Fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” do të rinisin brenda dhjetë ditësh. Lajmin e bëri me dije ministri i Infrastrukturës në Kosovë, Arban Abrashi.
“Po bëjmë përpjekje që brenda dhjetë ditësh të bëhet rifillimi i plotë i fluturimeve ndërkombëtare, duke respektuar plotësisht udhëzimet për masat e sigurisë për parandalimin e COVID-19 [sëmundjes që e shkakton koronavirusi], të lëshuara nga Agjencia Evropiane e Sigurisë së Aviacionit (EASA) dhe udhëzimet tjera nga Ministria e Shëndetësisë”, tha Abrashi.
Në Kosovë, gjithsej janë 1,263 raste të konfirmuara me COVID-19, ku prej tyre, 912 pacientë janë shëruar, ndërsa 31 kanë humbur betejën me virusin vdekjeprurës.