Abdylmenaf BEXHETI
Nëse zgjedhjet do mbahen sipas agjendës së Përzhinos, jemi vetëm rreth 100 ditë para tyre. Për një dekadë të terë, pothuaj asnjë cikël i zgjedhjeve parlamentare nuk u realizua sipas dinamikës legale – në çdo 4 vjet, por gjithmonë kemi pasur zgjedhje, së paku një vit para kohe! Të gjitha këto cikle ishin si vullnet dhe tajming i tempuar sipas shumicës parlamentare me përjashtim të kësaj radhe kur ato imponohen nga rrethanat ,që u krijuan pas krizës së thellë politike me publikimin e “të vërtetës për Maqedoni”! Sado që mazhoranca, për efekte psikike dhe politike, deklarohet se ajo i imponoi këto zgjedhje, vetëm kësaj radhe me shumë bindje mund të themi se ajo më së paku i dëshiron ato. Prandaj shtjellimi i kësaj teme bëhet në këndvështrim të ofertave ekonomike, para së gjithash të koncepteve të tyre bazike.
Çka ofroi DPMNE-ja për një dekadë dhe çka realizoi, tanimë i kemi shumë të qarta. I “shijuam” dështimet e saj, posaçërisht ne shqiptarët! Asnjëherë si deri më tani për këtë çerekshekulli s’kemi qenë më të diskriminuar në esencë dhe në mënyrë permanente si në strukturë ashtu edhe në formë. Shtylla kryesore e programit ekonomik “Ripërtëritje në 100 hapa” e DPMNE-së është elaboruar disa herë përgjatë gjithë dekadës së sundimit tyre. Planifikonin rritje ekonomike 4-5-6% në vit dhe mesatarisht është realizua rreth 2% edhe atë vetëm statistikisht! Realitetin sot pas një dekade e ndjen çdo qytetar (përveç qeveritarëve) – ai është më i varfër, më i diskriminuar, më i përjashtuar, më i selektuar, më i okupuar dhe më i varur se kurrë deri më sot. Shtylla e dytë – “ulja e papunësisë statistikore” prej 37,8% në vitin 2006 në 25,5% në fund të 2015-ës është vetëm se një “spastrim statistikor” i qeverisjes deritanishme. Sipas teorisë ekonomike, që e trajton papunësinë dhe rritjen ekonomike (a.q. ligji i Artur Okunit), bile edhe teorikisht raporti është 1:3 dhe, simetrikisht me këtë, për ulje mbi 12% të papunësisë nevojitet rritje ekonomike mbi 36% në kushte të zero-shtimit natyror të popullsisë! Më shumë se 1/3 e popullsisë e ka braktisur vendin, më shumë se 40% të papunë janë moshat e reja (nga 24-34 vjeç) edhe atë kryesisht “të diplomuar” ose edhe “të magjistruar”, përfshi edhe mbi 200 “doktorë shkencash” të papunë! Prej punësimeve të reja për këtë dekadë vetëm një shifër është më e besueshme – ajo e punësimeve në administratën publike, shtetërore dhe kompanitë e agjencitë me pronësi publike (shtetërore) prej rreth 50 mijë punësimeve të reja, midis të cilëve edhe nja 1.500 shqiptare “të punësuar” në automatet e bankave dhe përgjatë fushatave elektorale. Deri në vitin 2011 edhe kishte një progres relativ të punësimeve shqiptare në sektorin publik, por në katër vjetët e fundit ky përpjesëtim relativ edhe është përkeqësuar, gjë që shumë herë është dëshmuar nga vetë qeveritarët shqiptarë, posaçërisht pas publikimit të “Analizës” paradoksale të “zbatimit” të MO! Shtylla e tretë, ajo e investimeve të huaja direkte, por edhe vendore, është më e ulëta në regjionin e Europës Juglindore (me rreth 200 mil. euro shumë mesatare vjetore), pra edhe përkundër shpalljes gati të 1/3 së territorit të shtetit si zona të lira ekonomike industriale dhe teknologjike. Një pjesë e tyre tanimë (si Xhonsons-at, Prodis-at,…e të ngjashme), pasi që shfrytëzuan të gjitha subvencionet dhe benificionet qeveritare, kanë vendosur edhe ta braktisin vendin dhe kanë miratuar “exit-strategjitë” e tyre!
Nëse këtu do t’i shtonim edhe aspektet e dyfishimit të borxhit publik, që u lihet barrë gjeneratave të ardhshme, si dhe dubiozave të krijuara fiskale dhe hendekut të zgjeruar në zhvillimet e pabarabarta regjionale, gjithnjë ne dëm të regjioneve shqiptare, sigurisht që lista e dështimeve bëhet edhe më bindëse.
Pa vazhduar më tej në detaje teknike, mjafton ta përmendim arsimin e shkatërruar mbi konceptet e “Oxfordit” ballkanik, që edhe sipas “Teorisë së grupeve dhe të mirave publike” (shih më gjerë librin “Logjika e Aksionit Kolektiv” të autorit Mankur Olson), në vend që të prodhojë “të mirën publike” gjeneroi “të keqen publike”, që do t’ia shohin sherrin gjeneratat që vijnë pas nesh! Shëndetësia e degjeneruar mbi konceptin e “koeficientit të inteligjencës mbimesatare” të politikëbërjes analfabete duket çdo ditë me raste eklatante të veçanta dhe të përgjithshme, që fatkeqësisht i pëson popullata e pambrojtur. Sistemi i importuar i DRG-së (Diagnostic Related Groups) në kushtet e “turlitavës” ballkanike vetëm se i pasuroi spitalet private të privilegjuara dhe të afërta me qeverisjen qendrore, kultura monoetnike u shndërrua në kiç dhe lavatriçe të parave në shërbim të elitave qeverisëse, ndërsa sporti i politizuar dhe i përqendruar në epiqendrën politike të kryeqytetit la brendinë për të bredhur nga 100 kilometra distancë deri te stadiumet e “socializmit” për një lojë futbolli edhe atë në ligën “elitare” të shtetit!
Për ekologjinë dhe ambientin, që duhej të ishin shtylla bazike e zhvillimit të qëndrueshëm, flasin faktet e ndotjeve më të mëdha në botë të qyteteve tona. Nëse në ndonjë garim për arritje më të larta në nivel planetar do bënim radhitjen e sukseseve të kësaj qeverisje, padyshim ndotja është rekord i gjitha kohërave! Krahas DPMNE-së, në planin shqiptar situata qëndron edhe më keq me BDI-në, partnere e përbetuar dhe dështake e dëshmuar e tyre! Këta të fundit akoma janë në kërkim të “vullnetit politik” të partnerit tyre për të avancuar MO-së (B. Osmani – “Rruga e drejt” Alsat-M)!
Por, çka ofron alternativa e LSDM-së në programin e saj ekonomik “Ndryshime-për fillim të ri”? Në parim, por të mos kishim “shijuar” edhe qeverisjet e saja, ndoshta do vlente aksioma: përderisa kemi një mal me dëshmi për dështimet e njërës palë, logjikisht do të ishte së paku shpresëdhënëse oferta alternative e opozitës. Por, fatkeqësisht, në këtë çerekshekulli dështimesh socio-ekonomike, në aspekte ekonomike ata janë pothuaj barasvlershëm fajtorë, si njëra ashtu edhe tjetra garniturë politike maqedonase (në kuptimin e kryeministrave), megjithëse me disa nuanca të kujdesit ndaj shtetbërjes së palës majtiste kur para 10 vitesh u dorëzua arka fiskale me rreth 200 mil. euro tepricë financiare, për t’u shërbyer “të djathtëve” si trampolinë në aventurat e kthimeve të disa borxheve edhe para maturimit (skadimit)!
Nga programi i “debatuar” i LSDM-së, në aspektin ekonomik, dominon përkushtimi për krijimin e një ekonomie funksionale të tregut me shanse të barabarta për të gjithë. Njëkohësisht përcaktimi primar i opozitës është kthimi i një rishpërndarjeje më të drejtë të të ardhurave dhe, me këtë, edhe dëshira për “t’u kthyer klasa e mesme”! Këto përcaktime pa dyshim tingëllojnë bukur dhe janë në “trend” të teorive më të reja ekonomike për një barazi më të madhe në ekonomitë nacionale (disa herë deri më tani kemi trajtuar edhe Tomas Pikety-n, një nga autorët më bashkëkohor të kësaj teorie). Kjo arrihet vështirë (për të mos thënë është e pamundshme) vetëm me masat e politikës së tatimeve progresive në të ardhura dhe rishpërndarjes së tyre. Pas të gjitha dubiozave të krijuara në ekonominë nacionale, së pari do të jetë shumë vështirë të konsolidohen financat publike dhe institucionet e dërmuara në të gjitha aspektet e më pas të fillojë procesi i rishpërndarjes për një barazi më të madhe sociale!
LSDM-ja ka të drejtë legjitime edhe për nga provenienca politike e së majtës të promovojë përcaktime të tilla programore, por ka një përgjegjësi shumë të lartë për krijimin e një pritshmërie irracionale për këto kthesa. Kthimi i shtresës së mesme në trendin dhe tendencën e krijuar të fragmentimit ekonomik të shoqërisë për një dekadë të tërë, nënkupton dizajnim të një modeli real ekonomik, që do të bëjë të besueshme një gjë të tillë. Në programin e promovuar prej më se 100 faqesh nuk referohen burimet e potencialeve ekonomike as edhe dinamika kohore kur dhe si mund të arrihet kjo që pretendohet. Me gjithë modestinë që duhet respektuar, si një njohës relativisht i mirë i strukturës mikro dhe makroekonomike të vendit, ky përcaktim strategjik është shumë vështirë i arritshëm dhe shumë i kushtueshëm për t’u deklaruar vetëm në përcaktim programor. Kjo nuk do të thotë se është i pamundshëm, por jo në një mandat të një cikli politik siç pretendohet, dhe aq më pak vetëm me masat e paralajmëruara. Potencialet ekonomike të vendit janë mjaft të limituara kur dihet se çfarë dubioza ekonomike dhe financiare “do të trashëgohen” (hipotetikisht nëse fitohet qeverisja) nga pushteti paraprak. Ja vetëm disa nga dubiozat, që duhet konsideruar në bilancin e ekonomisë nacionale: së pari borxhi i lartë publik, që pothuajse ka eliminuar “hapësirën fiskale” për veprim ekspansionist. Së dyti, një mal me detyrime të mbetura ndaj kontratave të parealizuara me agjentët e ndryshëm ekonomikë, që nuk kanë mundur ta padisin lirshëm shtetin në gjyqësorin e partizuar dhe të kontrolluar, si dhe mbipunësime (pa produktivitet) në sektorin publik. Së treti, nga “një mal” me kontrata koncesionesh (vetëm në sektorin e bujqësisë mbi 7.000 kontrata) të shpërndara gjithandej për shfrytëzues të ndryshëm, që akoma s’kanë filluar t’i shfrytëzojnë (si rasti i mijëra hektarëve të Subrata Rojit dhe shumë sojeve të ngjashëm me të, si ai i KB “Pelagonia” i Orce Kamçevit me mbi 17.500 hektarë tokë bujqësore…), e deri te subvencionet e ndryshme të prapambetura, që do duhet të kompensohen. Së katërti, potenciali fiskal do të reduktohet edhe për arsye të rishikimit të të dhënave jotatimore fiskale, që kanë shkuar deri në disa qindra miliona euro në vit. Për të mos vazhduar më tej, kur gjithë kësaj do t’i shtohet edhe forca ekonomiko-financiare e oligarkisë së “re” politike, që do të dalë në opozitë, si dhe transferit të mundshëm të kësaj pasurie përtej vendit dhe dehidrimit plotësues financiar të vendit, do të jetë shumë vështirë për të besuar se do mund të përmbushen premtimet e “parajsës ekonomike” dhe kthimit të shtresës së mesme.
Krejt kjo situatë mund të zbutet vetëm nëse do të nacionalizohet dhe konfiskohet tërë pasuria e luajtshme dhe e paluajtshme e gjithë atyre që në mënyrë të paligjshme kanë ardhur deri te ajo. Kjo nuk është e pamundur, sepse ligji ka ekzistuar (pasuria e paraportuar tatimohet me 70%), por vetëm duhet zbatuar. Nëse kësaj i shtohet edhe lufta frontale e korrupsionit institucional në të gjitha nivelet e qeverisjes, do të duhet të trefishohet numri i gjykatave speciale dhe burgjeve në vend. Kjo është mundësi teorike dhe shumë pak praktike, së paku në kushtet ballkanike! Por, një gjë është e mundur – të fillohet nga dita e parë të luftohet korrupsioni nga radhët e qeverisjes së re dhe “rezervat” që do krijoheshin do të mjaftonin për të filluar një proces ndërtimi i një shteti normal edhe nga aspekti ekonomik.
Të jemi të sigurt se vetëm “rezervat” nga reduktimi i korrupsionit do të mjaftonin për ta ndryshuar gjendjen. Gradualisht edhe procesimi i të gjitha lëndëve për konfiskim të pasurive të paligjshme, nëse do të mbijetonte pushteti?! Mund të duket pak, por s’e kemi idenë sa shumë janë këto “rezerva potenciale”! Jo për cinizëm, por thjesht për realitetin e hidhur, ndoshta askush më mirë se ministri aktual i Financave s’do dinte si “të mbyllet” ky hendek ekonomik e financiar i vendit, i krijuar me urdhër të kryeministrit dhe klikës së tij.