Një shpërthim afër një tubimi zgjedhor, në të cilin po merrte pjesë edhe presidenti afgan, Ashraf Ghani, i ka lënë të vrarë së paku 24 persona, ndërsa 31 të tjerë kanë pësuar lëndime. Presidenti nuk është në mesin e të lënduarve.
Ghani pritej të mbante fjalim në Charikar, kryeqytet i provincës Parëan, e cila shtrihet në pjesën veriore të Kabulit, kur ndodhi sulmi nga militantët.
“Në mesin e viktimave ka gra dhe fëmijë dhe duket që shumica e viktimave janë civilë. Autoambulancat janë ende në vendin e shpërthimit dhe numri i viktimave mund të rritet”, tha Abdul Qasim Sangin, kryetar i spitalit rajonal.
Një zyrtar i qeverisë lokale tha se sulmi është kryer nga një sulmues vetëvrasës, ndërsa një ndihmës i presidentit tha se lideri i shtetit ka shpëtuar pa lëndime.
Përgjegjësinë për sulmin nuk e ka marrë ende asnjë grup.
Komandantët talibanë janë zotuar se do t’i shpeshtojnë përleshjet me forcat qeveritare dhe ushtritë e huaja për ta penguar procesin e votimit në zgjedhjet presidenciale të 28 shtatorit, në të cilat Ghani do të garojë për mandatin e dytë pesëvjeçar, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.