimi nisi pas kallëzimit të vajzës së mitur, P.M., lindur në vitin 2013, e cila ishte larguar nga banesa familjare dhe ishte strehuar në shtëpinë e një shtetasi tjetër. Në dëshminë e saj, e mitura deklaroi se kishte ikur për shkak se babai kishte abuzuar seksualisht me të që në moshën 5-vjeçare dhe se aktet vazhdonin ende. Fillimisht, ishte vetë babai Zamir Meta që kishte raportuar në Stacionin e Policisë Patos për largimin e vajzës, duke hapur kështu zinxhirin e hetimeve që çuan në zbulimin e akuzave.
Sipas Prokurorisë, gjatë marrjes në pyetje, Zamir Meta ka pranuar të ketë kryer marrëdhënie seksuale me të bijën, por ka pohuar se kjo ka ndodhur vetëm një herë.
Në të njëjtën datë me regjistrimin e çështjes, organi i akuzës ka paraqitur në gjykatë kërkesën për njohjen si të ligjshme të arrestimit në flagrancë të Zamir Metes si dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”. Gjykata e Shkallës së Parë në Fier, me vendimin nr. 62-205-3964, e ka pranuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka urdhëruar arrestimin e tij.
Njoftimi:
Kreu marrëdhënie seksuale me të bijën e mitur, Prokuroria Fier procedon penalisht babain për dy vepra penale
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka regjistruar procedimin penal nr.927, datë 01.07.2025 në ngarkim të personit nën hetim Z.M, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur” dhe “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona në gjini ose nën kujdestari” të parashikuara nga nenet 100 prg. 2 dhe 106 të K.Penal, mbi bazën e kallëzimit të bërë në Komisariatin e Policisë Fier nga viktima e mitur P.M.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se, personi nën hetim Z.M., është paraqitur pranë Stacionit të Policisë Patos për të kallëzuar largimin nga banesa të vajzës së tij të mitur P.M, e vitlindjes 2013. Me marrjen e këtij kallëzimi, janë kryer veprimet e para hetimore të cilat kanë bërë të mundur që viktima e mitur të gjendet në banesën e shtetasit B.B. Gjatë intervistimit të viktimës së mitur ka rezultuar se, shkak për largimin e saj nga banesa ishte babai i saj, personi nën hetim Z.M., i cili, sipas saj, kishte filluar të kryente marrëdhënie seksuale me të që kur ishte 5 vjeç dhe vazhdonte ende. Personi nën hetim Z.M. ka pranuar të ketë kryer vetëm një herë marrëdhënie seksuale me të bijën e tij të mitur.
Pas regjistrimit të procedimit penal dhe kryerjes së veprimeve të para hetimore, në datë 01.07.2025 Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka paraqitur në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier kërkesën për vleftësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë dhe caktimin ndaj personit nën hetim Z.M masën e sigurimit personal shtrëngues “Arrest në burg”.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier me vendimin nr.62-205-3964, ka pranuar kërkesat e Prokurorisë, duke caktuar ndaj personit nën hetim Z.M. masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.