Shkruan: Valon Elezi
Pas një fushate të qetë, me 21 Prill, ditë e diel, qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut u gjetën edhe para një mundësie zgjedhjeje, respektivisht, asaj të zgjedhjes së Presidentit të vendit.
Dita e zgjedhjeve në përgjithësi kaloi qetë dhe votimi vijoi deri në fund të ditës pa probleme të theksuara. E tillë ishte edhe fushata zgjedhore. Në fund, e gjithë kjo vazhdoi me një dalje të zbehtë të qytetarëve në votime. Bilanci përfundimtar nga dalja në votime ishte me numrat si vijon, ku 755.702 qytetarë nga gjithsejt 1.808.131 qytetarë me të drejtë vote shfrytëzuan të drejtën e votës ose 41.79%, prej të cilave vota të vlefshme ishin 722.891, ndërsa të pavlefshme 32.811 ose 4.34%.
Ajo çfarë ndoshta ishte befasia e këtyre zgjedhjeve, ishte pikërisht “beteja” e ngushtë mes
kandidatëve maqedonas, me çka në fund rezultati tregonte se Stevo Pendarovski i përkrahur nga LSDM dhe partitë shqiptare në koalicionin qeveritar mori 323.714 vota ose 42.84% ndërsa Gordana Siljanovska e përkrahur nga VMRO-DPMNE mori 319.225 vota ose 42.24%.
Nga kjo shohim se dallimi mes këtyre dy kandidatëve ishte vetëm 4489 vota më shumë për Stevo Pendarovskin ose vetëm 0.60%. Kandidati shqiptar i përkrahur nga Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa, Blerim Reka, fitoi gjithsejt 79.921 vota ose 10.58%. Më 5 Maj qytetarët përsëri do të gjenden para kutive të votimit në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale ku do të duhet të zgjedhin në mes të Gordana Siljanovskas dhe Stevo Pendarovskit.
Çfarë dëshmuan këto zgjedhje?
Ajo që ishte më shumë se evidente, ishte dalja e vogël në këto zgjedhje. Kjo gjë mund të vërehet te elektorati maqedonas, por në veçanti te elektorati shqiptar. Ekzistojnë shumë faktorë dhe mund të bëhen analiza të detajuara se çfarë ndikoi në këtë dalje të vogël, por, kryesisht ndër faktorët kryesorë është pakënaqësia e elektoratit ndaj partive politike në pushtet.
Thënë më qartë, garnitura e re qeveritare nuk arriti të realizojë atë që kishte premtuar ndaj qytetarëve kur kemi të bëjmë me numrat dhe zhvillimin ekonomik. Qytetarët u gjetën të prekur nga ngritja e çmimeve të naftës dhe shumë produkteve tjera elementare, qytetarët u gjetën të prekur nga premtimet boshe dhe të parealizuara për rritje të pagave dhe hapje të vendeve të reja të punës, poashtu nga iniciativa për largimin e ligjit për shtesa për fëmijën e tretë, e deri te pakënaqësitë që kanë të bëjnë me aspektin e drejtësisë, e ku raste që poashtu irritojnë qytetarët janë amnestitë e shumë aktorëve politik të garniturës së kaluar qeveritare që cilësoheshin fajtorë për shumë raste gjatë dhjetë viteve në pushtet.
Kur analizojmë më saktësisht këto pakënaqësi, shohim se edhe sukseset e kësaj qeverie, e
që mund të renditen me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës, ndryshimin e emrit, nënshkrimin e Protokollit të Anëtarësimit në NATO, dhe intencën për avansimin e procesit të integrimit në BE, nuk kanë ndikuar plotësisht në disponimin e qytetarëve, por përkundrazi faktorët e lartpërmendur që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës, dhe mungesa e një gjyqësie më efikase, bëri që qytetarët të ndjejnë më shumë revoltën.
Si pasojë e kësaj gjithnjë duhet pasur parasysh edhe ikjen e qytetarëve, e sidomos të rinjve në perëndim, e ku destinacion i njohur dhe shumë i përfolur është Gjermania. Ikja e të rinjve atje bëhet ngaqë ata nuk shohin perspektivë dhe ardhmëri të mirë në vendin tonë, as për veten e as për familjet e tyre. Dhe pos mungesës së tyre, shikuar edhe në dimensionin social, me siguri se familjet që kanë kryefamiljarin ose ndonjë anëtar të tillë, pakënaqësinë e shprehin duke mos dalur në votime sepse atyre nuk u ofrohet asgjë nga ky vend. Kësaj mund t’i shtohet edhe fakti se qytetarët ndihen të lodhur nga zgjedhjet e vazhdueshme dhe nga premtimet boshe të partive politike.
Për të shikuar dy anët e medaljes dhe për të marrë parasysh edhe mendimin e qytatarëve maqedonas, ka nga ata që deklarojnë se ekziston pakënaqësi e madhe për shkak të ndryshimit të emrit dhe ligjit të gjuhëve.
Roli i elektoratit shqiptar
Shikuar në nivel të tërë vendit, elektorati shqiptar ka një dalje jashtëzakonisht të vogël, edhe atë nën 30%. Mirëpo, është mjaft e dukshme se elektorati shqiptar ka bërë një diferencë në këto zgjedhje. Në shumicën e qyteteve me shumicë dërmuese të etnisë maqedonase, edhe atë në pjesën qëndrore dhe lindore të vendit, matematikisht, kalkulimi del që Gordana Siljanovska është fituese e raundit të parë të zgjedhjeve.
Ndërsa kur analizojmë daljen dhe votat në qytetet me shumicë dërmuese shqiptare ose qytete të përziera, shohim se këtu Stevo Pendarovski qëndron më mirë dhe se shqiptarët kanë bërë diferencën. Me përllogaritje rezulton që elektorati shqiptar kanë dhënë diku
prej 38 mijë deri 42 mijë vota për Stevo Pendarovskin, pa të cilat vota, ai do të ishte humbës në raundin e parë me diku, afërsisht, 35 mijë vota më pak se Gordana Siljanovska.
Por, megjithatë, shqiptarët në shumicë kanë votuar kandidatin shqiptar, Blerim Rekën, dhe del që gati në çdo qytet me shumicë dërmuese shqiptare, Blerim Reka ndaj Stevo Pendarovskit ka fituar me rezultat 3 me 1.
Fillimisht, duhet të kemi parasysh se edhe elektorati maqedonas është i zhgënjyer nga LSDM dhe njëri ndër faktorët që e dëshmon këtë zhgënjim është rezultati në këto zgjedhje e që, siç duket këtu ka ndikuar edhe jo menaxhimi i mirë me shumicën e komunave që i udhëheqë LSDM. Dhe nëse bëjmë një krahasim me zgjedhjet parlamentare të 11 Dhjetorit të vitit 2016, ne vijmë në konstatimin se elektorati shqiptar është i zhgënjyer dhe e ka ndëshkuar LSDM-në. Në zgjdhjet parlamentare të vitit 2016, elektorati shqiptar, pa u bërë thirrje askush, me një vullnet dhe mllef të akumuluar ndaj VMRO-së, poashtu edhe dëshirës për ta larguar atë strukturë nga pushteti, doli dhe i dha LSDM-së mundësinë më të mirë deri atëherë, duke e bërë aktorin kryesor për koalicionim me BDI-në dhe formimin e qeverisë. Mirëpo, siç duket, shqiptarët janë të zhgënjyer me LSDM-në për shumë arsye dhe njëra ndër ato arsye, duke mos harruar edhe ledhatimin që LSDM e bën ndaj BDI-së, është edhe
fakti i pamohueshëm, se tek rradhët e LSDM-së është krijuar një bindje se shqiptarët vlejnë vetëm si trup elektoral kur nevojitet vota e tyre e jo për diçka tjetër. Vota e elektoratit shqiptar kësaj here, u barazpeshua aq shumë dhe aq natyrshëm saqë, krijohet bindja sikur e njejta të ishte shkruar me laps, e jo të ishte ndërtuar nga diku, mbi 110 mijë votues.
Vota shqiptare kësaj here ndëshkoi LSDM-në, nuk dëgjoi partitë shqiptare në qeveri, por edhe nuk i dha hapësirë opozitës shqiptare të besojë se votat e Blerim Rekës janë edhe votat e opozitës. Madje, vota shqiptare dërgoi edhe një mesazh se koncepti i konsensualitetit ende është i paqëndrueshëm dhe se atë konept shqiptarët ende nuk e konsiderojnë të pranueshëm në kushte dhe rrethana që u proklamua, edhe pse, shikuar historikisht,
që nga pavarësimi i vendit, më 1991 e këndej, shqiptarët dijnë që për interesa më të mëdha ta tejkalojnë veten, ti tejkalojnë barrierat etnike dhe si gjithmonë të luajnë rol mjaft konstruktiv dhe të dobishëm për vendin.
Por, nuk duhet të harrojmë edhe të përmendim se në zgjedhjet lokale të vitit 2017, ishte LSDM që bënte fushatë për BDI-në, ndërsa tani, duke u thirrur në konceptin e konsensualitetit, ata bënin fushata ndaras, ndërsa njëra ndër shtyllat e propagandës së fushatës zgjedhore ishte se kandidati që përkrahnin partitë qeveritare, sëbashku, synojnë integrimin në strukturat veri-atlantike ndërsa të tjerët jo, e që nuk qëndron për partitë shqiptare sepse, nëse VMRO do të dëshironte ta bllokonte procesin e integrimeve e që është fakt i njohur, të gjitha partitë shqiptare, edhe ato opozitare, janë mbështetëse të vazhdueshme të këtyre proceseve.
Dhe në fund, vijmë edhe te përfundime dhe pyetje tjera: A ishte parimor bashkëpunimi mes LSDM-së dhe partive shqiptare në qeveri? A do të ketë çarje dhe probleme mes LSDM-së dhe BDI-së pas këtij rezultati? A ishte Stevo Pendarovski (një figurë e respektuar e botës akademike), viktimë e politikave të dobëta të LSDM-së? A janë të zhgënjyer shqiptarët me LSDM-në njësoj si me VMRO-në? Mbetet që lexuesit vet të vlerësojnë!
A ishte e nevojshme kandidatura e Blerim Rekës?
Nga shumë zëra është cilësuar e panevojshme dhe e padobishme kandidatura e profesor Blerim Rekës, madje edhe anti-evropiane. Këto zëra nuk mund të bazohen në argumente të fuqishme.
Kandidatura e Blerim Rekës ishte e drejtë, diçka legjitime dhe shumë e nevojshme, kjo sepse është e rëndësishme për demokracitë e reja dhe për avansimin e kulturës demokratike. Por, ishte e rëndësishme edhe për shqiptarët. Blerim Reka, profesor me bagazh të jashtëzakonshëm akademik dhe me përvojë në koridoret administrative të Brukeslit si ish Ambasador i vendit në BE, e posedon dhe e dëshmoi kapacitetin e tij, e dëshmoi vizionin e tij dhe hodhi qartë në pah vlerat e tij civilizuese edhe si kandidat por edhe për vizionin e tij politik.
Diskursi i tij ishte i një niveli të lartë. Pse ishte e rëndësishme atëherë kandidatura e tij kur dihej se nuk do të mund të fitonte garën? Kjo, për shkakun se, edhe pse atë e kanë votuar edhe votues e simpatizantë të partive shqiptare në pushtet, megjithatë, me atë dalje të vogël dhe numrin e votave që mori, votat për të mund të konsiderohen një nga parametrat dhe treguesit kryesorë të disponimit opozitar te elektorati shqiptar.
Fushata e tij dhe rezultati në fund, mund të konsiderohen si një sukses, ndërsa Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa duhet të reflektojnë këtë rezultat zgjedhor. Deklaratat se kandidatura e Blerim Rekës shkon në favor të Gordana Siljanovskës poashtu nuk mund të mirren si të vërteta sepse, nuk ka asnjë garancë se në mungesë të kandidaturës së z. Rekës, ato 80 mijë votues të tij do të dilnin në zgjedhje. Shikuar nga motivi i tyre për këto zgjedhje, ata nuk do të dilnin fare në zgjedhje, që dëshmon se ata kanë dhënë kontribut duke mundësuar arritjen e cenzusit.
Çfarë do të ndodhë me raundin e dytë?
Gordana Siljanovska, nuk është dhe nuk mund të jetë në asnjë mënyrë opcion i elektoratit shqiptar, duke pasur parasysh politikat dhe retorikën nacionaliste të subjektit politik i cili e mbështet atë, pra VMRO-në dhe duke qenë se e kemi të njohur politikën e tyre kundër integrimit në strukturat veri-atlantike.
Proceset e fundit, edhe pse duken procese të pakthyeshme për shkak të mbështetjes së
parezervë të bashkësisë ndërkombëtare, prap, Gordana Siljanovska nuk do të duhej të ishte opcion i votuesve. Mirëpo, që nuk do të jetë opcion Siljanovska, kjo ka të bëjë me elektoratin shqiptar, por nuk ka garancë për elektoratin maqedonas. Por, parashtrohet pyetja, a do të ketë vota shqiptare përStevo Pendarovskin?
Mendoj se do të ketë vota shqiptare për Stevo Pendarovskin por vështirë është të prognozohet sa vota shqiptare do të fitojë ai. Në fakt z. Pendarovski është kandidat që edhe pse do të siguronte kompletimin e të gjitha hallkave të pushtetit për LSDM-në, e që për shoqëritë demokratike shpesh nuk preferohet, prap, përzgjedhja e tij do të ishte më e arsyeshme se sa e Siljanovskës, sepse fundja z. Pendarovski është një figurë me vizion dhe ide pro-evropiane dhe pro- integruese.
Por, duhet të mos harrojmë zhgënjimin e shqiptarëve dhe mundësinë që ata fare të mos
dalin në zgjedhje. Në mungesë të motivimit të elektoratit shqiptar do të mund të mos arrihej cenzusi prej 40%+1 votë dhe zgjedhjet të dështonin. Poashtu, ideja se një gjë e tillë do të shkaktonte një lloj krize politike dhe mundësi të nënshkrimit të zgjedhjeve të reja parlamentare, është gjithnjë e më e pranishme. Se çfarë do të ndodhë më 5 Maj, mbetet të shohim vitët në vijim nga hapat që do t’i ndërmarrin partitë politike para raundit të dytë dhe mbetet të shohim ditën e zgjedhjeve diku pak para mesante.
Por një gjë është e sigurtë, qytetarët nuk duan më zgjedhje, por duan zgjidhje. Nuk
duan vetëm premtime, por angazhim dhe realizim të premtimeve. Qytetarët më nuk do të presin dhjetë vite për të ndëshkuar, ata do të ndëshkojnë menjëherë pas një cikli zgjedhor.
Kjo gjë, është një parakusht që një herë e gjithmonë të kuptohet që, partitë politike duhet ti frikësohen sovranit, popullit, dhe jo e kundërta. Populli e jep, por edhe e merr pushtetin nga duart e atyre që nuk bëjnë asgjë për qytetarët.
*Shkrimet e publikuara në rubrikën opinion nuk janë qëndrim i redaksisë.