Afrimi i Shkupit me Athinën shqetëson Turqinë! Marrëveshja për partneritet strategjik në sferën e mbrojtjes me Greqinë dhe dhënia e mundësisë që aeroplanët grek ta ruajnë hapësirën ajrore maqedone është arsyeja e vërtetë për ngritjen e alarmit në Ankara, e cila paralajmëron se mund të mos e ratifikojë Protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.
Shkruan: Naser SELMANI
Në fillim të muajit prill, pa paralajmërim në Shkup arriti ministri turk i mbrojtjes, Hulusi Akar, i cili qeverisë së Zoran Zaevit i ka sjell një lajm të pakëndshëm. Akar, thuajse në mënyrë ultimative, kërkoi që qeveria maqedone t’i dorëzoje Turqisë përfaqësuesit e lëvizjes FETO, të cilët qeveria turke i llogarit si autor të puçit të pasuksesshëm ushtarak në vitin 2016, ose në të kundërtën, Ankara do ta le anash Protokollin për anëtarësimin e vendit në NATO. Me këtë gjë, ministri turk na përballi me një të vërtetë të hidhur se vendi jonë deri në fund të vitit mundet edhe të mos jetë anëtare e barabartë në Aleancë, të cilën aq shumë e kemi dashur dhe pritur.
Kjo kërkesë ultimative e presidenti turk, Taip Erdogan e befasoi kryeministrin Zoran Zaev, i cili para opinionit maqedonas anëtarësimin në NATO, pas ratifikimit të marrëveshjes së Prespës me Greqinë, dëshironte ta paraqes si punë të kryer. Zaev si duket nuk e ka kuptuar seriozitetin e situatës kur në fillim të vitit 2018 pati një pritje të ftohtë në Ankara nga presidenti turk Taip Erdogan. Vëzhguesit e kujdesshëm qysh atëherë hetuan se Erdogan shkurt u përshëndet me Zaevin dhe në asnjë moment nuk u buzëqesh as sa për kurtuazi e as që ia hodhi shikimin mysafirit. Ai moment i pakëndshëm u hetua edhe nga Zaev i cili tentoi të nxirret nga ky siklet me një buzëqeshje të hidhur dhe frymëmarrje të thellë. Ajo ishte shenjë e qartë se raportet turko-maqedonase po ftohen dhe po futen në ujëra të trazuara.
Për shkak të fushatës presidenciale, thuajse askush në opinion seriozisht nuk e parashtroi pyetjen, nëse Turqia mund të pengoje të hyjmë në NATO dhe cila do të ishte arsyeja për ta bërë këtë gjë? Askush nuk tentoi të përgjigjet pse erdhëm deri këtu dhe si të rregullohen raportet prapë me këtë vend të rëndësishëm, i cili ka ditur që të jetë afër nesh në kohë të vështira.
Qeveria para opinionit maqedonas duhet publikisht ta pranoje se ekziston rrezik real Turqia ta bllokoje anëtarësimin tonë në NATO dhe të sqaroje se çka do të bëje për ta eliminuar mundësinë e tillë, nëse mund të bëhet diçka.
Vështirë është të besohet se arsyeja e vetme pse Turqia është përcaktuar për një hap të tillë është mosdorëzimi i 15 gylenistëve nga qeveria në Shkup, të cilët ajo i llogarit si terrorist dhe përgjegjës për puçin ushtarak kundër Erdoganit. Kjo mund të funksionoje si alibi i mirë, por nuk mund të jetë arsyeja e vërtetë.
Politika e kërcënimeve dhe presioneve që Erdogan i zbatoi në periudhën e fundit ndaj Kosovës dhe Shqipërisë që me dhunë të deportohen gylenistët, si duket ka pësuar fiasko. Kosova në stilin kaubojsh i deportoi pesë gylenist në Turqi, por për një aksion të tillë të pamenduar është paguar një çmim i rëndë lartë politik në Prishtinë. Menjëherë është shkarkuar ministri i punëve të brendshme dhe drejtori i policisë së fshehtë kosovare.
Për shkak të këtij skandali, Ankara humbi ndikimin në Kosovë. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili është i afërt me Erdoganin dhe për të cilin llogaritet se e ka urdhëruar deportimin e gylenistëve pa përfillur organet e drejtësisë, është totalisht i izoluar dhe margjinalizuar në jetën politike të Kosovës. Kryeministri i ri, Ramush Haradinaj, haptas sfidon qëllimet e Erdoganit për ti vendosur në kontroll liderët politik në Prishtinë dhe Tiranë.
Përveç kësaj, Erdogan e di se qeveria e re në Shkup, e cila haptas ka politika pro evropiane, nuk do ta bëje një precedan të tillë ashtu si u bë në Kosovë. Organet e drejtësisë në Maqedoni janë më të shkathëta në përdorimin e të gjitha procedurave formale për ta komplikuar deportimin e gjylenistëve deri në pakufi. Dhe jo vetëm këtë, qeveritarët turk e dinë se nuk kanë dëshmi të prekshme materiale se të ashtuquajturit gylenist tek ne janë të përzier në mënyrë direkte në operacionin lidhur me puçin ushtarak. Dhe më e rëndësishmja, nuk është shumë e sigurt se Erdogani me të vërtet po i dëshiron gylenistët e gjithë botës në Turqi. Vetëm të shpërndarë nëpër botë, ata mund t`i ndihmojnë propagandës së tij për t`i paraqitur ato si rrezik kyesor për sigurinë nacionale turke dhe t`i mobilizoje ithtarët e tij politik në vend.
Nëse gjylenistët nuk janë arsyeja e vërtet pse Erdogani mund ta lëshojë traun për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, atëherë cila është arsyeja e vërtet?
Me gjasë, Ankara po futet në këtë lojë politike për më së paku dy arsye. E para, ta shfrytëzoje Maqedoninë si kartë për përplasjet e saj me Uashingtonin, dhe e dyta, ta pengoje Greqinë, rivalin e saj të përhershëm regjional, në marrjen e ndikimit vendimtar në Shkup.
Erdogan e di se SHBA-të kanë investuar shumë përpjeke diplomatike për anëtarësimin e vendit tonë në NATO duke dashur ta pengojë penetrimin rus në Ballkan. Për këtë arsye ai do të tentoje anëtarësimin tonë në Aleancë ta përdore për nxjerrjen e koncesioneve eventuale nga Amerikanët për interesat e tyre lidhur me luftën në Siri, me refugjatët, çështjen kurde, si dhe bashkëpunimin e Erdoganit me Rusinë dhe Iranin.
Tensioni midis aleatëve, SHBA dhe Turqisë, është krijuar për shkak të dëshirës së Ankarasë për t`u shndërruar në një forcë regjionale, pa të cilën Uashingtoni nuk do të mund t`i realizoje interesat e saja në fqinjësinë e afërt dhe të largët turke. Turqit janë të pakënaqur nga politika amerikane ndaj Lindjes së Mesme pasi disa herë kanë dalur të humbur, fillimisht me Irakun dhe pastaj me Sirinë. Erdogani u përfshi në konflikt me regjimin sirian dhe Perëndimi nuk tregoi interes serioz për ta rrëzuar nga pushteti Bashar el Esed. Në vend të shpërblimit në fromë të ndihmave ekonomike, Turqia fitoi tre milion refugjat në territorin e saj, ekonomia përjetoi dëme serioze dhe ndërkohë ndodhi edhe përpjekja për puç nga segmente të ushtrisë turke.
Poashtu, qeveria turke është e shqetësuar nga bashkëpunimi i SHBA-ve me kurdët sirian, të cilët një periudhë u kërcënuan seriozisht të marrin nën kontroll tërë kufirin jugor turk me Sirinë. Turqit, sigurisht nuk janë të interesuar edhe për një luftë të SHBA-ve me Iranin, e cila do tu shkaktojë pasoja shtesë negative për ekonominë turke. Dhe në fund, flirti i Erdoganit me presidentin rus Vladimir Putin, në esencë është një taktikë e shkathtë për të marrë sa më shumë koncesione për Turqinë në rendin e ri që fuqitë e mëdha po mundohen ta vendosin në këtë pjesë të botës.
Për përdorimin e vendit tonë si një mjet për larjen e hesapeve turko-amerikane, qeveria maqedonase nuk ka asnjë faj. Megjithatë, kjo gjë nuk mund të thuhet edhe për afërsinë tonë të habitshme me Greqinë, e cila ka krijuar shqetësim serioz në Turqi.
Dukshëm, qeveria e re nuk e njeh politikën turke, e cila dallon prej politikës së banana shteteve të fqinjësisë tonë. Ata po harrojnë se turqit prej më shumë se 500 vite kanë sunduar me këto hapësira. Rrethanat mund që të ndryshojnë, por interesat e popujve të mëdhenj mbesin të njëjta. Në tërësi nuk e kuptojnë se pse Turqia ishte vendi i dytë pas Bullgarisë që njohu pavarësinë e Maqedonisë dhe vendi i vetëm anëtar i NATO-s, që refuzonte të përdor shkurtesën e çuditshme, Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë.
Sigurisht se kjo nuk është rastësi. Turqia përshëndeti arritjen e marrëveshjes për emrin me Greqinë dhe dëshiron vendi i jonë të bëhet anëtar i NATO-s. Këtu nuk duhet që të ketë asnjë dilemë. Megjithatë, kjo gjë nuk nënkupton se diplomacia turke lehtë do të heq dorë nga ndikimi i saj te ne. Marrëveshja për partneritet strategjik në mbrojtje dhe dhënia e mundësisë që aeroplan grek ta sigurojnë hapësirën ajrore maqedonase, është arsyeja e vërtet që në Ankara është ndezur ngjyra e kuqe e alarmit për ta dërguar në Shkup, ministrin e mbrojtjes, dhe jo ministrin e punëve të jashtme. Porosia është serioze për ato që dinë dhe duan ta kuptojnë.
Ishte gabim i madh që qeveria e Zaevit u ngut të lëshohet në përqafimin pasionant grek, i cili edhe përkundër marrëveshjes së arritur për emrin, vazhdon ta mohojë identitetin etnik maqedonas. Arsyet për këtë dashuri të papërmbajtur ndaj Athinës janë ideologjike dhe më së miri ato i ka artikuluar profesori Vlado Malevski, në një shkrim të para disa javësh.
Malevski, pa pritur hapur ka promovuar tezën se Maqedonia Veriore i takon sferës greke të interesit. Dhe këtë gjë po tenton ta shesë si një tezë perëndimore. Përkundrazi, kjo gjë jo vetëm që nuk është interes perëndimor, por nuk është asgjë tjetër vetëm se një rikthim i tezave të vjetra jugosllave, gjegjësisht serbe, se e ardhmja e Maqedonisë si shtet duhet të kërkohet në aleancën Veri-Jug, Athinë-Beograd. Kjo mendësi e prapshtë politike, Bullgarinë dhe Shqipërinë i paraqet si armiq më të mëdhenj të maqedonizmës.
“Shpërthimi i fuqishëm i ndikimit bullgar në shtetin tonë mund ta na shkrije kombin tonë si qiriri dhe ndikimi i Shqipërisë mund të prish baraspeshën e brendshme etnike”, shkroi Malevski.
Është e frikshme të lexosh një tezë të tillë propaganduese nga një intelektual si është Malevski, por historia, në të cilën thirret profesori, na mëson se komunizmi si ideologji nuk ua mori njerëzve vetëm lirinë, por ua shkatërroi edhe shpirtin. Për këto 30 vite të pavarësisë maqedonase janë shkatërruar perspektivat e mijëra qytetarëve të këtij shteti, vetëm pse estabilshmenti komunist maqedonas duke kundërshtuar interesat perëndimore në Ballkan dëshironte vendin ta shndërroje në satelitin e Serbisë. Gjithsesi se nuk patën sukses dhe tani po kërkojnë një variant rezervë duke luajtur në kartën greke. Është e papërgjegjshme të mashtrohen qytetarët e këtij vendi, sidomos maqedonasit etnik, se në thonjëza, Perëndimi ka vendosur që Maqedoninë Veriore ta lë në duart greke. Përkundrazi kjo gjë do të nënkuptonte humbjen edhe të 30 viteve tjera me qëllim që të vazhdoje golgota e këtij kombi, i cili meriton ta marr vendin e tij në diellin evropian.
Në selinë e Bashkimit Evropian në Bruksel, Maqedonia Veriore është në sektorin e njëjtë me Shqipërinë. E njëjta skemë funksionon edhe në ministrinë gjermane për punë të jashtme në Berlin, drejtuesi i Bashkimit Evropian. Kjo është simbolikë e cila duhet kuptuar drejtë nga aktorët politik në Shkup. Me strategjinë e tillë, Perëndimi nuk po i shpërblen shqiptarët, por është i vetëdijshëm se mënyra e vetme që shqiptarët, maqedonasit dhe malazezët ta sigurojnë pavarësinë e tyre është përmes bashkëpunimit të ngushtë mes veti të këtyre popujve më të dobët, të arrijnë një balancë forcash për tu bërë ballë aksioneve agresive të koordinuara greko-serbe kundër tyre.
Vetëm injorantët politik mund të besojnë se formësimi i gadishullit ballkanik mund të bëhet pa pjesëmarrjen e Turqisë. Nuk duhet të harrohet se gjithmonë kur politikanët në Athinë shohin në drejtim të Moskës, menjëherë mbi ishujt grek fluturojnë aeroplanët turq. Ky është një tregues më i mirë se cilat interesa i mbron Turqia në Detin Mesdhe, e cila kinse i afrohet Rusisë.
Duhet të pritet që diplomacia turke t`i stabilizojë raportet me SHBA-të dhe BE-në sepse ky është interes afatgjatë i shtetit turk, i cili ka një përvojë perandorake. Episodin e Erdoganit në politikën turke duhet të kuptohet vetëm si një eksperiment i shkathtë i shtetit turk për t`i forcuar interesat e saja në regjion duke i testuar linjat e kuqe në raportet me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian.
Në planin afatgjatë, Turqia nuk ka interes ta pengoje anëtarësimin e vendit tonë në NATO, por alarmi i ngritur në Ankara duhet t`i kthjellojë qeveritarët në Shkup se politika filo-greke do ta shqetësojë me të drejtë Turqinë, por edhe qytetarët maqedonas, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare dhe etnike. Gjenocidi grek, i cili asnjëherë nuk është pranuar nga politika zyrtare e Athinës ndaj maqedonasve dhe turqve në Maqedoninë e Egjeut dhe Thraki dhe kundër shqiptarëve mysliman të Çamërisë, ende është i freskët në kujtesën e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut./ Marrë nga “Fokus”, përshtati në shqip Almakos