EMISIONI VETTING
Armand Kullau- “Ne s’kemi hyrë ende brenda, shtëpia e re kjo është, por halli është që çatia rrjedh. Shi, edhe ka pikuar! Kur ka rënë shi, që pikojnë të gjithë brenda!” tha për “Vetting” Nexhmie Halili, banore nga fshati Sinaballaj i Bashkisë Rrogozhinë.
Nexhmia Halili nuk është e vetmja banore që kompania private nuk i ka përfunduar shtëpinë dhe rri në kasolle, por ajo ka rastin më të rëndë sepse shtëpia e re, kur bie shi, çatia rrjedh. Pra, kompania nuk ka bërë punime cilësore, ndërkohë që Bashkia e ka lejuar firmën të kryejë punimet në një kohë që nuk ka patur licencë profesionale.
“Problemi jonë është këtu se ne na u dëmtuan shtëpitë nga tërmeti dhe fituam këtë ndërtesën për shtëpi te re. Edhe një firmë tani që mori përsipër këto, na i shembi shtëpitë që ishin dëmtuar shumë rëndë nga tërmeti edhe i la punimet përgjysmë”, tha për “Vetting” Ledi Sula, njëri nga banorët të cilit i ka ngelur shtëpia pa përfunduar, ashtu si Nexhmia.
Në fakt, rasti i Bashkisë Rrogozhinë zbulon një skemë mashtrimi, ku përgjegjësinë kryesore e ka vetë institucioni që ka lejuar një kompani pa licencë të ndërtojë shtëpitë e banorëve në fshatin Sinaballaj.
“Kërkoj shtetit të na bëjë shtëpitë edhe kaq. I kanë lënë përgjysmë. Lekët i morën ata, le të bëjnë shtëpitë. Ngaqë është muhabeti që shtëpitë të mbarojnë, çelësat në dorë, me dyer, me pllaka, me të gjitha, edhe çelësat në dorë. Ngelëm tani me nënën, përgjysmë”, u shpreh e shqetësuar Nexhmie Halili, e cila pret në ankth se kur do të strehohet.
Edhe pse Kryetari i Bashkisë Rrogozhinë, Edison Memollaj u kishte premtuar banorëve se do tu siguronte shtëpi të reja, skema e rindërtimit me grante individuale do të rezultonte në një skemë mashtrimi, ku përgjegjësi nuk mban askush.
Historia e kompanisë pa licencë që mori përsipër Rindërtimin
Në fakt e gjithë historia e Rindërtimit me grante individuale në njësinë administrative Sinaballaj të Rrogozhinës ka filluar në 30 mars 2023, kur administratorja Arta Danaj do të regjistronte kompaninë “Duka Tr Construction” me veprimtari në fushën e ndërtimit në kryeqytet.
Këtu do të nisnin edhe dyshimet e para sepse për të realizuar një projekt si Rindërtimi, do të duhej eksperienca dhe realizimi i disa punimeve të tjera. Madje duke parë që banorët ishin të pastrehë, këto punime duheshin kryer sa më shpejt për të shmangur bonus qiratë dhe për t’i akomoduar banorët në shtëpitë e reja.
Një element thelbësor që del nga dëshmitë e banorëve është fakti se përfaqësuesit e kompanisë ndërtuese u janë paraqitur atyre duke deklaruar se firma ishte “e zgjedhur nga bashkia”.
“Kjo çështje është pak e ngatërruar. Firma na ka ardhur, na ka kontaktuar, na tha ne kemi marrë shtëpitë e tërmetit dhe ne firmosëm kontratat”, deklaroi për “Vetting” Ledi Sula.
Sipas ligjit, bashkia nuk zgjedh dhe nuk ndërmjetëson kompaninë ndërtuese në këtë rast. Ligji është ndërtuar në mënyrë të tillë që paratë t’i jepen banorit, ndërsa vendimi se me kë do të ndërtojë shtëpinë i takon vetë përfituesit. Kontratat private dhe mënyra si kanë rrjedhur veprimet në terren ngrenë pikëpyetje për rolin real të zyrave vendore në informimin dhe orientimin e banorëve gjatë procesit. Kjo do të thotë se banori mban rrezikun, sepse banori ka bërë zgjedhjen.
Në skemën e grantit individual, Bashkia shfaqet me rol administrativ dhe verifikues, ndërsa marrëdhënia me kompaninë ndërtuese formalizohet nga vetë banori me kontratë private.
Ky fakt bie në kundërshtim me qëllimin e skemës së grantit individual, e cila bazohet në zgjedhjen e lirë të operatorit nga përfituesi dhe në mosndërhyrjen e bashkisë në marrëdhënien private. Nëse ky prezantim ka ndodhur me dijeninë ose tolerimin e strukturave bashkiake, atëherë skema e grantit, edhe pse formalisht e ligjshme, është deformuar në zbatim.
Për të zbuluar më shumë, “Vetting” kontaktoi administratoren e kompanisë “Duka Tr Construction” Arta Danaj për ta pyetur në lidhje me këtë pikë.
“Nuk më ka zgjedhur Bashkia Rrogozhinë, kam patur marrëdhënie vetëm me individët”, u shpreh për “Vetting” administratorja Danaj.
Përsa i përket deklaratave të banorëve që ishte prezantuar si kompani që do merrej me Rindërtimin në Sinaballaj, për “Vetting” Danaj tha se nuk ishte në dijeni se çfarë thonë banorët.
“Unë kam patur marrëdhënie vetëm me individët, nuk kam pasur asnjëherë marrëdhënie që të më ketë zgjedhur Bashkia”, u shpreh administratorja Danaj duke mohuar se ishte përzgjedhur nga Bashkia Rrogozhinë.
Edhe pse bashkia Rrogozhinë “lan” duart nga skema e grantit individual, përsëri roli dhe përgjegjësia për problemet që u kanë ndodhur banorëve ngelen mbi institucionin që drejtohet nga Edison Memolla. Ky i fundit është nën akuzë nga SPAK për shpërdorim detyre dhe Gjykata e Posaçme e ka dënuar me një vit heqje lirie dhe e ka ndaluar që për 5 vite të ushtrojë funksione publike. Avokati i kryebashkiakut ka deklaruar se do ta apelojë vendimin.
Teksa kryetari i Bashkisë Rrogozhinë ka probleme me SPAK-un, banorët e njësisë administrative Sinaballaj thonë se kanë mbetur në qiell të hapur dhe dyshojnë për mënyrën si është zhvilluar procesi. Në 14 shkurt 2024, Memolla do të firmoste kontratat individuale me banorët e Sinaballaj, të cilët kishin detyrimin që me fondet e marra të realizonin banesat sipas formatit të përshkruar nga Bashkia Rrogozhinë.
Disa ditë më pas, në fund të shkurtit 2024, këta banorë do të firmosnin kontratat me kompaninë “Duka Tr Construction” në pronësi të Arta Danaj.
Këto kontrata janë akte private, të noterizuara, ku bashkia nuk figuron si palë kontraktuese dhe në to parashikohet që kompania ndërtuese të kryejë punimet e rindërtimit kundrejt shumës së grantit të përfituar nga banori.
Sipas dokumenteve evidentohet se fondet janë shpërndarë nëpërmjet dy fazave, përkatësisht 60% në fillim dhe 40% pas verifikimit të përfundimit të karabinës ose të fazës përkatëse të ndërtimit. Por kryerja e pagesave nëpërmjet kësteve kushtëzohet nga verifikimet e strukturave të bashkisë, të cilat duhet të analizojnë progresin real të punimeve. Kontratat e grantit parashikojnë gjithashtu detyrimin e bashkisë për mbikëqyrje dhe të drejtën për të kërkuar kthimin e fondeve dhe aplikimin e penaliteteve në rast mospërmbushjeje.
Në fakt, që nga fillimi Bashkia e drejtuar nga Edison Memolla ka lejuar që kompania pa licencë profesionale, të shemb dhe rindërtojë banesat në shkelje të ligjit. Duke certifikuar fazat e punimeve dhe duke lejuar disbursimin e granteve publike, institucioni ka dështuar në detyrimin ligjor të mbikëqyrjes dhe kontrollit të procesit të rindërtimit.
Sipas regjistrave zyrtarë të shoqërive të zbatimit për punime ndërtimi, ‘Duka Tr Construction’ nuk rezulton i listuar në këto dokumente.
Pyetjes së “Vetting” se mbi ç’bazë ligjore ka lidhur kontrata ndërtimi me banorët, administratorja Danaj u përgjigj duke thënë se për banesat një katëshe nuk është konditë.
“Për ndërtimin 1-katësh nuk është konditë ligjore. Unë kam një inxhinier aty, që e le që ndjek punimet”, tha juristja Danaj.
Edhe pse i sollëm në vëmendje parashikimet e ligjit, administratorja e kompanisë këmbënguli se për ndërtimin e godinave një katëshe nuk është konditë.
“Unë kam teknik ndërtimi, inxhinier ndërtimi që e kam paguar atëherë dhe ka ndjekur punimet”, u shpreh administratorja e “Duka Tr Construction”.
Por kompania ka shkelur ligjin duke marrë përsipër punime rindërtimi pa qenë e pajisur me licencë profesionale për zbatim punimesh ndërtimi. Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 42, datë 16.01.2008 parashikon se punimet e ndërtimit kryhen vetëm nga subjekte të licencuara, pa përjashtim për banesa njëkatëshe apo rindërtim pas tërmetit. Po ashtu, ligji nr. 107/2014, neni 45 përcakton se punimet e ndërtimit dhe zbatimi i lejes së ndërtimit mund të kryhen vetëm nga subjekte të licencuara. Marrja përsipër e kontratave të rindërtimit nga një subjekt që nuk figuron në Regjistrin e Shoqërive të Zbatimit përbën shkelje nga ana e kompanisë.
Administratorja Danaj nuk mohoi problemet e shtëpisë së re që kishte Nexhmie Halili, e cila ankohej për çatinë e shtëpisë.
“Gazetari: Po mirë, çeshtja e zonjës Nexhmie Halili?
Administratorja Arta Danaj: Nexhmia ka vetëm dyert dhe dritaret dhe ia kam porositur unë dhe do t’ja sjell.
Gazetari: Pra, nuk e keni përfunduar atë si projekt?
Administratorja Arta Danaj: Vetëm dyert edhe dritaret ka dhe është në përfundim ajo.
Gazetari: Por kur do mbarojnë punimet e Nexhmies?
Administratorja Arta Danaj: Brenda një muaji do ti përfundojmë, i kam porositur unë dyer dhe dritare në varësi të atij djali që bën dyer dhe dritare.
Gazetari: A e dini që shtëpia e Nexhmies ka probleme me çështjen e soletës me ujin, me shirat?
Administratorja Arta Danaj: E kam rregulluar njëherë unë, e kam izoluar dhe do e izolojë prapë. Ka ndodhur nga betoni, unë nuk e di, por do ta izoloj përsëri.
Gazetari: Këto të tjerat sipas jush keni patur probleme me këtë zotërinë, po me çështjen e Nexhmies, pse është zvarritur kaq gjatë procesi kur i keni marrë pagesat?
Administratorja Arta Danaj: Nga borxhet që u ndërtuan nga Tomori, që u mori lekët, unë kam bërë një pjesë të ndërtimeve të tjerëve dhe i kam zvarritur… i kam zvarritur se i kam bërë një cikë ngadalë.”


