Sulmet e qëllimshme ndaj sipërmarrjes në vend, në disa raste tejkalojnë kufijtë e absurditetit.
Kjo ka ndodhur në rastin e “Prestige Resort” në Golem, resortit turistik i cili u hodh në erë nga shteti, në dhjetor të vitit 2022.
Por nuk mjaftoi kaq. “Prestige Resort” mund të jetë rasti i vetëm në botë, kur një biznes “gjobitet” 3 vite pasi ka pushuar së ekzistuari.
Në aktin më të fundit, të sulmeve vijuese ndaj bizneseve të “Hysenbelliu Group”, drejtoria VIP e Tatimeve ka gjobitur “Prestige Resort” me 4 milionë euro.
Kjo gjobë e paligjshme u gatua nga drejtoresha e Tatimpaguesve të Mëdhenj, Estela Dura dhe ushtari i saj i bindur, Olsi Kuca.
Pas një kontrolli tatimor, i cili në shkelje të çdo ligji dhe rregulli zgjati plot 2 vite,
dhe në dëshpërim të mosgjetjes së shkeljeve, kjo dyshe shpiku një detyrim të paqenë, prej 4 milionë euro, në emër të shoqërisë Erjoni Sh.P.K.
Kjo gjobë vendoset fill pas pushtimit që iu bë grupit mediatik News24 dhe Panorama Group nga shteti.
Të gjobisësh një resort, pasi i ke prishur me tritol pishinat dhe i ke shembur hotelin është njësoj sikur të vrasësh dikë dhe t’i vendosësh gjobë 3 vite pas vdekjes.
Por, Dyshja Estela Dura-Olsi Kuca janë zbatues të verbër të urdhrave politikë. Me gjasë, ata e kanë marrë vendimin, që përpara se të nisnin kontrollin tek subjekti Erjoni Sh.P.K.
Ky akt i fundit i drejtorisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj, është vetëm episodi i radhës në vazhdë të sulmeve shtetërore ndaj “Prestige Resort”.
Më herët, Institucionet shteterore kanë vendosur më shumë se 13 milionë euro gjoba, për atë që dikur vetë ato e çertifikuan si “perla e turizmit” në Adriatik.
Për të gjitha këto gjoba të paligjshme, Erjoni Sh.P.K. ka vendosur ta kërkojë të drejtën në rrugë ligjore, me besimin se drejtësia vonon, por nuk harron dhe me shpresën se frymëzuesit dhe zbatuesit e kësaj hakmarrjeje, do të përgjigjen një ditë përpara ligjit.