Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka reaguar pas raportimeve se gjyqtarja Elsa Ulliri mund të jetë tërhequr nga çështja penale ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi dhe të pandehurve të tjerë në dosjen e njohur si “Partizani”.
Në një njoftim zyrtar, gjykata bën të ditur se çdo informacion lidhur me kërkesën për dorëheqje dhe vendimmarrjen përkatëse do të jepet në seancën gjyqësore të datës 21 korrik 2025, ora 10:30.
“Në këtë seancë, trupi gjykues do të relatojë nëse është paraqitur ndonjë kërkesë për dorëheqje nga gjyqtarja, si dhe do të komunikohet çdo vendim i marrë nga titullari i gjykatës, në rast se ka një të tillë,” thuhet në njoftimin zyrtar të shpërndarë nga gjykata me porosi të zëvendëskryetarit, Erion Bani.
Ndërkohë, mësohet se gjyqtarja Ulliri ka paraqitur një kërkesë dorëheqjeje rreth 10 ditë më parë tek drejtuesi i GJKKO, duke argumentuar se është kushërirë me deputeten demokrate Andia Ulliri, e cila është e përfshirë në çështjen penale dhe përfaqësohet në proces përmes avokatit të saj.
Njoftimi i plote i GJKKO
Nisur nga interesi i lartë nga ana juaj për t’u informuar nëse gjyqtarja Elsa Ulliri ka paraqitur kërkesë për dorëheqje nga çështja penale në ngarkim të të pandehurve Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, etj…, me porosi të Zëvendëskryetarit të Gjykatës Z. Erjon Bani, ju bëjmë me dije se lidhur me këtë pjesë do të informoheni në seancën gjyqësore të rradhës, datë 21.07.2025, ora 10:30, ku trupi gjykues do të relatojë në seancë nëse është paraqitur ndonjë kërkesë e tillë si dhe vendimmarrja e titullarit, në rast se ka pasur vendimmarrje.