Shqipëria ka dy televizione të mëdha që ndajnë mes tyre pjesën më të madhe të audiencës dhe të ardhurave nga reklamat, ndërsa të gjitha ekranet e tjera bashkë ndajnë atë që mbetet, duke u përpjekur për mbijetesë.
Problemet e medias sonë janë të shumta, duke nisur nga qëllimi për të cilin funksionojnë: për informim, edukim, argëtim apo përfitim për pronarët si mjet propagande dhe sulmi në shërbim të pushtetit apo opozitës. Përgjigjja është se ekzistojnë kryesisht për përfitime, të cilat janë më të lehta se zgjedhja tjetër – logjika e tregut – ku media private është biznes që duhet të jetë me fitim, por njëkohësisht të ruajë parimet e gazetarisë.
Kjo është një çështje njëkohësisht e lehtë dhe e vështirë për t’u zgjidhur: e lehtë nëse i hiqet presioni politik, joshjet dhe ndërhyrjet, duke mbajtur distancën e nevojshme etike; por e vështirë nëse ky parim themelor merret si një naivitet apo si një koncept i tejkaluar.
Për ta ilustruar këtë, mjafton të shohim se si ka nisur sezoni i ri televiziv në ekranet shqiptare, ku dallohet qartë se kriza e medias vetëm sa është përkeqësuar. Sigurisht, për shkak të shtrembërimit të parimit bazë: nuk i merr paratë nga tregu, por nga qeveria. Ka edhe raste kur i merr nga të dyja, por në fund të ditës gjithçka vjen nga shërbimet që i bëhen pushtetit. Ky moment i mediave private do të vazhdojë gjatë dhe modeli i ndërtuar prej tre dekadash nuk do të ndryshojë dot brenda pak vitesh — aq më tepër që e njëjta gjë po ndodh edhe në Europë dhe në SHBA.
Ndryshimi i vërtetë lidhet me transmetuesit publikë, funksionimin e të cilëve e paguajnë qytetarët. Në botë, televizionet publike janë një frymëmarrje në mes të interesave ekonomike të pronarëve dhe lidhjeve me politikën. Fatkeqësisht, edhe RTSH tek ne është parë si pronë e pushtetit dhe jo e publikut; si vend ku merret paga duke bërë edhe ndonjë punë, ku pritet pensioni, dhe ku abuzohet me paratë e taksapaguesve pa u vënë një tullë në 35 vite.
Po a mund të normalizohet RTSH-ja?
Për një kohë të shkurtër dhe për transformime të mëdha – jo.
Por hapa drejt përmirësimit ka.
Në sezonin e ri televiziv, që duket se do të jetë më i varfër për audiencën dhe më i vështirë për vetë punonjësit e mediave në përgjithësi, të paktën ekrani i RTSH duket më i pastër dhe më normal, duke shmangur amatorizmin dhe atmosferën jo qytetare të viteve të fundit. Drejtues të testuar në mediat private, si: Alba Alishani, Flor Gjini, Krist Martiro, të ftuar më të shumtë në numër dhe mbi të gjitha përmbajtje që vjen nga ngjarjet e ditës duke bërë më në fund gazetari — janë një hap i vogël, por që jep shpresë se rënia e lirë e RTSH 1 nuk do të vazhdojë më tej.
Nga ana tjetër, pagat e ulëta të gazetarëve dhe punonjësve të RTSH prej vitesh kanë qenë në kontrast me stafet e projekteve të ardhura nga jashtë. Me parimin se projektet televizive ndaheshin për “qoka”, influencë politike dhe përfitime financiare, prodhimet e sezoneve të fundit e kishin kthyer RTSH 1 në thjesht një numër që duhej kaluar në telekomandë.
Emisionet e këtij sezoni, në pjesën më të madhe, nuk janë më projekte të jashtme. Nuk ka më pagesa të fryra që dikur ndaheshin për miqtë, por pagesa normale në logjikën e tregut. E njëjta gjë vlen edhe për serialet e transmetuara dhe ato që janë lajmëruar, ku dallohet një përzgjedhje me shije dhe profesionalizëm.
Megjithatë, këto janë vetëm hapa të vegjël. Problemet e mëdha strukturore mbeten: kushtet mizerabël të punës për shkak të abuzimit me fondet, pagat e ulëta, borxhet prej 7 milionë eurosh për mosshlyerjen e kontratave me institucione e kompani private vendase dhe të huaja, mungesa e financimeve, fryrja e numrit të punonjësve deri në 1200 vetë dhe, mbi të gjitha, mungesa e një reformimi real që ta fusë këtë institucion në logjikën e tregut.
Heqja e të drejtës së RTSH për të transmetuar ndeshjet e Kombëtares apo kampionatin kombëtar është njësoj si t’i hiqet Festivali Kombëtar; ndaj kthimi i ndeshjeve të Kombëtares së Futbollit duhet të jetë një prioritet për drejtuesen e re të RTSH-së.
Nga ana tjetër, ndryshe nga drejtuesit e mëparshëm që vinin e shkarkonin në masë punonjës, pas ardhjes së Eni Vasilit nuk ka pasur largime nga puna, përveç rasteve të shkeljeve të ligjit dhe në përputhje me Kodin e Punës. Normaliteti është vetëm një shpresë — por një shpresë që, më në fund, po duket reale./ Dosja.al