Shkruan: Hamzi Ibraimi
Para disa muajve u bë shkarkimi i kryetarit të Bashkësisë Islame në Maqedoninë e Veriut, z. Sulejman Rexhepit. Edhe pse ky shkarkim u bë larg syve të opinionit dhe pa asnjë paralajmërim, e gjithë kjo mbeti enigmë sepse njerëzit e tij më të afërt vendosën që ta shkarkojnë në mënyrë të heshtur dhe pa dhënë argumente konkrete në lidhje me shkarkimin e Sulejman Rexhepit. Por, në një mënyrë “tinëzare” dhe me një deklaratë e cila la shumë gjëra të pashpjegueshme, u shpall Reisi (kryetari) i ri i Bashkësisë Islame i cili lexoi deklaratën e shkruar nga vetë ai dhe duke e shpallur veten si ushtrues detyre. Përkundër të gjitha këtyre enigmave, ata nuk bënë asgjë për ta dëshmuar veten që nuk janë marionetë e ish-kryetarit të tyre që i qëndruan besnik.
Gjatë gjithë këtyre muajve, ushtruesi i detyrës me mbajtjen e postit nuk bëri asgjë për të treguar se është ndryshe nga ai që e shkarkuan, por vetëm sa ka treguar se si takohet me njerëzit dhe duke e luajtur “rolin e të fortit”.
Tashmë, në këtë institucion të fesë islame (BFI) janë shpallur zgjedhjet për të zgjedhur kryetarin e ri të këtij institucioni të muslimanëve por nëse ndalemi dhe e shikojmë se kush janë ata që kanë konkurruar në këto zgjedhje do të shohim se janë miqtë e Sulejman Rexhepit ose bashkudhëtarët e tij të cilët as nuk guxuan një herë të vetme që t’i thonë mjaft me këto skandale dhe mjaft e shkatërrove BFI-në, por çdoherë i kanë qëndruar besnik dhe në një farë mënyre i kanë bërë vetëm “amin” për çdo vendim që ka sjellë ish-kryetari i këtij institucioni.
Nëse shikojmë kushtet të cilat duhet t’i ketë kandidati për t’u zgjedhur si kryetar në këtë institucion, nuk e dimë a duhet të qeshim apo të qajmë, sepse ato janë shumë të mjerueshme.
Në kohën e Shtetit Osman, posaçërisht gjatë udhëheqjes së Sulltan Sulejmanit, nëse do t’u zgjidhje në postin imamit të një xhamie duhet të kishe këto kushte:
1. Të zotërojë gjuhën arabe, perse, latine dhe osmane
2. Të ketë njohuri krahasuese mbi Kur’anin, Biblën dhe Tevratin
3. Të jetë një shkencëtar i kualifikuar në ligjin dhe jurisprudencën hyjnore
4. Të ketë njohuri mbi fizikën dhe matematikën deri në një standard mësimor
5. Të mund të kalërojë, të njohë artet luftarake dhe rregullat e hedhjes së shigjetave
6. Të ketë pamje të mirë dhe të vishet mirë
7. Të jetë i pashëm dhe i martuar vetëm me një grua
8. Të ketë zë të bukur dhe melankolik
9. Të jetë në gjendje të njohë shkencat natyrore dhe anatominë.
Ndërsa kushtet për zgjedhjen e udhëheqësit të një bashkësie islame i cili duhet të zgjidhet dhe të përfaqësojë muslimanët e këtij vendi, janë katastrofë ku edhe pse thuhet se duhet të ketë përfunduar fakultetin teologjik, aty nuk përmendet nëse duhet të ketë përfunduar masterin dhe doktoratën, ose që të ketë punime shkencore, të dijë gjuhë të huaja, si p.sh. gjuhën arabe etj., si dhe të ketë njohuri të thella mbi fetë e tjera.
Kandidatura e tre personave që ishin në poste edhe në kohën e Sulejman Rexhepit, të cilët aspak nuk guxuan që ta kundërshtonin ish-kryetarin e tyre, e bënë zyrtare kandidaturën e tyre për postin e kryetarit por dyshimet dhe dilemat tash janë edhe më të mëdha.
Lind pyetja: “A qëndron Sulejman Rexhepi mbas këtyre tre kandidaturave apo qëndron ndonjë “dorë e fshehur”? Cili prej këtyre do të jetë dora e zgjatur e ish-reisit të kësaj bashkësie dhe cili nga këta do t’i “mbulojë gjynahet” e bashkudhëtarit të cilët e dëgjuan pa asnjë kundërshtim.
Muslimanët e Maqedonisë këtë herë duan që këta tre kandidatë të cilët do të garojnë për postin e kryetarit të Bashkësisë Islame në vendin tonë të organizojnë panele diskutimi me bashkësinë muslimane dhe zgjedhjet në këtë institucion të jenë të hapura, jo në mënyrë grupore dhe që kryetari i ri i këtij institucioni, i cili do të mbartë përgjegjësi të mëdha, të mos zgjidhet larg syve të opinionit.