Ish-ambasadori dhe diplomati i karrierës në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore, njohës shumë i mirë i zhvillimeve në Ballkan, ka folur për masën non grata që SHBA i ka vendosur kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Ai tha se programi i non gratës së SHBA-ve ka disa probleme kyçe lidhur me pamjaftueshmërinë e provave.
“ Fatkeqësisht, në opinionin tim personal, ka pasur disa probleme kyçe me këtë legjislacion. E para është pikërisht barra e provës. Këto sanksione kërkojnë fakte, detaje, argumente ligjorë dhe transaksione financiare që bllokohen si nga SHBA, por edhe nëpërmjet SHBA-ve. Këto sanksione, përmes Departamentit të Shtetit, prezantuar në vitin 2018, duket se mbështeten kryesisht nga akuzat për korrupsion.
Pra, personi i parë i ka thënë personit dy, që i tha ambasadës që dikush është i korruptuar. Pastaj, ka pasur edhe një nxitim për t’i vënë disa njerëz nën sanksione. Zoti Berisha nuk është i vetmi në Shqipëri dhe subjekt i këtyre sanksioneve”, tha Moore.
Ai tha se sanksionet ndaj Berishës janë vendosur pa prova konkrete.
“Ky legjislacion që krijoi këtë tip sanksioni u themelua gjatë administratës së parë Trump në vitin 2018 dhe ishte një përpjekje për të gjetur një mënyrë më efeciente për të vënë sanksione mbi njerëz të akuzuar për korrupsion”, tha Moore në një intervistë për A2 CNN.
Ai vlerësoi se programi për shpalljen “non grata” të politikanëve ka shumë të meta dhe duhet të rishikohet.
“Mendoj se është një pyetje serioze që duhet ngritur sa i përket vlefshmërisë së sanksioneve dhe përmbajtjes së “dëshmive”.
Meqënëse kjo ka ndodh në vitin 2018 dhe tani jemi 7 vite pas dhe ka shumë njerëz në botë që janë në atë listë që nuk janë marrë nën hetim asnjëherë. Dhe ngrihet pyetje serioze për sa i përket vlefshmërisë së sanksioneve. Sigurisht që ato mund të sfidohen dhe një problem i dytë me këtë legjislacion është që nuk ka një proces kundërshtimi apo për të parë nëse dikush ka dhënë kontribut pozitiv në interes të SHBA-ve”, vijoi ai më tej.
Ambasadori Moore shprehet se tashmë parlamenti i ri shqiptar ka fuqinë që të ndërhyjë në Uashington lidhur me heqjen e “non gratës” për Berishën.