Kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edi Paloka zbuloi sot në emisionin Kjo Javë në News24 me moderatore Nisida Tufën, nëse do të pranonte që të kandidojë përballë socialistes, Ogerta Manastirliu, për drejtimin e Bashkisë Tiranë.
Paloka u pyet nëse do të pranonte të garonte përballë Ogerta Manastirliut, e cila është një nga emrat kryesorë të mazhorancës për të drejtuar Bashkinë e Tiranës.
“Mund të duket e çuditshme përgjigja ime, por po të më thonin, edhe do ta mendoja, po. Do ta mendoja,” – u shpreh Paloka.
Ai shtoi se pavarësisht vështirësive në garën politike në vend, opozita duhet të marrë pjesë në zgjedhje, edhe kur ato zhvillohen në kushte të pabarabarta.
“Kushdo që të jetë kandidati, me Ramën nuk ka zgjedhje reale. Por përderisa kemi vendosur të hyjmë në gara edhe në këto kushte, dikush duhet të dalë”, tha Paloka.
Edi Paloka: Unë mund të duket e çuditshme përgjigja, por po të më thonin edhe do ta mendoja, po. Do ta mendoja. Një garë që në kushtet që jemi, kush do që të jetë kandidati me Ramën nuk ka zgjedhje, por për deri sa ne kemi vendosur të hymë nëpër gara edhe në këto kushte sigurisht dikush do të dali. Po të më thonë nese do vijë puna që duhem unë, do ta mendoja.
Lexo edhe: VIDEO/ Edi Rama shpall Ogerta Manastirliun si kandidate për kryetare të Bashkisë së Tiranës
Kujtojmë se dje (19 shtator) kryebashkiaku Erion Veliaj bëri kërkesë për të qenë i pranishëm në Këshillin Bashkiak, që do të mblidhet për shkarkimin e tij nga posti.
Veliaj, i cili ndodhet në qeli prej datës 11 Shkurt, ka kërkuar të jetë i pranishëm për një proces të rregullt ligjor.
“Kjo masë nuk ka izoluar vetëm qytetarin Erion Veliaj, por ka paralizuar qeverisjen e kryeqytetit, duke lënë pa drejtues të zgjedhur mbi 1 milion qytetarë të Tiranës”, shkruan Veliaj në letrën e tij.
Ai thekson se masa e sigurimit personal nuk përbën një vendim përfundimtar fajësie dhe se shkarkimi i tij në këtë fazë do të përbënte një tjetër shkelje të Kushtetutës nga pushteti vendor.
“Mungesa e imponuar nga një masë paraprake nuk është mungesë e vullnetshme, por një precedent i rrezikshëm për qeverisjen vendore”, shton ai.
“Mandati nuk më ka mbrojtur mua, përkundrazi, është arsyeja pse unë sot jam i izoluar. Por ai më detyron të mbroj kontratën katërvjeçare që qytetarët kanë firmosur me votën e tyre”, shkruan Veliaj ndër të tjera.
Në fund të letrës, Veliaj kërkon që t’i garantohet e drejta për të qenë i pranishëm dhe për t’u dëgjuar në mbledhjen e 23 shtatorit, duke e konsideruar këtë një të drejtë kushtetuese në kuadër të procesit të rregullt ligjor.