Rezultati i dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit edhe pse ende nuk është certifikuar, duket se ua ka lehtësuar tri partive kryesore në vend dilemën e zgjedhjeve të ardhshme lokale për kryeqytetin dhe ka treguar vullnetin e qytetarëve për Prishtinën. Lumir Abdixhiku është më i votuari në kryeqytet pas Vjosa Osmanit. Për Vetëvendosjen do të jetë më e lehtë që të përcaktohet për Arben Vitinë si kandidat, edhe për faktin se është më i votuari pas Kurtit në Prishtinë, por edhe për arsyen se ka shërbyer si drejtor i Shëndetësisë në kryeqytet. Ndërkohë për PDK’në e Veselit, kandidimi i Urani Ismailit për kryetar të Prishtinës, potencialisht mund të sjellë një rezultat pozitiv, duke qenë se ministri në detyrë i Shëndetësisë është më i votuari në kryeqytet dhe në nivel vendi renditet pas Kadri Veselit. Nëse krahasohen me vota tre kandidatët, atëherë Abixhiku në nivel vendi ka dukshëm vota më shumë se të tjerët.
Besnik VELIU
Deri në dhjetorin e vitit 2013, Prishtina është njohur si bastion i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Një mit i tillë ishte thyer në zgjedhjet e parafundit lokale, kur Vetëvendosje më Shpend Ahmetin si kandidat e kishte mposhtur LDK’në dhe Isa Mustafën i cili deri në atë kohë kishte qeverisur me kryeqytetin. E sa herë që mbahen zgjedhje, qoftë nacionale apo lokale, të gjitha partitë politike në vend synojnë që të dalin mirë më vota në kryeqytet.
E në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit, përveç konkurrencës mes partive, është vërejtur edhe një ‘luftë’ mes kandidatëve për deputetë brenda të njëjtit subjekt politik, sidomos sa i përket rezultatit që do të marrin në Prishtinë.
Sipas rezultateve preliminare të nxjerra nga KQZ’ja dhe shifrave që i posedojnë vetë partitë politike, 6 tetori si duket ua ka përcaktuar matematikat tri partive kryesore politike ne vend se me cilët kandidatë do t’ia mësyjnë marrjes së pushtetit në kryeqytet në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe kanë treguar se cili është vullneti i sovranit.
Lidhja Demokratike e Kosovës
Partia që drejtohet nga Isa Mustafa ka disa vite që synon rikthimin e pushtetit në kryeqytet. Herë në zgjedhje lokale e herë në qendrore, megjithatë pa sukses. E për të përmbysur rezultatin në Prishtinë, kjo parti kishte tentuar edhe në zgjedhjet e 6 tetorit duke vendosur që kandidatë për deputetë nga Prishtina t’i nominonte tre top-emra. Ish-pretendentin për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashin, djalin e Xhemal Mustafës, Besianin, e ish-deputetin Lumir Abdixhiku.
Votat që kanë marrë këta tre emra në Prishtinë dhe në nivel vendi, ia kanë bërë më të lehtë LDK’së që të përcaktohet rreth dilemës se kush duhet të jetë kandidat i ardhshëm për kryetar të Prishtinës.
Ish-deputeti Lumir Abdixhiku është njeriu më i votuar në Prishtinë menjëherë pas kandidates për kryeministre, Vjosa Osmanit. Eksperti i ekonomisë ka marrë mbi 10 mijë vota në kryeqytet, duke lënë kështu dukshëm mbrapa Arban Abrashin i cili e kishte shijuar një herë humbjen në kryeqytet e që ka marrë rreth 6 mijë vota, dhe Besian Mustafën i pa sprovuar ndonjëherë në gara zgjedhore kokë më kokë që për nga numri i votave nuk dallon shumë nga Abrashi.
Një diferencë e tillë me vota vërehet edhe në nivel të përgjithshëm ku Abdixhiku është renditur i katërti me 29 mijë e 363 vota. Besian Mustafa është i gjashti me 18 mijë e 323 vota, ndërkohë Arban Abrashi renditet i 9-ti me 14 mijë e 113 vota, gjithmonë bazuar në rezultate preliminare.
Lëvizja Vetëvendosje
Pas ndarjes, partisë së Kurtit një numër i madh i njerëzve i kanë ikur në PSD, përfshirë këtu edhe kryetarin aktual të Prishtinës, Shpend Ahmetin, me të cilin VV’ja kishte mposhtur dy herë radhazi LDK’në. Dhe në këto zgjedhje nacionale i është dashur patjetër që të testojë një emër të ri, i cili potencialisht do të jetë edhe kandidat i ardhshëm i partisë së Kurtit për të rimarrë qeverisjen në kryeqytet.
Ndonëse pa ndonjë konkurrencë të vërejtur brenda partiake, Arben Vitia, është kandidati që ka marrë më së shumti vota në kryeqytet pas Albin Kurtit. E një rezultat i tillë duket që vetëm ia ka lehtësuar partisë fituese që qysh tash të përgatit terrenin për kandidimin e ish-drejtorit të Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës dhe koordinatorit të qendrës së VV’së në kryeqytet, Arben Vitisë.
Vitia në zgjedhjet e 6 tetorit vetëm në Prishtinë gjithmonë sipas rezultateve ende të pa konfirmuara ka marrë diku rreth 10 mijë vota, ndërkohë në nivel të përgjithshëm renditet në top dhjetëshen e Lëvizjes Vetëvendosje me afro 22 mijë vota. Megjithatë vetë Vitia thotë se ende nuk ka informacione zyrtare se sa vota ka marrë.
Partia Demokratike e Kosovës
Edhe përkundër faktit se në Prishtinë asnjëherë që nga paslufta nuk kanë marrë rezultat të mirë, partia e Kadri Veselit në zgjedhjet e 6 tetorit ka hyrë “all-in” në kryeqytet. Emrat kryesor të cilët sillen rreth kreut të partisë, Uran Ismaili, Abelard Tahiri e Memli Krasniqi, kanë qenë kandidat për deputetë nga Prishtina, megjithatë më i votuari ka dalë ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismaili.
Vetëm në Prishtinë, Ismaili ka marrë 6 mijë e 700 vota, ndërkohë në nivel nacional është njeriu i dytë më i votuar pas Kadri Veselit më 28 mijë e 200 vota, me diferencë prej 10 mijë votash nga Mergim Lushtaku i cili renditet i treti. Abelard Tahiri e Memli Kransiqi renditën më poshtë.
Nga dhjetë kandidatët e PDK’së për deputetë nga Prishtina, pesë kanë arritur që të bëhen deputetë. Përveç Ismailit, Krasniqit e ish-ministrit Tahiri, deputete është bërë edhe Eliza Hoxha dhe Ariana Shoshi.
LDK vs VV vs PDK
Rezultati i marrë në Prishtinë nga tre kandidatët e tri partive, tregon pak a shumë së lufta potenciale në zgjedhjet e ardhshme lokale do të jetë në mes të Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Lumir Abidixhiku dhe Arben Vitia janë fyt më fyt sa u përket votave që kanë marrë në kryeqytet, dhe nëse shikohet prapa në garën për Prishtinën, kreu i ri i Prishtinës me shumë gjasë nuk do të mund të konfirmohet qysh në raundin e parë të zgjedhjeve.
Ndërkohë Uran Ismaili sipas numrit të votave që ka marrë, do të jetë në garë për kryetar megjithatë trendi tregon që do ta ketë të vështirë që të bëjë ndonjë përmbysje, shikuar edhe historikun e PDK’së në Prishtinë, që nuk ka arritur të marr rezultat pozitiv që nga viti 2000.
Rezultati i 6 tetorit do të përdoret nga partitë në zgjedhjet e ardhshme lokale
Njohësi i procesit zgjedhor, Blerim Vela, në një përgjigje për Gazetën Express, thotë se është e natyrshme që partitë politike të përdorin rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit si orientim për lokalet e 2021-ës.
“…duke marrr parasysh rezultatin jashtëzakonisht të dobët zgjedhor të PSD’së dhe kandidatëve të saj të nominuar për zgjedhjet e 6 tetorit- ku përfshihet edhe kryetari i Prishtinës, është e natyrshme që të pritet se partitë tjera (LVV, LDK dhe PDK) të përdorin rezultatin e kandidatëve të tyre në Prishtinë, për të promovuar personat që mund të jenë kandidatë për kryetar të Prishtinës” ka thënë Vela.
I pyetur për emrat veç e veç, Vela thotë se bazuar në rezultat pritet që gara për Prishtinën të zhvillohet në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, përkatësisht Lumir Abdixhikut dhe Arben Vitisë.
Madje sipas Velës Abdixhiku e Vitia mund të angazhohen në pozita ekzekutive në qeverinë e re, për ta dëshmuar veten me punë, në mënyrë që më pas të kenë se me çfarë ta kërkojnë votën e kryeqytetasve.
“Parimisht kandidatët nga LVV dhe LDK duket se do janë të favorizuar në garën për të parin e Prishtinës. Së pari, për shkak se në Prishtinë këto dy parti kanë shumicën absolute ( mbi 2/3-tat) të mbështetjes qytetare, ndërsa mbështeta e PDK’së është nën 15%. Se dyti nëse kandidatët që kanë performuar mirë në zgjedhjet e 6 tetorit, pra Arben Vitia dhe Lumir Abdixhiku, emërohen në pozita ekzekutive në qeverinë e re, kanë mundësi të mirë të dëshmojnë veten para votuesit të Prishtinës në menaxhimin e institucioneve dhe parasë publike”, ka shtuar tutje Vela për Express.
Sipas tij fakti që LDK dhe VV do të jenë në qeverinë e re i favorizon Abdixhikun dhe Vitinë, megjithatë sipas Velës nuk mund të injorohet Uran Ismaili, ekipi i të cilit me gjasë do të ketë dy vjetë kohë për t’u përgatitur për garën e Prishtinës.
“Në këtë aspekt, Arbeni dhe Lumir mund të jenë të favorizuar në garën për kryetarin e Prishtinës. Ndonëse, PDK duke mos qenë në qeverisje, ka mundësi që tërësisht t’i dedikohet përgatitjes së garës zgjedhore për Prishtinë. Në këtë aspekt Uran Ismaili me ekipin e tij pres që të jenë më aktiv për temat që prekin qytetin dhe komunën e Prishtinës. Natyrisht, nuk përjashtohet mundësia që disa parti të bashkohen rreth kandidaturës së këtyre kandidatëve apo ndonjë figure të re që të jenë më të konkurrueshëm në zgjedhjet komunale të vitit 2021”, ka përfunduar Blerim Vela./GazetaExpress/




