Letërkëmbimi Mapo-Danas
Letërkëmbimi mes gazetarit Mustafa Nano dhe homologut të tij serb, Zoran Panoviç vjen e bëhet gjithmonë e më interesant. Bëhet fjalë për një letërkëmbim mes dy mediave, gazetës Mapo dhe asaj serbe, Danas. Këtë herë atmosfera përqendrohet te diskutimet që po bëhen mes Kosovës dhe Serbisë për të gjetur një zgjidhje për çështjen më të madhe mes tyre: njohjes së pavarësisë. Nano i shkruan Panoviç, duke i thënë se presidenti kosovar, Hashim Thaçi dhe homologu serb, Aleksandar Vuçiç po tentojnë që të bëjnë historinë
Nga Mustafa Nano
I dashur Zoran,
Dua të ndalem në këtë letër te Hashim Thaçi e Aleksandër Vuçiç, të cilët kanë qenë këto ditë (me siguri, do të jenë edhe në ditët e ardhshme) në qendër të vëmendjes së shqiptarëve e serbëve, e shumë më gjerë. Më intrigon situata e tyre. Janë duke bërë historinë. Ose le të themi, që janë duke tentuar ta bëjnë. Dhe do duhej ta shijonin shumë këtë rrethanë, sepse nuk të qëllon shpesh të bësh historinë. As atyre që vendosin për fatin e botës, nuk u qëllon shpesh të bëjnë historinë. Mirëpo situata e dy “heronjve” tanë është shumë e veçantë, pasi këta rrezikojnë në këtë mes të keqkuptohen, të mos kuptohen, të anatemohen, të merren për sharlatanë, marrokë, renegatë, apo ku di unë se çfarë.
Thaçi është më pranë këtij rreziku. Ai është i vetëdijshëm për këtë. E prandaj ngjan i vetmuar dhe i braktisur. Gjatë 20 viteve të fundit, ai ka patur gjithnjë përreth njerëz që kanë qenë të gatshëm të hidhen edhe në zjarr për të, e kjo jo thjesht se kanë besuar tek ai, por më së shumti se ai u ka ndryshuar jetën, duke u hapur dyert e ndonjë karriere, duke i bërë personazhe të rëndësishëm në Prishtinë, e duke u dhënë poste, ku ata kanë patur mundësi të bëjnë favore e t’u gëzohen favoreve. Por pakkush prej tyre i është bërë krah këto ditë. Duket sikur të gjithë janë duke pritur të shpërndahet mjegulla, të bëhen gjërat të qarta, në mënyrë që pastaj, sipas rastit, ose t’ia vënë Thaçit kokën në karamanjollë, ose të hipin në trenin e fitores që do ketë për timonier po Thaçin. Me siguri, ky i fundit është duke e regjistruar në një fletore shënimesh “mosmirënjohjen” e ca e cave. Do doja të më binte në dorë ajo fletore.
Thaçi është sot politikisht i parëndësishëm. Kurrë nuk ka qenë kaq i parëndësishëm. Pavarësisht se është President i Republikës së Kosovës, madje pikërisht ngaqë është President, ai është i parëndësishëm. Funksioni i Presidentit është ceremonial në Kosovë, dhe në këtë kuptim ai e ka “uzurpuar” rolin e përfaqësuesit të palës shqiptare në negociatat me Serbinë. Është po njësoj edhe me Vuçiçin, apo jo? Këta të dy kanë qëlluar njerëz që e bartin fuqinë me vete. Për sa kohë ishin kryeministra, ata ishin, në respekt të Kushtetutës, në krye të punëve në vendet e tyre. Me t’u bërë presidentë, asgjë nuk ndryshoi. Ata janë po njësoj në krye. Në këtë rast, në shkelje të kushtetutës. Në këto rrethana, duhet pasur frikë se mund të dalë dikush nesër e të thotë se marrëveshja e arritur (nëse do të arrihet) është e pavlefshme, pasi është nënshkruar nga “personat e gabuar”.
Por po mbetem te Thaçi. Funksioni presidencial e mban atë larg prej lojërave politike. Ai është ende drejtuesi de factoi Partisë së tij Demokratike, por këtë rol përpiqet ta luajë në fshehtësi. Sepse Kushtetuta nuk e lejon të jetë i përfshirë në jetën partiake. Ai është mësuar të ketë nën komandë çdo gjë, mirëpo nga posti i kreut të shtetit nuk mund ta bëjë më këtë gjë. Ky post duket që i rri ngushtë, shumë ngushtë. Atij i duket vetja “i burgosur” në Presidencë. Gjërat i kanë dalë nga kontrolli. Rivalët po forcohen, sidomos Albin Kurti. Disa të huaj i janë qepur me bukë në trastë. Ndërsa në Tiranë nuk ka gjetur asnjë mbështetje. Ka shpresuar te ndonjë mbështetje nga Edi Rama, por as kjo nuk i ka ardhur deri më sot. Shumë shqiptarë janë të sigurt se janë Vuçiçi e Rama ata që po e thurin këtë “intrigë ballkanike”, dhe se ky i fundit, tok me Thaçin, kanë si objektiv bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, gjë që – kështu mendohet – do të ishte e mundur nëse serbët do ta njihnin Kosovën. Por Rama ende nuk ka marrë anë. Të enjten, më datë 13 shtator, ai bëri të paditurin. “Duhet të presim të na sqarojnë se për çfarë është fjala”, tha ai në një intervistë televizive, duke lënë të kuptohej se bënte pjesë tek ata njerëz që priste të informohej. Por pas pak sekondash e tradhtoi veten, teksa foli si njeriu që i di gjërat nga brenda: “Ky moment mund të jetë një oportunitet; duhet ta shndërrojmë në një oportunitet”.
Vetë Thaçi vijon të flasë me gjuhën e tij të drunjtë. Nuk ka guximin për t’i hapur letrat e lojës. Dhe nuk ka faj. Brenda oportunitetit (për të përdorur një term të Ramës) për të rikuperuar pushtet me këtë lëvizje, fshihet rreziku që të dalë krejt i humbur në këtë histori. Dhe me shumë gjasë, këto ditë ai po jeton më shumë me idenë e rrezikut sesa atë të oportunitetit. Ai është duke pritur që diplomacitë e huaja të flasin njëzëri në favor të këtij plani. Sepse është kjo gjë që mund t’ua ndryshojë mendjen shqiptarëve. Sikur faktorët ndërkombëtarë të viheshin në mbështetje të kësaj ideje, e sikur këtij plani t’i shkohej deri në fund, Thaçi do rikuperonte si me magji autoritetin e fuqinë e mëparshme. Ai do rivalorizohej, ndoshta do të dilte më i fortë se më parë. Dhe kjo është shpresa e tij.
Në anën tjetër, Vuçiçi është protagonisti i padiskutueshëm në jetën politike serbe. Ai është zgjedhur President me votim popullor (Thaçi është zgjedhur nga një shumicë e thjeshtë parlamentare), ka fituar qysh në raundin e parë, është ende kryetar i partisë së tij, e cila është në pushtet dhe e cila votohet prej pothuaj shumicës absolute të serbëve, dhe kjo do të thotë se ai ka nën kontroll edhe shumicën në parlament, edhe qeverinë. Të gjitha këto e bëjnë që të jetë më i fortë sesa e lejojnë kompetencat kushtetuese, gjë që mund të jetë një problem për demokracinë serbe. Por përbën një avantazh në negociatat me Hashim Thaçin.
Që të dy kanë një hall të përbashkët, megjithatë. Kanë një patate të nxehtë në duar. Madje, patatja e Vuçiçit është më e nxehtë. Në fund të negociatave (përsëris: nëse do të ketë një fund të tyre), atij do t’i duhet të nënshkruajë vdekjen e Kosovës serbe. Ai me siguri përndiqet çdo ditë prej idesë se do t’i takojë atij ta hedhë atë firmë “të mallkuar”. Ai përndiqet nga ideja se, çfarëdo tjetër që të bëjë në këtë botë, edhe sikur ta ketë në dorë t’u prenotojë serbëve qysh tani një vend në parajsën e përjetshme (në fjalimin e tij në Mitrovicë ai foli, me ironi në fakt, mbi një Serbi Qiellore), në histori do të mbetet veç për atë firmë. Dhe unë, i dashur Zoran, e kam të lehtë ta përfytyroj Presidentin tuaj duke vuajtur qysh tani për këtë shkak.
Dhe e mirëkuptoj, teksa e shoh të shfaqet me dy fytyra, si Janusi i mitologjisë romake. E mirëkuptoj në akrobacitë e veta retorike. Një Vuçiç i tillë me dy fytyra, ishte edhe në Mitrovicë. Sidomos në Mitrovicë. Fjalimi i tij atje ishte i turbullt, i rrëmujshëm, dykuptimësh, kundërthënës. Diku tha fraza të bukura dhe emocionuese, si “unë nuk ju premtoj armë e municione, por laptope, rrugë, fabrika, libra shkollorë”, “nderin e kemi prej andej nga vijmë, e jo prej atje ku duam të shkojmë”, “të sakrifikojmë gjithçka, ndoshta edhe të tanishmen tonë, për hir të së ardhmes së vendit dhe fëmijëve tanë” etj., dhe pak më tutje bëri një apologji për Milosheviçin. E shpalli atë një udhëheqës të madh, të pafat, të keqkuptuar, naiv, qëllimmirë. Këtë e tha njëri prej dy Vuçiçëve. E tha për veshët që po e dëgjonin në Mitrovicë. Dhe me siguri ka pritur që ky vlerësim të humbiste mes mesazheve të tjera të bëra nga Vuçiçi i dytë. Kur pa që kjo nuk ndodhi, Vuçiçi, ky i dyti, u vu të shkruante një artikull për Blic-in, vetëm tri ditë pas vizitës në Mitrovicë, me anë të të cilit saktësoi qartë “diskontinuitetin me politikën e Milosheviçit”.
Nuk di a ta kam thënë më herët, Zoran, por edhe nëse ta kam thënë, më duket me interes ta përsëris: “Nuk do doja të isha në vendin e Thaçit e të Vuçiçit në këto kohë”.
Post Scriptum: Në programin tim televiziv me titullin “Provokacija”, që e bëj për televizionin ABC News, pata një monolog, në të cilin u mora me damkën e tradhtarit që ta japin pa të keq këtyre anëve tona. Dhe mes të tjerash thashë: “Ideja për të gjetur një zgjidhje që na vendos në paqe me serbët njëherë e mirë është një ide interesante. Është e vetmja ide interesante që ekziston në tavolinë. Idetë e tjera janë ide të konfrontimit, të urrejtjes, të armiqësisë… Unë nuk kam qenë ndonjëherë ndonjë fan i Hashim Thaçit. Mund të thuhet që kam qenë një fan i Albin Kurtit. Por sot, midis Hashim Thaçit që ka hedhur me guxim një ide që duket e çmendur, dhe Albin Kurtit që, bash për këtë arsye, e quan Hashimin një shërbëtor të Vuçiçit, unë jam me Hashimin. Edhe Vuçiçi, meqenëse e përmenda, ka të njëjtin problem që ka edhe Thaçi. E sulmojnë edhe atë si tradhtar. E sulmojnë të vetët në Serbi. Ky është një problem që ekziston veç në Ballkan. Dhe e kanë vetëm ata që mbrojnë ide të guximshme. Të tjerët nuk kanë probleme. Nuk kanë probleme ata që janë të aftë të denoncojnë tradhtarë pa pushim, nuk kanë probleme ata shqiptarë që bërtasin “Poshtë Serbia, poshtë Greqia!”, nuk kanë probleme ata serbë, grekë e maqedonas që bërtasin “Poshtë shqiptarët!”. Njerëz të tillë jo vetëm nuk kanë probleme, por janë të nderuar. Marrin medalje. Fitojnë vota. Bëjnë karrierë. Vënë pasuri. Atyre u ngrihen vjersha, përmendore”.